GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Nga RGB te Barrett, të gjitha lëvizjet e Trampit

Ngjitja, gati e sigurtë, në Gjykatën e Lartë e juristes katolike konservatore të New Orleans ndërsa Election Day në 3 nëntor afrohet

Nga Ruth Bader Ginsburg, ikonë e Amerikës progresiste majtiste, te Amy Coney Barrett, ikonë e Amerikës konservatore anti-abortiste. As koha për të celebruar funeralet e kampiones së të drejtave, veçanërisht të grave, e cila ndërroi jetë në moshën 87 vjeç, dhe Donald Trump do të shpallë sot emrin e të përzgjedhurës për ta zëvendësuar.

Barrett, 48 vjeçe, me shtatë fëmijë, njëri prej të cilëve me sindromën Daun dhe dy të birësuar në Haiti, është menduar që në vitin 2018 për në Gjykatën e Lartë, për vendin e të dorëhequrit Anthony Kennedy, konservator i moderuar.

Por, atëherë Trump preferoi një tjetër katolik, Brett Kavanaugh. “Unë do ta mbaj për Ginsburgun” do të thoshte tycoon, duke lënë të kuptohet për një strategji të përcaktuar mirë për të zhvendosur qendrën e gravitetit të organit më të lartë gjyqësor të SHBA në të djathtë.

Vdekja e RGB i ofroi kreut të Shtëpisë së Bardhë mundësinë e pabesueshme dhe që s’mund të lihet pas dore për të bërë emërimin e tij të tretë në Gjykatën e Lartë (pas Neil Gorsuch dhe Kavanaugh) përpara Election Day të 3 nëntorit.

Republikanët nuk humbën asnjë minutë, u rikpmpaktësuan për ta miratuar dhe drejtuesi i shumicës së Senatit Mitch McConnell u zotua ta vendosë menjëherë në votim, duke injoruar testamentin politik të Ginsburgut: “Dëshira ime më e zjarrtë është të mos zëvendësohem derisa presidenti i ri të marrë detyrën ”.

Beteja e paralajmëruar mbi fenë dhe abortin

Grand Old Party, me sa duket synon të paraqesë për shqyrtim nga Senati brenda fundit të tetorit dhe të caktojë seancën e konfirmimit brenda dy javëve të mëvonshme.

Seancat për Gjykatën e Lartë janë shumë të ndjekura në Amerikë: më shumë se 20 milion u sintonizuan përpara ekraneve të tv kur u zhvillua seanca për emërimin e Kavanaugh.

Si senatore dhe anëtare e komiionit të Drejtësisë, edhe kandidatja për zëvendëspresidencën Kamala Harris do të ketë gjithashtu mundësinë ta verë nën zjarr aspiranten për zëvendëse të RGB dhe të rikthehet në qendër të reflektorëve.

Kur dëgjoi vdekjen e Ginsburg, presidenti e patu quajtur atë “një titan të ligjit” dhe urdhëroi të uleshin flamujt në gjysëmshtizë në Shtëpinë e Bardhë. Të enjten ai shkoi për t’i bërë homazhe në hollin e Gjykatës së Lartë së bashku me first lady Melania.

Nuk kishte ndonjë simpati mes tyre, megjithatë Donald ka mbajtur një sjellje të pazakontë institucionale, duke u mjaftuar ‘thjesht’ duke vënë në dyshim vërtetësinë e dëshirave të saj të fundit. Ndërkohë, me sondazhet në duar, ai kërcente nga njëri shtet në tjetrin me një mesatare prej dy tubimesh në ditë. Me kundërshtarin demokrat Joe Biden, gara po shkon drejt fotofinishit.

Vetëm dje komandanti i përgjithshëm shkeli në Florida, Georgia dhe Virginia, me një ndalesë në Uashington për një mbledhje fondesh.

Sot në 17:00 pasdite (23:00 e mbrëmjes në Shqipëri), përveç ndonjë surprize të minutës së fundit, presidenti do të lançojë Barrett si të 9-ën e Gjykatës së Lartë, javët e fundit të fushatës zgjedhore do të jetë një përplasje epokale mbi fenë dhe abortin, përveç asaj midis “patriotëve të First Ameria” dhe “socialistëve” armiqve të vlerave të SHBA.

Ruth Bader Ginsburg, gjyqtarja e dytë femër e Gjykatës Kushtetuese në historinë Amerikane (pas Sandra Day O’Connor) ka qenë emëruar nga Bill Clinton në 1993.

E lindur në Brooklyn në 1933 nga prindër hebrenj emigrantë nga Rusia, ajo u diplomua në Cornell University, një nga nëntë studente femra të Harvard Law School në një klasë prej 500 meshkujsh në 1956.

Ginsburg ka qenë arkitektja legale e luftës për emancipimin femëror në vitet Shtatëdhjetë dhe bartësja e standardeve të lirive civile.

Trump ka premtuar emërimin në Gjykatën e Lartë të gjyqtarëve të cilët “automatikisht” do të përmbysnin vendimin historik të çështjes “Roe v. Wade” të vitit 1973 që sanksionoi të drejtën e abortit në Amerikë.

Emërimi i Barrett do të lexohet si një hap i mëtejshëm në këtë drejtim. Linja është e qartë dhe konfirmohet edhe nga një tjetër vendim: presidenti nënshkroi gjatë natës një urdhër ekzekutiv që e bën të detyrueshëm kujdesin dhe terapinë urgjente për të sapolindurit, duke ndaluar diskriminimin ndaj foshnjave të parakohshme (të lindura para 24 javë) ose me aftësi të kufizuara.

Studentja më e mirë e Scalia

E lindur më 1972, Barrett është me origjinë nga New Orleans, Louisiana. Ajo ndoqi një shkollë të mesme vajzash dhe më pas Rhodes College, përpara se të diplomohej shkëlqyeshëm në universitetin Notre Dame ku edhe ka dhënë mësim.

Konsiderohet versioni me fustat i Antonin Scalia, jurist italo-amerikan, ndër interpretuesit më konservatorë të Kushtetutës së SHBA, i cili ndërroi jetë në shkurt 2016, e të cilit ka qenë asistente ligjore.

Në 2012 nënshkroi një peticion kundër mbulimit të detyrueshëm shëndetësor të nga punëdhënësit që përfshihej në të famshmin Obamacare, gjithashtu për pilulat kontraceptive.

Në vitin 2013 deklaroi se “jeta fillon me ngjizje”. Barrett mendon gjithashtu se vendimet e Gjykatës së Lartë mund të anulohen.

Ajo kurrë nuk është shpreh në favor të anulimit total të së drejtës për abort, por ka theksuar nevojën për të vendosur më shumë kufizime për të vonuarit. Në nesërmen e konfirmimit në Gjykatën e Apelit të Qarkut të Shtatë Shtetit me bazë në Çikago (31 tetor 2017, me 55 po dhe 43 jo), New York Times zbuloi se Barrett ishte anëtare e organizatës “People of Praise”, një lloj sekti “ku anëtarët betohen për besnikëri me njëri-tjetrin” dhe ku mësohet “se burri është zoti i grave dhe autoriteti në familje”.

Si gjykatëse e Apelit ajo është treguar e pakompromis për të drejtën e mbajtjes së armëve dhe ka favorizuar një qëndrim të ashpër kundër emigrantëve, duke mbështetur administratën Trump, për shembull, në mohimin e lejes së qëndrimit (green card) të atyre që kërkojnë asistencë publike.

“Dogma jeton zhurmshëm brenda teje dhe kjo është burim shqetësimi kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme për të cilat njerëzit kanë luftuar për vite me radhë në këtë vend”, e sulmoi senatori demokrat Dianne Feinstein në 2017 gjatë seancës së konfirmimit në Gjykata e Apelit, duke e akuzuar se drejtohet nga besimi i saj katolik në vendimet ligjore.

Efekti i menjëhershëm ishte një bumerang, duke e kthyer atë në një heroinë të klerikëve konservatorë, edhe pse ajo e mohoi akuzën: “Unë kurrë nuk do t’i vendosja mendimet e mia personale mbi ligjin”.

Evangjelistët, një segment vendimtar i elektoratit të Trump, janë përpjekur shumë për emërimin e tij. Barrett do të ishte gjykatësja më e ri midis nëntë anëtarëve aktualë të Gjykatës së Lartë dhe gjurma e tij do të linte shenjë për breza të tërë.

Do të jetë ajo pra që do të zëvendësojë Ginsburgun? Duket se nuk ka më dyshime, por me Trump është gjithmonë mirë t’i lihet gjithmonë pak hapësirë dyshimit, befasisë, rrokapujës.

Trump ka cituar edhe kubanezo-amerikanen Barbara Lagoa si një kandidate të mundshme për të zëvendësuar, por nuk e ka takuar kurrë atë. “Nuk kam thënë që është Barret” është përmbajtur presidenti deri mbrëmë, duke mbjellur pak dyshime.

Është çështje orësh, sipari i Amerikës 2020 është i hapur, vdekja ka hyrë në skenën e Gjykatës së Lartë, jeta vazhdon “and the show must go on”.

Përgatiti për gazetatjeter.com, Dardan MITROVICA


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More