GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Nga Sebastian ZONJA –  “Kosova firmos tre marrëveshje ndërkombëtare – dy për pará borxh e një me Shqipërinë”

Portale të ndryshme të Kosovës dhanë një lajm me rëndësi këtë të mërkurë se Kuvendi kishte ratifikuar tre marrëveshje ndërkombëtare, ku në thelb dy ishin marrëveshje për marrje borxhi nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe tjetra ishte marrëveshje rutinore me Shqipërinë për ndihmë juridike falas.

Shqiptarët kanë kohë që nëpër media lexojnë sukseset e panumërta të ish-qeverisë Berisha dhe asaj Rama se është arritje e madhe marrja e borxheve nga BERZH-i, FMN-ja apo institucione të tjera. Sot, Shqipëria, me këtë propagandë mediatike të Berishës dhe Ramës, renditet ndër vendet me borxh shumë të lartë, teksa arsyetimi që përdoret kurdokohë është se ekonomia jonë vlerësohet lart nga këto institucione kredidhënëse, ndaj edhe na japin borxhe.

Por, në fund, Shqipëria është vend sovran dhe ka mundësi që ta menaxhojë disi situatën. Sa i përket Kosovës, po flasim për shtetin e dytë shqiptar që ka sovranitet të cunguar – financiar, ushtarak, administrativ dhe juridik – për shkak të Rezolutës 1244 dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare.

Që me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në raport me Serbinë, investimet e huaja në Serbi kanë qenë shumë më të larta se në Kosovë. Korrupsioni është një nga arsyet, jo parësori, por sepse Serbia ofron siguri juridike, Kosova ende. Si ka mundësi? Sepse, me vijimin e pafund të dialogut në Bruksel, Kosova rrezikon të kthehet në një konflikt të ngrirë në marrëdhëniet ndërkombëtare; teksa, me rikthimin e tezës së ridefinimit të kufijve, Serbia e vuri edhe një herë në diskutim shtetësinë e Kosovës.

Asnjë investitor i rëndësishëm nuk është i prirur që të hedh lekë në një vend ku nuk ka siguri për të ardhmen politike. Andaj edhe gjenden metoda alternative për të thithur investime, deri tek një nismë paksa e çuditshme ojq-iste, si ajo e “Fondit të Sigurisë” për FSK-në, ngjashëm me nismat kur Kosova ishte nën pushtim – Fondi i 3%-shit apo “Vendlindja Thërret”. Qeveria e Kosovës, faktikisht, nuk është organizatë çlirimtare si UҪK-ja, por kështu e kanë parë të arsyeshme zyrtarët e Kosovës.

Në takimin e para disa kohëve në Bruksel, Kurti shkoi dhe i dhuroi disa libra presidentit serb Vuçiç. Faktikisht, kemi nevojë më të madhe t’i zgjidhim problemet me Serbinë, se të merakosemi për bibliotekën e Vuçiçit.

Në fillim të mandatit të tij, Kurti do ta rendiste Dialogun si prioritet i gjashtë apo i shtatë, teksa sot, për shkak të luftës në Ukrainë, ka një vëmendje më të madhe euroatlantike për t’i dhënë udhë zgjidhjes së shtetësisë së Kosovës. Cila është strategjia për ta kapur këtë tren?

Vetë zyrtarja e lartë amerikane, Karen Donfried, para së cilës Kurti tha se për Amerikën jemi aleat që nuk pyesim pse, por si – jo sa, por kur, do ta vinte gishtin në plagë duke thënë se duhet prishur status-quo-ja e krijuar. Si do ta prishim këtë status-quo në dobinë tonë?

Renditja e dialogut si pikë e shtatë në planin qeverisës ishte ruajtje e status-quo-së.

Cila është strategjia e re për prishjen e status-quo-së? A ka një të tillë?

Kryeministri Kurti ndodhet këto ditë në SHBA, ku shkruan në Facebook se po negocion për investime nga gjigantët teknologjikë amerikanë në Kosovë. Çuarja përpara e zgjidhjes së problemeve politike do t’i afrojë edhe më shumë investitorët e rëndësishëm amerikanë me shqiptarët. Ka një vëmendje të shtuar të investitorëve amerikanë për Shqipërinë dhe Kosovën. Në Shqipëri është problem themelor prona. Problem që të gjitha qeveritë ja trashëgojnë njëra – tjetrës, ndaj edhe investitorë të rëndësishëm shpeshherë largohen. Ndërkohë, në Kosovë, e rëndësishme është që t’i jepet udhë zgjidhjes së shtetësisë. Serbët propagandonin për ç’njohje në vende të Afrikës e gjetkë duke thënë se ne akoma s’kemi caktuar kufijtë, ju doni ta njihni si shtet. Ndaj, zgjidhja e problemit të shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës është parësore.

Moldavia është sot një nga vendet më të varfra në Evropë, teksa njihet edhe si konflikt i ngrirë në marrëdhëniet ndërkombëtare për shkak të problemeve me Rumaninë dhe Transnistrian aty afër. Për shkak të këtyre problemeve, në Moldavi askush nuk shkon për të investuar. Qeveritë ndërrojnë njëra-tjetrën, dikush proevropian, dikush prorus, dikush internacionalist e dikush nacionalist, por problemi mbetet aty – Moldavia është vendi më i varfër në Evropë dhe qeveritë mburren pse FMN-ja e BERZH-i, kinezët apo rusët, i japin borxhe qeverive përkatëse.

Kosova nuk duhet të kthehet në një Moldavi, sepse sot shanset janë shumë të mëdha për të shkuar përpara me futjen në NATO, njohjen nga 5 vendet e BE-së apo një marrëveshje me Serbinë.

Politikanët e zgjuar krijojnë kushtet për t’i zgjidhur këto sfida. Nëse deri më sot kemi thënë të piqen kushtet, ka ardhur koha t’i kërkojmë politikanëve të tregohen të përgjegjshëm e të paraqesin strategji se si do t’i zgjidhin këto sfida.

  • Edi Rama thotë se “Ballkani i Hapur” është strategji për të zgjidhur disa prej këtyre problemeve, Albin Kurti thotë se nuk është. Larg propagandave partiake me të shitur e të blerë te serbi, pse është dhe pse nuk është?
  • Hashim Thaçi thoshte se ridefinimi i kufijve sillte njohjen e Kosovës, Albin Kurti e kundërshtoi. A e sillte apo jo?
  • Zajednica, sipas atyre që e firmosën dhe ratifikuan në Kuvend, ka detyrimin që Serbia të njohë mëvetësinë e Kosovës. E ka apo jo?

Albin Kurti erdhi në pushtet duke i kundërshtuar të gjitha këto projekte. Qytetarët e besuan dhe e votuan sepse, me këto projekte, sipas tyre, Kosova do të kishte më shumë dëme se përfitime.

Sot pyetja është: çfarë strategjie ka Kurti për t’i dhënë udhë zgjidhjes së sfidave që ka përpara Kosova?

  • Si do të zgjidhet problemi i Asosacionit?
  • Si do të shkojmë te njohja nga Serbia?
  • Si do të bëhemi pjesë e NATO-s?
  • Si do t’i liberalizojmë vizat?
  • Si do të bëhemi pjesë e BE-së?
  • Si do t’i ndihmojmë ata që sot janë në Hagë?
  • Çfarë strategjie ka për pavarësinë energjitike?
  • Si do t’i shtojmë investimet e rëndësishme të huaja? 

Meqë jemi te lajmi i mirë se Kosova është e lumtur pse ka marrë borxh nga BERZH-i, vlen të theksojmë se investitorët amerikanë dhe europianë nuk janë njëjtë si ata rusë apo kinezë. Nëse rusët dhe kinezët, në shumicë, investimet i kanë shtetërore dhe nuk kërkojnë shumë llogari për zinxhrin burokratik e korrupsionin, ndaj edhe çajnë në vende afrikane e të Lindjes së Mesme, investitorët europianë e amerikanë kërkojnë garanci të forta ligjore dhe politike, sepse janë privatë, e nuk kanë shtetin nga mbrapa siç e kanë rusët e kinezët.

Sot është një çast i mirë që Kosova t’i jap udhë zgjidhjes së problemeve politike, ku Amerika dhe BE-ja kanë vënë theksin te dialogu me qendër njohjen e ndërsjellë, e më pas të ndërtojë një ekonomi të fortë e të begatë për qytetarët e saj.

Argumenti që Vetëvendosja e përdor për të mos u bërë pjesë e “Ballkanit të hapur”, ku thotë se në fillim ishin marrëveshjet politike mes Gjermanisë dhe Francës, pas Luftës së Dytë Botërore, e më pas ato ekonomike, që krijuan një gjendje të mirë për investime në Evropë, vlen edhe për këtë rast.

Vetëvendosja krijoi një momentum të rëndësishëm në historinë politike të Kosovës duke sjellë në politikën zyrtare edhe ligjërimin sovranist e nacionalist, i cili ka munguar edhe në Shqipëri. Ky është një momentum që duhet ruajtur. Është i rëndësishëm dhe me kalimin e kohës do të merret shembull edhe nga parti të tjera shqiptare në troje.

Detyra që ka sot Kurti përpara është që këtë momentum ta sendërtojë në aksion politik për të çuar përpara Kosovën me liberalizimin e vizave me BE-në dhe anëtarësim në NATO, përndryshe do kërkojë sërish që të “vetëshkarkohet” nga LDK-ja si në qeverinë e parë.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More