Nga Sebastian ZONJA – Të ndryshojmë mendimet, por jo parimet
Në medie të ndryshme perëndimore ka debate për atë që po ndodh në Ukrainë, por askund nuk kam dëgjuar ndonjë apologji ndaj Putinit, vendimeve, akteve, veprimeve dhe sistemit të tij.
Kam dëgjuar kritika të forta dhe të zëshme për mosfunksionimin e sistemeve demokratike të vendeve të ndryshme, dhe se si Putini i shfrytëzon këto dobësi duke korruptuar politikanë dhe biznesmenë.
Vlen të theksohet se askush s’e ka mbrojtur publikisht pushtimin rus të Ukrainës, madje asnjë nga intelektualët elitarë.
Kanë qenë të shumtë ata që kanë vënë në dyshim propagandën boshe, që sikurse e thoshte bukur një italian – “kishte ditë që vriteshin vetëm ushtarë rusë, dhe shyqyr që të hënën u vranë në betejë edhe ca ushtarë ukrainas”.
Këtë lloj propagande sulmojnë nëpër të gjitha emisionet që shoh ata intelektualë që duan mendimin kritik dhe më të mirën për popullin e tyre. Ky është perëndimori, ai që shenjtëron mendimin kritik, jo fenë, ngjyrën e racën.
Ka apologjetë të paguar në Perëndim dhe plot të tjerë të Kim Jongut, që shkruajnë se gjoja në Korenë e Veriut është gjithcka falas dhe se qytetarët atje janë më të lumturit në botë. Ekstremistët e të gjitha ngjyrave vdesin për këto libra dhe argumente.
Por ka edhe asi intelektualësh që zhbirilojnë dokumente për të treguar kompleksitetin e situatës, sikurse Bruce Cumings, për shembull, meqë po flasim për Korenë e Veriut të izoluar totalisht nga bota. Se cilin zgjedh të mbështesësh – propagandën apo analizën, kjo është personale!
Njëjtë edhe për Rusinë – atë që të tregon Pomeratsevi, Sorkini dhe intelektualët rusë, apo atë që të jep Putini, Lavrovi dhe oligarkët.
Në Francë, për shembull, në vazhdën e debateve, ishte në intervistë ish-ministri i Jashtëm, që tha se ka patur një dakordësi xhentëlmenësh për moszgjerimin e NATO-s drejt Lindjes. Është ky një debat që qarkullon prej kohësh dhe tema në fjalë është cekur nga studiuesi i famshëm i marrëdhënieve ndërkombëtare John Mersheimer, kur thotë se “Perëndimi ka fajet e veta në raport bme Ukrainën”.
Këto janë debate që hapen herë pas here, sepse në qendër të mendimit në Perëndim është bisedimi dhe rrahja e mendimeve të ndryshme. Ndërkohë, vlen të theksohet se parimi kryesor është se nuk duhet të shkelet sovraniteti i një vendi tjetër.
Mendimin mund ta ndryshosh, por parimin jo.
Këtu tek ne jemi ende në kohën e Enferrit – me dashuri për sovjetikët dhe me urrejtje për imperialistët; bardhë, ose zi.
Bukur e shkroi Blendi Farizi një status për këtë situatë: “Reagimi i shqiptarëve për Ukrainën nuk është një reagimi empatik i një të vogëli për një të vogël tjetër, që sulmohet nga një i madh; por një reagim prej interesaxhiu i një të vogëli, që përkrah një të vogël tjetër, që sulmohet nga një i madh, për hir të një të madhi tjetër. Pra, është thjeshtë çështje interesi për veten, e jo çështje empatie për tjetrin si vetja”.
Rusia mbetet dhe do të jetë Fuqi e rëndësishme botërore, që ka parë edhe më keq se kaq. Ajo ka sulmuar një vend sovran me arsyetimin se po ruan interesat e veta strategjike, që, për rrjedhojë, çdo vend që është fqinj me Rusinë druhet dhe fillon ta pyesë veten mirë, se, ku i dihet, një ditë ndofta ndryshon doktrina e sigurisë dhe Rusia mund ta pushtojë edhe atë siç bëri me Ukrainën, për çka gjeti plot sebepe.
Ky është problemi me sistemet autokrate dhe diktatoriale. E argumentonte bukur Viktor Hygoi kur fliste kundër monarkisë dhe Luigjit:
– Çohet një ditë me dhimbje barku Luigji dhe shkon e pushton Belgjikën! Ç’kusur kanë francezët dhe belgët e gjorë pse i dhemb barku mbretit.
Kështu edhe kjo punë, duke i hequr këta “gjithologët” e konspiracionit me Soros e çifutë, del se një rend me vetëm një njeri të gjithëpushtetshëm në krye, krijon një situatë të atillë për shtetin e qytetarët që s’e kupton ku është duke shkuar.
Unë i kuptoj të dashuruarit me Rusinë e mrekullueshme dhe popullin fantastik rus, se vetë jam i marrosur pas artit e letërsisë ruse, por i përçmoj me forcë apologjetët e Putinit. Ata janë fundërrinat e kësaj shoqërie, apologjetë të çdo krimi, korrupsioni, përdhunimi, apologjetë të krimeve kundër çamëve, kosovarëve, dhe që për pak karrierë e para shesin shpirtin.
Sot, me trishtim, vërejmë se një pjesë e madhe e konservatorëve e asociojnë mendimin e tyre me atë të ish-Presidentit amerikan Donald Trump. Sepse edhe ai përzieu mirë fuqinë e një personi me atë të nacionalizmit dhe fesë.
Problemi është se Trump-i nuk ka ndonjë mendim që duhet vlerësuar. Nuk mund të gjej ndonjë mendim politik aty brenda.
Po, ka deklarata të forta që ia kanë shkruar ekspertët e fushës dhe duhen rilexuar të gjitha për të parë se ku çalon rendi ndërkombëtar sot. Ai ishte pa doreza, dhe nga fjalimet e tij mund të kuptojmë shumë.
Nëse sot themi se J. Biden-i është i ngathët por ka eksperiencë, Trump-i është ai tipi që pyeti nëse Finlanda është pjesë e Rusisë, apo jo. Këtë s’duhet ta harrojmë! Është ngjashëm me këta hidraulikët në uzinën e tankeve që flasin për inxhinerinë gjenetike të vaksinave kundër Covid-it.
Konservatorizmi i reduktuar në disa emra që nuk thonë asgjë, është bjerrje e mëtejshme e vlerave fisnike që bart kjo ideologji.
Për sa kohë lexojmë përditë se gjatë presidencës Trump nuk pati pushtim të ndonjë vendi tjetër prej Rusisë, duhet të themi se ishte ky president që hoqi sanksionet për pushtimin e Krimesë. Kjo duhet të mbahet mend, sepse pushtimi i Krimesë ishte lëvizje tektonike në Diplomacinë ndërkombëtare, madje shpesh herë e cilësuar si “11 shtatori” i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ishte Trump-i ai që, edhe pse u pushtua Krimea, e kërkoi Rusinë në G7. Dhe, siç e thotë këshillëtari i tij John Bolton, “… kur i thoshim për sanksione më të forta, ai na thoshte se po tregoheshim shumë të ashpër”. Pra, mund të themi se Trump-i nuk e kuptonte rëndësinë e çështjes në fjalë.
Nuk duhet të harrojmë edhe dy deklarata të forta që sollën reagim publik të ndoca aleatëve perëndimorë në NATO, që deklaronin: nuk kemi pse të hyjmë në luftë për Malin e Zi dhe NATO nuk është ajo që duket dhe Amerika mund të tërhiqet.
Të tilla qëndrime janë dritëshkurtësi politike, teksa mohon dhe verbalist mund të shembësh edhe kolonat mbi të cilat qëndron fuqia e vendit tënd. Është njësoj siç thoshin disa nga politikanët tanë para 2008-ës se “nuk ka ndonjë ndryshim nëse Kosova është e pavarur, apo nën suazën e autonomisë nën Serbi”.
A është injorancë, a është tradhti ndaj interesave të vendit tënd, këtë e gjykojnë më së miri vetë qytetarët!
Më shqetëson përherë e më shumë injoranca e thellë tek disa qytetarë që mendojnë se luftën e fiton Ukraina ngaqë tanket ruse s’kanë naftë, kur dihet se Rusia është eksportuesja e dytë më e madhe në botë e naftës.
Injoranca është mallkimi më i madh që na e la trashëgim diktatura dhe mbetet aleati më i madh i shumëkujt prej nesh që ka një tastierë në dorë dhe një mikrofon përpara.