GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Një kontinent i mobilizuar

Ludovic Lamant, Mediapart, Francë

Nuk protestohet vetëm në Francë. Protestohet edhe në pjesën tjetër të Evropës. Për shembull në Spanjë, në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani

Për të justifikuar reformën e pensioneve, qeveria franceze këmbëngul të përdorë të njëjtin argument: në Evropë francezët janë të privilegjuar, në shumë vende mosha e daljes në pension është mbi 64 vjeç. Presidenti Emmanuel Macron u ndje i detyruar, gjatë një interviste televizive, të komentonte mbi një tabelë të gazetës Le Parisien që shkonte në atë drejtim. Por nuk është e thënë që loja e krahasimeve europiane të përforcojë fjalët e tij. Prej muajsh në të gjithë kontinentin janë shumëfishuar kërkesat për paga të lidhura me inflacionin, për shembull gjatë grevës së 27 marsit në Gjermani. Por jo të gjitha qeveritë evropiane, përfshirë ato të djathta, reagojnë në të njëjtën mënyrë. Nuk tregojnë të njëjtën kundërshti ndaj kompromisit të Elysee kur thirren në kauzë nga lëvizjet shoqërore. Mobilizimet e fundit sindikaliste i kanë dhënë frytet e tyre. E dëshmojnë shembujt e ndryshëm.

Në mbrojtje të shëndetit publik

Në Spanjë, mjekët e përgjithshëm dhe pediatër dolën në grevë në mbrojtje të shëndetit publik. Protestat, duke përfshirë edhe një në shkurt, mbushën rrugët e Madridit. Rajonet, të cilat menaxhojnë shërbimet shëndetësore dhe drejtohen kryesisht nga e djathta, më në fund u hapën për negociata. Në mes të marsit u firmos një marrëveshje në komunitetin autonom të Madridit, të qeverisur nga konservatorja Isabel Díaz Ayuso, e cila parashikon një rritje prej 450 euro në muaj për punonjësit e shëndetësisë dhe një tavan për numrin e konsultimeve ditore. Edhe dhjetë rajone të tjera kanë arritur marrëveshje të ngjashme.

Situata është më komplekse në Mbretërinë e Bashkuar, e cila që nga vera e 2022 po përjeton valën më të madhe të grevave në pesëdhjetë vitet e fundit. Mobilizimet përfshijnë kategori të ndryshme punëtorësh, ndër të cilët punëtorët e hekurudhave, infermierët dhe postierët. “Për shkak se shumë nga këto sulme mbështeten nga opinioni publik, kryeministri konservator Rishi Sunak po fiton mbështetje duke zgjedhur dialogun në vend të konfrontimit”, ka shkruar New York Times.

Janë duke u zhvilluar negociata me punonjësit e postës, mësuesit, shoferët e ambulancave dhe infermierët, të cilët kërkojnë që pagat e tyre të përshtaten me inflacionin. E njëjta gjë vlen edhe për sektorin e transportit. Në atë shëndetësor, qeveria propozon rritje me 5 për qind nga prilli, si dhe disa bonuse për periudhën e mëparshme: një shifër ende më e ulët se norma e inflacionit (mbi 11 për qind në fund të 2022), por që dukej e pranueshme pasi ka shenja të ngadalësimit të rritjes së çmimeve.

Gjermania është shembulli i tretë. Në nëntor, sindikata e metalpunuesve IG Metall përfundoi një akord që parashikon një rritje pagash prej 8.5 për qind në dy vjet për 3.9 milionë të punësuarit në sektorin elektrometalurgjik. Nga ana tjetër, më të ndërlikuara duken diskutimet për shërbimet dhe transportin, të nisura që në janar. Sindikata e shërbimeve (Ver. di) dhe ajo e punonjësve publikë (Dbb) kërkojnë rritje prej të paktën 10.5 për qind për 2.5 milionë punonjës publikë. Sindikata e punëtorëve të hekurudhave (EVG) kërkon një përmirësim prej 12 për qind për 180,000 punëtorët e Deutsche Bahn, kompania shtetërore e hekurudhave.

Ky kuadër është larg të qenit shterrues. Në Portugali po zhvillohen mobilizime, veçanti për të drejtën e strehimit. Krahasimet ndonjëherë janë të rrezikshme, por besojmë se mund të thuhet se gjendja e dialogut social, e ndërprerë në Francë, është shumë më e gjallë në vendet e tjera evropiane./ Përgatiti Dardan MITROVICA

Ju gjithashtu mund të pëlqeni