Nuk ka Lager pa Gulag (2)
Pas kësaj fraze të historianit gjerman Nolte është një listë e gjatë analogjish, konvergjencash dhe ngjashmërishë historike, ideologjike, taktiko-politike dhe sociale midis Komunizmit dhe Nacionalsocializmit. Dy kundërshtarë të egër që ngjanin më shumë se sa shoqëria është e gatshëm edhe sot e kësaj dite ta pranojë
A nuk është kurioz fakti që shpesh ata që ëndërrojnë për një botë pa kufinj, kur kthejnë kokën për të parë pas, duan që çdo fenomen të jetë i përpunuar nga të tjerët? Megjithatë, nëse ka një terren ku “multikulturalizmi”, funksionon ai terren është Historia ku kënetat dhe “tokat e ndërmjetme” janë rregulli. Një botë disi e çmendur – sepse është e bërë nga njerëz – e ku, shekull pas shekulli, gjithçka ngatërrohet dhe kushtëzohet me njëra-tjetra, madje edhe në rastet më të padyshueshme. Ashtu si Historia e Nacionalsocializmit dhe e Komunizmit: dy fenomeneve që, përveç bashkëjetesës së përkohshme, duket se gjithçka i ndan, madje kontraston qartësisht. Por dallimet rrënjësore që i ndajnë historikisht Leninin dhe Stalinin nga Hitleri nuk kanë penguar shumë fije, të padukshme ose pothuajse, të bashkojnë kokfortësisht të dy fushat përmes njerëzve, ideve, projekteve dhe manifestimeve sindikaliste, shumë përpara mbërritjes së Paktit të famshëm Ribbentrop-Molotov të gusht 1939.
Dhe kjo është temë për një libri gjigand mijëra faqesh e më shumë. Këtu do të na duhet të shpejtojmë pak më shumë, nëpërmjet kujtimeve, të cilat, në fund të fundit, do të na ndihmojnë për të pasur një panoramë padyshim më të plotë të asaj që kanë qenë marrëdhëniet kulturore dhe ideologjike përpara atyre diplomatike midis komunistëve dhe nacionalsocialistëve. Marrëdhëniet që u varrosën për një kohë të gjatë si për interesin e të dy palëve deri në 1945 dhe më pas prej vullnetit të totalitarizmit të mbijetuar – atij sovjetik – nga atëherë e deri më sot. Një historian i madh francez, François Furet (1927-1997), ish-komunist, vërejti se për dekada të tëra ka ekzistuar një tabu historiografike që “ndalonte kritikën ndaj komunizmit dhe kuptimin e fashizmit në perëndim”. Ndër të parët që theu atë tabu – duke paguar pasojat me demonizim – ishte në vitet gjashtëdhjetë, historiani gjerman Ernst Nolte (1923-2016). Nolte në vitin 1966 shkroi një artikull të famshëm në të përditshmen gjermane Frankfurther Allgemeine Zeitung ku ai paraprinte tezat e tij me një pyetje, padyshim retorike: “Vrasjet klasore të bolshevikëve a nuk ishin precedenti logjik dhe faktik i vrasjeve racore të nacionalsocialistëve?”. Por kjo është vetëm njëra nga fijet që lidhin komunizmin me nacionalsocializmin, dy dukuri që janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Më shumë …
Gjithnjë Nolte – e më pas edhe të tjerë bashkë me të – argumentuan se megjithëse rrënjësisht antibolshevik, Hitleri dhe nacionalsocializmi kishin marrë shumë nga përvoja leniniste që u kishte paraprirë atyre për disa vjet. Nolte ka thënë, në rastin e Hitlerit drejt Bolshevizmit të parë, për “imitim armiqësor”: urrejtjen për hebrenjtë (të akuzuar në të njëjtën kohë se ishin magna pars e nomenklaturës sovjetike dhe simbol i një lloj kapitalizmi spekulativ) duke zëvendësuar atë për kapitalistët, me një temë aq të dashur për Socializmin, domethënë me atë të luftës së të shtypurve kundër shtypësve. Hitleri nuk ishte më pak armiqësor ndaj shoqërisë borgjeze sesa Lenini apo Stalini dhe zbatoi metoda të ngjashme për të rimodeluar shoqërinë e masave që duhej për të mbështetur Rajhun e Tretë: “Kemi të bëjmë me një interpretim tërësisht të deformuar të historisë së shekullit XX – ka shkruar historiani gjerman në librin e tij “Controversie” – për ata që nuk duan të shohin në krimet e nacionalsocializmit imazhe si në pasqyrë të krimeve të mëparshme të bolshevizmit, për ata që nuk duan të njohin në përmasat dhe tragjedinë e nacionalsocializmit kundërveprime, të vona dhe të detyruara, në madhështi dhe tragjedi të Bolshevizmit”.
Shkurt pra, Nacionalsocializmi, si reagim radikal ndaj Komunizmit, nga i cili, që në fillim të viteve 1920, frikësohej – ashtu si edhe shumë pjesë të tjera të Evropës dhe më gjerë – nga përhapja në Gjermani e gjithë furisë së tmerreve të tij revolucionare.
Por nuk ka patur vetëm anë të kundërta pak a shumë spekulative midis dy fenomeveve: kishte edhe nga ata që imagjinonin se mund të ecnin krah për krah dhe jo vetëm në nivel diplomatik dhe ushtarak , siç na bën të mendojmë pakti Ribbentrop-Molotov. Nacionalsocializmi, si çdo lëvizje tjetër politike, nuk ishte një shpirt vetmitar, por kishte shumë shpirtra, edhe pse në minorancë. Një prej tyre u mishërua nga vëllezërit Gregor dhe Otto Strasser, dy shpirtrat kryesorë të “nacionalsocializmit të majtë”. Ajo që duhet kuptuar për “nacionalsocializëm të majtë” sugjerohet nga disa momente në biografinë e më të riut nga dy Strasser, nga Otto (1897-1974) i cili në periudhën e pasluftës së parë, pikërisht në muajt kur Hitler hynte në të porsalindurën NSDAP, Partinë nacionalsocialiste, militonte në të majtë. Pas fare pak kohësh, edhe ai do të bashkohej gjithashtu me Partinë nacionalsocialiste, por jo para se ta njihte, për shembull, një nga liderët më të rëndësishëm bolshevikë: Grigorij Evseevič Zinov’ev (1883-1936), figurë e dorës së parë në lëvizjen bolshevike deri sa Stalini e eliminoi gjatë njërit prej “spastrimeve” të tij të famshme. Është Zinoviev ai që ndikoi tek Oto Strasser dhe ta bindte atë në mirësinë e Revolucionit bolshevik në atë pikë saqë Otto, pasi u bë udhëheqës nacionalsocialist dhe anëtar i grupit më të ngushtë të bashkëpunëtorëve Hitlerit në mesin e viteve 1920, përpiqet të çojë partinë drejt pozicionimit haptazi të majtë dhe drejt një hapje ndaj BRSS. Për më tepër, emri i plotë i partisë nacionalsocialiste a nuk ishte ai i Partisë nacionalsocialiste të punëtorëve gjermanë? Otto Strasser nuk është vetëm: bashkë me të janë, për shembull, i vëllai Gregor, përgjegjës për organizimin e nacionalsocialistëve, dhe Ernst Röhm, kreu i SA, skuadrat e sulmit të partisë. Por është edhe njëfarë Joseph Goebbels, në atë kohë sekretar i Gregor Strasser, ministër i ardhshëm i propagandës së Rajhut të Tretë, por në ato vite shumë i tërhequr nga modeli bolshevik. Më 1926, në kongresin kombëtar të NSDAP, Strasserët paraqitën një program që propozonte nacionalizimin e mjeteve të prodhimit, uljen e pronës private e madje edhe një aleancë me Bashkimin Sovjetik.
Një organizatë e bazuar në modelin e sovjetëve dhe e drejtuar kah një bashkëpunimi strategjik me marksistët për një kthesë antikapitaliste nuk ishin tema mbi të cilat ishte e mundur të hasje konvergjenca të mëdha me Hitlerin. Dhe në fakt konvergjenca nuk pati: nëse Goebbels, me një kthesë të shpejtë, e braktisi të majtën e partisë për t’u bashkuar me Hitlerin, vëllezërit Strasser mbetën në pozicionet e tyre duke u margjinalizuar gjithnjë e më shumë derisa i larguan nga partia. Por momenti i larjes së llogarive midis Hitlerit dhe krahut të majtë të Nacionalsocializmit do të vinte vetëm në qershor 1934 (Nacionalsocializmi ishte tashmë në pushtet prej një viti e gjysmë) me të famshmen “Nata e Thikave të Gjata ” gjatë së cilës edhe ra Röhm, i fundmi i nacionalsocialistëve të majtë i mbetur në krye të NSDAP. Por diçka vëllezërit Strasser (edhe Gregor u vra gjatë “Natës së Thikave të gjata” ndërsa Otto mundi të arratisej jashtë vendit) kishin mbjellë pavarësisht gjithçkaje: sado episodik mbetet emblematik një fakt i ndodhur në nëntor 1932, pra kur dy vëllezërit de facto jashtë partisë që kishin kontribuar dhe bërë që të rritej dhe tre muaj pas emërimit të Hitlerit si Kancelar i Reich. Në Berlin, midis 3 dhe 7 nëntorit 1932, pati një grevë të transporteve ku ra në sy bashkëpunimi midis komunistëve dhe nacionalsocialistëve, të bashkuar në neverinë ndaj sindikatave me frymëzim socialdemokrat. Ngjarja, simbolikisht shumë interesante dhe tragjike në zhvillimin e saj (në pesë ditë katër të vdekut, 47 të plagosur dhe 583 arrestime), u rindërtua me një punë shumë të detajuar nga historiani Klaus Rainer Röhl në vitin 2008 që ka shkruar në “L’Occidentale”: “Megjithë përshtypjen se kemi të bëjmë me një ngjarje e kufizuar në kohë dhe hapësirë, në realitet ato fakte dhe tema kanë një rëndësi të madhe: gjithçka ndodhi pak përpara dhe gjatë atyre që do të zbuloheshin si zgjedhjet e fundit demokratike para ngjitjes në pushtet të Hitlerit. (…) Nëse për dymbëdhjetë vjet ishte regjimi nazist ai që nuk dëshironte të hidhte dritë në atë grevë, pas vitit 1945 situata u përmbys: regjimi komunist i RDGJ-së nuk mund të vlerësonte kujtesën e asaj ngjarjeje paradoksale. (…) Në atë nëntor të ’32, pra, komunistët e KPD-së dhe nazistët e NSDAP u gjendën për herë të parë duke bashkëpunuar në një veprimtari të përbashkët militanteske, nga e cila rridhte një sinjal preçiz politik: të dy kundërshtarët e republikës weimeriane, pavarësisht pozitave të pakapërcyeshme ideologjike, nuk patën asnjë skrupull në planifikimin e një aksioni të përbashkët me synim përmbysjen e rendit demokratik. I një rëndësie jo të vogël për të dy ishte aspirata për të “shkatërruar” rezistencën e sindikatave (afër socialdemokratëve) dhe për të fituar konsensus midis proletarëve dhe berlinezëve të papunë. Në fund të fundit, edhe pe një bashkëjetesë dukej krejtësisht e paimagjinueshme për të gjithë, nga zgjedhjet e korrikut 1932, në Reichstag ishte formuar një shumicë e kuqe-errët”.

Gjithnjë përsa i përket kësaj grevë, historiani dhe ish-diplomati Sergio Romano ka kujtuar (“Corriere della Sera” 27 tetor 2007) se urrejtja për socialdemokratët, hegjemonë në politikën e Weimar-it, i bashkonte shpesh nacionalsocialistët dhe komunistët, ku këta të fundit, midis të tjerash, nuk ia falën kurrë liderit socialdemokrat, Friederich Ebert, kreu i qeverisë në janar 1919, shtypjen e pamëshirshme të revoltës spartaciste të drejtuar nga komunistët Karl Liebknecht dhe Rosa Luxemburg, të dy të vrarë nga ushtria. Të vrarët e vitit 1919 nuk u harruan asnjëherë nga komunistët gjermanë që mbetën armiqësor ndaj hipotezës së një fronti të madh të së majtës me socialdemokratët kundër nazistëve. Pikërisht për këtë Romano ka shkruar: “Kur kancelari Schleicher, gjatë atyre muajve [von Schleiter ishte në detyrë nga 2 dhjetori 1932 deri më 30 janar 1933], i kërkoi kolonelit Eugen Ott një plani emergjence mbi mundësinë e një sulmi ndaj institucioneve, bashkëpunëtorët e tij imagjinuan një veprim të përbashkët nazi-komunist të ndërlidhur nga ndonjë ndërhyrje polake. Të dy partitë së bashku kontrolluan tetëmbëdhjetë milion vota dhe ishin në gjendje të mobilizonin një pjesë të mirë të elektoratit të tyre. Nuk ka asgjë befasuese në këtë bashkëpunim. (…) Partia Komuniste Gjermane shpesh u bë, në parlament, objektivi aleat i nacionalsocialistëve në betejat që të dy partitë zhvilluan kundër Republikës së Weimarit, Paktit të Locarnos dhe politikave të stabilizimit ekonomik të të cilave socialdemokratët në ato vite ishin protagonistët e guximshëm. Është e dobishme të kujtohet se sa ngjashmëri kishte midis dy partive. (…) Teksa socialdemokratët rroknin konsensuse në rritje në pjesën më të arsimuar dhe të specializuar të proletariatit industrial, komunistët dhe nazistët peshkonin ndjekës midis punëtorëve të pakualifikuar, të papunëve dhe nënproletariatit të qyteteve të mëdha. Midis nazistëve dhe komunistëve, në disa zgjedhje, pati një shkëmbim të votave. Ishin armiq, por i thithnin besnikët e tyre nga të njëjtat grupe shoqërore dhe mbi të gjitha ata kishin të njëjtin armik: socialdemokracinë. Ishte pothuajse e pashmangshme që rrethanat t’i shtynin në shumë raste të bashkëpunonin për të njëjtin qëllim. Sigurisht, asnjëri prej tyre nuk do të kishte hezituar, pas humbjes së socialistëve, për të hequr qafe shokun e udhëtimit. Është kjo ajo që bënë nazistët menjëherë pas marrjes së pushtetit”.
Por nëse është e vërtetë që nga njëra anë ishte Hitleri ai që bllokoi formalisht çdo përpjekje për rrëshqitjen majtas të nacionalsocializmit, është po aq e vërtetë që Führeri tregoi nga ana e tij më shumë se një anë të tij “të majtë” siç dëshmohet nga një biografi e shkruar nga historiani anglez – ligjëron në Universitetin e Kembrixhit – Brendan Simms: “Hitler: Only World Was Enough”. Për nazistët, madje edhe për nacionalsocializmin, kanë qarkulluar një sërë legjendash që historiografia e fundit i ka lënë mënjanë. Për shembull, shpesh dëgjojmë që Hitleri ishte “nacionalist”. Dhe se nacional-socializmi ishte një lëvizje politike “e djathtë”. Dhe se projekti evropeist është krejt kundërta e atij nacional-socialist. Këto legjenda janë zhbërë nga shumë studime ku veçohet biografia e fundit çër Hitlerin e historianit Brendan Simms. Biografia e Hitlerit ka të ngjarë të shkaktojë shumë zhurmë, duke pasur parasysh ndikimin e tij të fortë revizionist dhe qëllimin për të vënë në diskutim afirmimet e zakonshme në lidhje me figurën e Führerit. Afirmimi i parë i zakonshëm është ai i obsesionit të Hitlerit për hebrenjtë dhe sllavët. Sigurisht, Simms nuk e mohon antisemitizmin e Hitlerit, por, ai e lidh atë me një tjetër këndvështrim: me antisemitizmin si antikapitalizëm. Hitleri i Simms ishte një përkrahës i antisemitizmit biologjik dhe atij shoqëror; si aktorë të kapitalizmit, Hitleri i urren hebrenjtë. Sepse në realitet, ja dhe afirmimi i dytë i përgjithshëm që zhbën ai, Hitleri i urren kapitalistët dhe kapitalin, ai e përkufizon veten dhe ndihet “socialist”, sigurisht një socialist gjerman që lufton kundër atij hebre dhe internacionalist të bolshevikëve. Edhe këtu, ideologjia antikapitaliste e Hitlerit është më pragmatike sesa ajo e eksponentëve të të “majtës” nacional-socialiste, të cilën ai e shtypi pa mëshirë. Por vetëm sepse, me një cinizëm dhe realizëm jo shumë të ndryshëm nga ai i Leninit dhe i Stalinit, Hitleri kishte kuptuar se duke u privuar nga aleanca me kapitalistët ai nuk do të ngjitej kurrë në pushtet. Projekti gjeopolitik i Hitlerit nuk konsistonte në kontrollin e botës, por në dëshirën për t’u bërë padron i Evropës si një hapësirë jetike e shtrirë deri në Rusi. Ky gjigant ekonomik dhe gjeografik duhej të garonte me hegjemoninë anglo-amerikane në botë, duke u lidhur vetëm me lojtarin aziatik, pra Japoninë. Mund të tregohemi keqdashës, por Simms vazhdon të rreshtojë faqet e tij, veçanërisht ato kushtuar luftës, me citate ku Hitleri duket se kërkon më shumë Evropë: në fund të fundit janë të njohura projektet nacionalsocialiste për krijimin e një monedhe të vetme, një Euro-Marke dhe eliminimin e të gjitha barrierave doganore dhe madje edhe kufijve midis shteteve të ndryshme që do të krijonin një Perandori të re, Reich-in e katërt. Ja pse është e gabuar ta quash Hitlerin nacionalist: ai nuk arsyetonte aspak për ndarje shtetërore të përbëra nga një ose më shumë etnike, por lëvizte mbi një hapësirë perandorake, një perandorie të re të përcaktuar nga dominimi etnik i racës ariane, me Berlinin si qendër, dhe një hierarki preçize të racave dhe nën-racave. Dhe ja pra së fundmi se pse nuk është e drejtë të quhet Hitleri si i “djathtë” dhe aq pak konservator. Sigurisht, konservatorët dhe e djathta gjermane e mbështetën atë në ngjitjen e tij në pushtet, por më pas u përpoqën pa sukses për të frenuar ndikimin e tij, deri në përpjekjen për ta vrarë, duke qenë se komploti i Trëndafilit të Bardhë buronte nga qarqet ushtarake dhe të nacionalizmit gjerman.

Dhe këtu rikthehen spekulimet midis Nacionalsocializmit dhe komunizmit, dy modele perandorake që synonin të ndërtonin realitete mbikombëtare, bazuar mbi një koncept të saktë ideologjik: një objektiv që për nacionalsocialistët ishte “Euro-Aziatik” ndërsa për komunistët ka qenë gjithmonë, si e tregon e gjithë historia e shekullit XX, mbarëbotëror. Afinitetet midis këtyre dy modeleve totalitare mund të shihen edhe në paktin Ribbentrop-Molotov: Atë pakt, shtypi dhe kultura perëndimore, të hegjemonizuara nga një kulturë me origjinë marksiste dhe komuniste, gjithmonë shtiret se nuk e mbante mend dhe vazhdon të ‘harrojë’. Por ai pakt nuk kishte të bënte vetëm me dy diktatorët. Ishte një pakt që përfshinte regjime, parti, aparate, propagandë. Dhe shtrihet shumë përtej Bashkimit Sovjetik dhe gjithë Internacionales Komuniste.

Ishte e turpshme madje e neveritshme kthesa që komunistët evropianë bënë me antifashizmin militant që nga Luftën e Spanjës me spastrimet e disidentëve antinazistë, me qarqet që nxitonin të mbyllnin çdo armiqësi midis të kuqve dhe zinjve dhe të shikonin me simpati kah Gjermania naziste që po përgatitej të sulmonte kombet kapitaliste. Për meritë të studimeve të viteve të fundit është zbuluar se si përtej fakteve dhe prapaskenave historike (dhe mes këtyre nuk duhet të harrohen kontaktet e fshehta midis Gjermanisë dhe Rusisë edhe pas sulmit nacionalsocialist të qershorit 1941 deri të paktën më 1944), pakti mes Rajhut të Tretë dhe BRSS sanksionoi një “afërsi” të caktuar në nivelin e ideve. Duke shkruar për Gjermaninë totalitare, Simone Weil vërejti se si parullat e nacionalsocialistëve dhe ato të Komunistëve ishin pothuajse identikë dhe këtë ai e pati vënë re që përpara paktit: “nuk mund të mohohet ekzistenca midis komunistëve e një farë simpatie ndaj hitlerianëve… Shpesh krijohet përshtypja se punëtorët komunistë dhe punëtorët nacionalsocialistë në diskutimet e tyre përpiqen më kot të gjejnë një pikë mosmarrëveshjeje … Nën terror të plotë hitlerian, mund të dëgjoheshin hitlerianë dhe komunistë tek qaheshin së bashku për momentet në kur ata luftonin, siç thashnin, krah për krah, domethënë në kohën e plebishitit të kuq; mund të dëgjohej një komunist duke bërtitur: “Më mirë nazist se socialdemokrat” “. Tek “Origjinat e totalitarizmit”, Hannah Arendt nënvizon konvergjencat midis Nazizmit dhe Komunizmit, admirimin e Hitlerit për “gjenialin Stalin” dhe kujton se si Hrushovi kishte thënë: “Stalinit i besonte vetëm një njeriu, dhe ky ishte Hitleri” “.
Por nuk kanë qenë vetëm Simone Weil dhe Hannah Arendt (le të mos harrojmë se ajo ishte dishepull dhe e lidhur sentimentalisht me filozofin Martin Heidegger i cili u bashkua me regjimin e Hitlerit). Sipas Pierre Chaunu “Nazizmi dhe Komunizmi janë “binjakë heterozigotikë” ndërsa Francois Furet theksonte “afërsinë e patreguar” dhe bashkëpunimin ideologjik. Në “Le malheur du siècle”, Alain Besancon, vëren se Rusia komuniste dhe Gjermania naziste të përbashkët fjalën lager. Ky përdorim, siç dihet, nuk ishte vetëm verbal. Komunizmi dhe nazizmi ndanin premtimin për të mirën absolute në tokë. Nazizmi kishte një pasion estetik, magjik dhe natyralist ndërsa komunizmi ka një pasion etik, historik dhe materialist. Nazistët premtuan për t’i ridhënë bukurinë botës, komunistët premtuan të jepnin mirësi në botë. Komunizmi vret për mirë, është pedagogjik dhe i detyron viktimat e tij që të zhvillojnë brenda tyre rregullat e reja morale; për këtë arësye, shton Besancon, është më pervers se nazizmi. Aq pervers sa “parimi i realitetit është parimi moral që të mund t’i mbijetojë 85 milion kufomave”, ndërsa ideja naziste u nënshtrohet viktimave të saj. Të nazistët, në përputhje me veçantësinë e saj, është e kufizuar mizorisht mbi një armik të veçantë (hebrenjtë dhe pakicat e tjera të shënjestruara); Komunizmi, në përputhje me universalizmin e tij, është vizioni ndëshkues i shtrirë mbi njerëzimin.
Të gjithë mund të bëhen viktima të komunizmit, ata që mbrojnë familjen, atdheun, fenë ose pronën madje edhe vetë komunistët “devijantë”, anarkistë dhe “socialtradhtarë”. Armiku i komunizmit është i përgjithshëm dhe i papërcaktuar, armiku i nazizmit është specifik dhe i përcaktuar. Frika në regjimet komuniste është universale, të gjithë denoncuar të gjithë. Prandaj, vëren Besancon, komunistët “kanë nevojë për mbylljen absolute të kufijve, për të mbrojtur sekretin e varreve të tyre, të dështimit të tyre”. Në fakt, Komunizmi shembet me globalizimin. Komunistët e kontrollojnë informacionin në mënyrë kapilare, deri në “zëvendësimin e realitetit me një pseudorealitet”.
Dhe është ai pseudorealitet që i ndalon ende shumë njerëz për të parë – dhe për të pranuar – atë që Historia tashmë e ka treguar qartësisht, në një mënyrë të pamëshirshme por të paanshme: atë që dallimet nuk i njehsojnë dukuritë, por ndodh që t’i bashkangjiten analogjive. Për të konfirmuar një rregull absolut: realiteti është gjithmonë për dreq i ndërlikuar dhe nuk mbyllet lehtë me ndonjë formulë të diktuar nga deformime ideologjike apo politike.

Vijon