- SPONSOR -






- SPONSOR -

Pakti Meta-Berisha: Të hiqet Tirana nga duart e Veliajt!

Marrëveshja mes Berishës dhe Metës përshkohet nga filli i betejës së fortë që pritet në fushatën e Tiranë me synim nxjerrjen e Erjon Veliajt nga zyra e Bashkisë.

“Groposje politike e “zdromsit” të Tiranës në Sharrë” ishte zhargoni me të cilin Berisha shpalli këtë synim të marrëveshjes, duke e shndëruar Erion Veliajn shënjestrën kryesore të koalicionit opozitar për 14 Majin.

Berisha e përmendi Tiranën 19 herë gjatë konferencës, ndërsa e konsideroi Veliajn si “figurën më obskure që ka drejtuar bashkinë e Tiranës”, të cilit “me ligj i takon të jetë në qeli”, por që në fakt lëviz rrugëve të kryeqytetit si “mashtrues” dhe “ordiner”.

Objektivi “Veliaj” në marrëveshje

Që fushata e opozitës për 14 Majin do të ketë prioritet Bashkinë e Tiranë u kuptua edhe nga detajet e marreveshjes se nenshkruar.

Hartuesit e marëveshjes kanë pasur në mendje Tiranën në pikat 4 dhe 5, kur angazhohen për transmetimin e seancave të hapura publike për vendimet e Këshillave Bashkiake dhe Bashkive, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale.

Njësoj për kryeqytetin duket se është edhe pika 6, që flet “për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve”. Kjo e fundit vjen pas akuzave të shumta ndaj Veliajt për dhënien e një numri rekord të lejeve për kompanitë e ndërtimit.

Objektivi “Rama” në marrëveshjen PD-PL

Sali Berisha tha se qëllimi i parë i marrëveshjes ishte “shkallmimi i absolutarizmit të Edi Ramës” përmes zgjedhjeve të 14 Majit. Planet politike shkojnë përtej kësaj date.

Nëse kandidati i opozitës fiton Tiranën, premisat për zgjedhjet e ardhshme parlamentare ndryshojnë katërcipërisht. Kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme do të ishte e legjitimuar.

Pikërisht për këtë, Berisha e quajti marrëveshjen e sotme me Metën si “fillimin e fundit të regjimit absolitar të Edi Ramës dhe Erion Veliajt”.

“Përgëzimet” për kandidaturën e parë për Tiranën

Kandidati i opozitës për Tiranën do të vendoset nga votimi i antarësisë. Por pak minuta para se Berisha dhe Meta të dilnin në konferencë me gazetarët, Belind Këlliçi shpalli ambicien përmes raportimeve mediatike.

Natyrshëm, gazetarët pyetën Berishën për kandidaturën e saposhpallur dhe ai u përgjigj: “Këlliçi ka shprehur dëshirën, është një nga ata që ka shprehur dëshirën dhe unë e përgëzoj plotësisht, siç përgëzoj secilin personalitet të partisë ose shoqërisë civile që vendos të provohet në garë për qytetar të parë të Tiranës apo funksione të tjera”.

Janë të pakta gjasat që Këlliçi t’ia ketë rrëmbyer rastësisht “përgëzimet” publike Sali Berishës, përmes një surprize të përgatitur në prapaskenë.

Kandidatura tjetër e përfolur është ajo e mjekut Ilir Alimehmeti, që prej ditësh ka intensifikuar komunikimin me demokratët. Ndërsa në sfond të Alimehmetit janë qëndrimet parimore përgjatë ditëve të vështira të pandemisë, Këlliçi konsiderohet si kandidati politik i opozitës.

Si i tillë, caktimi i emrit të tij përballë Veliajt paralajmëron një fushatë të polarizuar dhe me ngarkesë të fortë politike.

Ju mund të pëlqeni edhe