Paolo Maldini: legjenda, flamuri dhe kapiteni. Simbol i përjetshëm Milanit

Nga Edi DELIU – Maldini debuton me Milanin më 1985: ku do të luajë për 25 vjet, duke fituar gjithçka, si drejtues ishte protagonist i rikthimit të Djallit në majë të Serie A

Për shumë kemi të bëjmë me mbrojtësin më të mirë në historinë e futbollit, ose të paktën njëri nga më të mirët që ka ekzistuar ndonjëherë. Paolo Maldini ka qenë padyshim një legjendë e flamur i Milanit dhe i kombëtares azurre, skuadra me të cilat ka qenë edhe kapiten për një kohë të gjatë.

I djathtë natyral, por i zoti për të goditur me të dyja këmbët, afirmohet si mbrojtës i majtë modern, me cilësi të jashtëzakonshme teknike nën zotërim. Ishte në gjendje të garantonte në të njëjtën kohë mbulim të madh mbrojtës dhe një shtytje të vazhdueshme në krah, në sajë të mjeteve të rëndësishme fiziko-atletike dhe inteligjencës taktike që e karakterizonin.

Specialist i goditjeve dhe i artit të paraprirjes, është konsideruar një kampion ekzemplar për profesionalizmin dhe aftësinë për të menaxhuar trupin e tij, elemente që i mundësuan të ishte gjithnjë në nivele të larta, deri në kufirin e 41 vjeçëve, duke kaluar shpesh, kohëve të fundit të karrierës, në rolin e qendërmbrojtësit.

Nëse në nivel klubesh ka fituar gjithçka, duke e lidhur emrin e tij pazgjidhshmërisht me historinë e Milanit, më e pafat ishte aventura e tij me Italinë, me të cilën nuk arriti të fitonte asnjë trofe, duke përfunduar i dyti në Botërorin USA ’94 dhe i treti në atë të Italia ’90, si dhe i dyti në edicionin 2000 të Evropianit. Tërheqja nga Kombëtarja më 2002 e pengoi të merrte pjesë në fitoren e mëpasme të Botërotit 2006.

NË ORIGJINËN E LEGJENDËS

Paolo Maldini lind në Milano, më 26 qershor 1968. Fëmija e katërt i Çezare dhe Marialuiza Mazukeli, i regjistruar në zyrën e gjendjes civile si Paolo Çezare, është një fëmijë i vërtetë arti, pasi edhe babai i tij ka qenë një shtyllë dhe kapiten i Milanit të madh të Rokos. Dashuria e Paolinos për futbollin, siç e quajnë të gjithë, është absolutisht e parakohshme.

“Nga 6 deri në 10 vjeç – do të tregojë ai në disa raste – kam qenë praktikisht çdo ditë duke luajtur futboll. Sporti më ndihmoi të rritesha si burrë dhe si futbollist”.

Baba Çezare e kupton që Paolo është realisht i prerë për futbollin, kështu në moshën 10-vjeçare i ofron një audicion.

“I them Paolos: “Ku do të të pëlqente të luaje? Në Milano me Milanin, apo me Interin?” – rrëfen – Ai më thotë: ‘Me Milanin’”.

Audicionin e bën me Fausto Braga, mjeshtër futbolli dhe talent skaut rosoner.

“Roko, i cili gëzonte konsideratën më të madhe te Milani, më telefonoi dhe më tha në dialektin triestin: “Dëgjo Fausto, nëse të pëlqen, merre, por nëse nuk të pëlqen, mos e shiko faktin që është djali i Çezares”.

Më 12 shtator 1978, baba Çezare e çon Paolo në audicion me Milanin.

“Braga më pyet se në çfarë roli luan Paolo. “Epo, nuk e di, shihe vetë”, i përgjigjem. Dhe ai më thotë: “Ta vendosim në krahun e djathtë”, “Ok”, i thashë. Dhe u largova, nuk ndenja ta shihja audicionin”.

“Kam kujtime të forta nga ajo ditë, – do të tregojë Paolo – Në mëngjes shkova me mamanë tim në Corso Buenos Aires për të blerë këpucë të reja. Një palë Valsports me një shirit portokalli. Erdha si lojtar rruge, bëra audicionin dhe vesoj se shkoi mirë”.

Mes atyre që vëzhgojnë djaloshin është edhe Françesko Zagati, një bashkëpunëtor i të Rinjve rosonerë të viteve Shtatëdhjetë.

“Djali ishte i zoti – do të kujtojë – kishte cilësi që për dikë që nuk kishte luajtur kurrë futboll ishin të shkëlqyera. Braga i tha: “Por, skuadra jote kush është?” Dhe Paolo përgjigjet: “Unë nuk luaj futboll”. “Dhe ku ke mësuar?” pyeti Fausto. “Kam mësuar në qendrën e të rinjve”, thotë ai”.

“Kundër rregullave të klubit, ky trajner, zoti Braga, më detyroi të firmos kartelën madje pa kërkuar as leje në klub. – do të rrëfejë Paolo – do t’i jem gjithmonë mirënjohës. Mendoj se klubi, sidoqoftë, bëri një aferë të mirë që të mori”.

DJALI I ÇEZARES

Maldini nis kështu karrierën e tij në të Rinjtë rosonerë. Pashmangshmërisht, emri i tij bashkangjitej me atë të të atit dhe nuk është e lehtë edhe për dikë si Paolo, përballë shumë paragjykimeve, të tregonte se është atje për meritë, jo me rekomandim.

“Te të Rinjtë, edhe në fusha periferike, dëgjoja shpesh emrin tim të lidhej me atë të babait tim. – do të thotë kapiteni i ardhshëm – por besoj edhe se ishte një gjë normale: luaja me një fanellë të rëndësishme, me atë të Milanit dhe babai im pati qenë një lojtar i rëndësishëm. Tashmë një presion i tillë ekszistonte edhe pse unë thjesht po mendoja të luaja si çdo djalë adoleshent”.

Maldini nuk i kushton rëndësi zërave dhe shquhet si një nga elementët më premtues në të rinjtë e Milanit. Në sezonin 1984/85, edhe pse ishte vetëm 16 vjeç, kalon në skuadrën Primavera të Fabio Kapelos, me të cilin fitoi Kupën e Italisë së kategorisë, duke mundur në finale Torinon e Serxhio Vata.

“Isha kapiteni i Primaverës – rrëfen ‘Billi’ Kostakurta – dhe ai vjen, shumë i turpshëm, shumë introvers. Natyrisht skuadra shihte tek ai të rekomanduarin, djalin e Çezare Maldinit”.

“Ishte dy vjet më i vogël se djemtë e tjerë, – kujton Kapelo – por unë vazhdova të bëja të luante. Edhe duke parë që jo të gjithë ishin të bindur.”

Pavarësisht vështirësive mjedisore, Maldini arrin t’u tregojë të tjerëve, edhe një herë, se nëse është aty, është sepse e meriton.

“Në momentin kur zbriti në fushë – thotë Kostakurta – e kuptuam të gjithë menjëherë që nuk ishte një i rekomanduar, por ishte aty sepse ishte i zoti”.

Edhe Nils Liedholm, trajneri i Skuadrës së Parë, vëzhgonte me kureshtje dhe vëmendje ecurinë e mbrojtësit të ri. Në fillim të 1985-ës, skuadra milaneze u shkatërrua nga dëmtimet e shumta, dhe, kur u dëmtua edhe Mauro Tassoti, ‘Baroni’ i habiti të gjithë duke vendosur të grumbullonte në Skuadrën e Parë Paolon për ndeshjen jashtë fushe kundër Udinezes.

“Isha vetëm një fëmijë që po përgatitej të bëja grumbullimin e parë me një skuadër profesionistësh, – kujton. – Kisha një përzierje emocionesh dhe frike. Nuk e kisha menduar kurrë se mund të debutoja kaq shpejt me një ekip të Serie A”.

Është e dielë 20 janari 1985 dhe Paolo zë vend në pankinë, me fanellën me numrin 14 mbi supe dhe me pak mundësi për të hyrë në fushë, meqenëse mund të bëheshin vetëm 2 zëvendësime. Është një pasdite me temperatura veçanërisht të ftohta në Friuli, dhe krah tij janë ulur dymbëdhjeta Nuciari, Ferrari, Çimino dhe Xhiunta.

Një gol i Selvaggi i kalon friulanët në avantazh në minutën e 11-të. Mirëpo kur skuadrat shkojnë në 15 minutat e pushimit, ndodh që edhe një problem tjetër për një tjetër lojtar rosoner, Sergio Battistini.

Liedholm i drejtohet Maldinit: “Ku luan zakonisht?”. Paolo e kapërcen drojën: “Në të djathtë mister”. Atëherë trajneri suedez e pyet: “A ndihesh gati?”. Përgjigja është pa pikë hezitimi: “Po, absolutisht”. Kështu, “Baroni” e nxjerr Maldinin në nxemje dhe ai që shumë e njihnin ende si “Djali i Çezare” bën debutimin e tij në Serie A duke luajtur si mbrojtës i djathtë përkrah dy qendërmbrojtësve Baresi dhe Di Bartolomei dhe me mbrojtës të majtë Luixhi Ruso.

“Pata emocione shumë të forta, të gjitha në 5-6 minutat e para. Por sapo preka topin e parë, një pasim mbrapa për portierin Terraneo, loja vijoi gjithnjë e më zgjidhur për mua. Ishte momenti që kuptova se mund të bëhesha nëj futbollist. Më parë më dukej një Botë shumë e largët, nuk mendoja se mund të luaja me kampionë”.

Paolo luan mirë dhe në minutën e 63-të vjen edhe barazimi për rosonerët, falë anglezit Hateley, i zoti për të përfituar nga një rinisje nga gjuajtja e lirë e Di Bartolomei. Për mbrojtësin e ri, në fund të ndeshjes, shumë komplimente, duke filluar nga Xhani Rivera, ish shok skuadre me baba Çezare-n.

“Isha shumë i kënaqur me debutimin e tij, sepse hyri në fushë pa asnjë frikë. Kur hyri bëri një ndeshje të madhe dhe shpresoj që të mund të përsërisë karrierën e të atit”.

“Paul ka një të ardhme të madhe”, janë fjalët e Liedholm. Dhe nuk gabohej.

Nis kështu saga e kampionit të madh rosoner, që për pjesën e mbetur të sezonit rikthehet të luajë në Primavera. Atë e vëren edhe Vujadin Boskov, aso kohe trajner i Ascolit, që ia kërkon zyrtarisht presidentit Kostantino Rozi. Ky i fundit nis një negociatë, por është Liedholm ai që vendos veton: Paolo do të qëndrojë te Milani.

Duke filluar nga sezoni i mëpasshëm, 1985/86, iu bashkua në mënyrë të përhershme Skuadrës të Parë rosonere dhe luan si një qendror me këmbë të majtë krah Barezit, nga i cili u përpoq të mësonte sa më shumë. Ka nderin të mbulojë kampionët e mëdhenj të Serie A të kohës, mbi të gjithë Diego Armando Maradonën. Mirëpo, këto janë vite ndryshimesh për klubin rosoner, i cili rrezikon falimentimin. Më 10 shkurt 1986, Silvio Berluskoni blen klubin nga Xhuzi Farina, me objektivin e deklaruar për ta ngrutur Milanin në majën e botës së futbollit.

Duke nisur nga 1986/87, Paolo u rreshtua në krahun e majtë të mbrojtjes dhe në atë rol ai do të bëhej, brenda pak vitesh, më i miri në botë. Më 4 janar 1987, djaloshi rosoner merr edhe kënaqësinë e golit të tij të parë në Serie A, që erdhi me një tap-in nga afër dhe i dhuron Milanit fitoren kundër Komos (0-1) në stadiumin Sinigalia.

“Pata për një herë në jetën time instinktin e sulmuesit. Më dha një gëzim të pamatë, nga ai moment e deri në fund të ndeshjes, nuk kam kuptuar asgjë”.

Ndërkohë, Paolo hyn në rrethin e Italia Under 21, e drejtuar pikërisht nga i ati, Çezare. Para se ta grumbullojë, ish-mbrojtësi e paralajmëron: “Çfarë do të thonë gazetarët nëse të thërras?”.

Por mbrojtësi rosoner tashmë është mësuar: “Mos u shqetëso, kujdesem unë”. Maldini vesh për herë të parë fanellën azurre më 12 nëntor 1986. Në Fontanafredda, në provincën e Cuneo miqësorja me Austrinë përfundon 0-0. Atë fanellë do ta mbajë për 2 vjet, duke grumbulluar 12 paraqitje dhe shënuar 5 gola, të cilave i shtohet edhe një paraqitje në Olimpiko në tetor 1987 (2-0 ndaj Greqisë në Arexo).

“I mbijetova edhe kësaj”, do të komentojë.

Maldini shënoi edhe në çerekfinale kundër Francës së Blansh dhe Kantona, por kjo nuk mjafton. Transalpinët imponohen 4-3 në përballjen e dyfishtë duke fituar më pas edhe turneun.

MIDIS ‘TË PAVDEKSHMËVE’ TË SAKIT DHE KAPELOS

Viti i kthesës për historinë e Milanit dhe për karrierën e Paolo Maldinit ishte 1987/88. Pas ndarjes me Liedholm, dhe sezonit të sapopërfunduar me Kapelo në stol dhe një vend të 5-të të pushtuar me thonjtë falë play-off-it të UEFA-s me Sampdorian, Berluskoni ia besoi stolin një trajneri ‘emergjent’, Arrigo Sakit.

 “Ndikimi i parë nuk ishte shumë i lumtur. – do të tregojë Paolo për ‘DAZN’ – Duke mos e njohur personalisht, më takon gjatë kohës që isha me miqtë e mi në Sardenjë. Më thotë: ‘I dashur Paolo, më duhet të të them që je në pikëpyetje”. Në moment i kërkova shpjegime: “Çfarë do të thuash?”. Dhe Saki: “Je në pikëpyetje, duhet t’ia arritsh të kuptosh nëse dëshiron të bëhesh futbollist apo playboy”. “.

Në fund të fundit, Paolo ka një fizik të shkëlqyer, është një metër e 86 centimetra i gjatë dhe 77 kilogramë dhe ka një fytyrë si aktor Hollivudi. Vajzat çmenden për të. Por përgjigja për Sakin nuk vonoi.

 “Zotëri, do të doja të bëhesha futbollist, por nuk e di çfarë di ti për mua”.

Mbrojtësi i ri ishte ndër të parët që mësoi rregullat e futbollit të ‘Profetit të Fusignano’, të bëra nga pressingu, loja ofensive dhe jashtëloja. Maldini është mbrojtës i majtë i një mbrojtjeje të destinuar të bëhet legjendare, me Tasotin në të djathtë dhe Filipo Galin (i cili do të zëvendësohet me Kostakurtën në vitet që do pasojnë) dhe Barezin në qendër. Skuadra, që ka kampionët e saj të sulmit Gulit dhe Van Basten (por ‘Mjellma e Utrechtit’ do të mungojë për shkak të dëmtimit për pjesën më të madhe të vitit) fillimisht has nëpër vështirësi, eliminohet nga Kupa UEFA, por klubi e rikonfirmon trajnerin dhe në kampionat nis gjuetie ndaj Napolit të Maradonës.

“Saki e përjetonte futbollin si një obsesion. – do të rrëfejë mbrojtësi – Qoftë edhe me koston e ripërsëritjes së vetvetes, gjërat për ne u bënë automatike, na mbetën, me kalimin e kohës. Patëm përmirësime të mëdha në përgatitjen fizike dhe mentalitet”.

“Revolucioni ishte total – rrëfen ai në “Sky Sport” – Stërvitje, mënyra për t’u kuptuar, për të kuptuar dhe përjetuar futboll, përkushtim, le të themi… 24 orë në 24, edhe pse unë nuk isha shumë dakord, por bëmë edhe në nivel fizik gjëra që skuadrat e sotme nuk i bëjnë absolutisht. Kur vinte e enjtja, apo e premtja thoja: “Nuk mund të luaj të dielën, jam i sigurt që nuk mund të luaj”. Sepse ndjehesha krejtësisht i dërrrmuar, ashtu si dhe të tjerët. Pastaj, mbërrije të shtunën, para ndeshjes dhe filloje të ndiheshe mirë, kjo përsa i takon lodhjes. Dhe të dielën kishim forcë të pabesueshme. Atyre viteve, ishte një skuadër edhe shumë e fortë fizikisht”.

Pas humbjes në tavolinë ndaj Romës për shkak të një fishekzjarri që pati goditur Tankredin, Milani futi marshin dhe korri pesë fitore rresht. Ndër to, veçanërisht e rëndësishme është përplasja e drejtpërdrejtë e 3 janarit 1988 me Napolit,, që i sheh rosonerët të imponohen 4-1 ndaj axurrëve. Maldini është nga më të mirët dhe përfundimisht çlirohet edhe nga etiketa e rëndë e ‘Djalit të Çezares’, për të qenë, nga ai moment, thjesht Paolo mbrojtësi anësor i rosonerëve.

Kampionatin 1987/88 e ndan një fije teli, dhe edhe një herë është determinante përballja e drejtpërdrejtë që do të luhet në San Paolo më 1 maj 1988. Rosonerët, pavarësisht golave ​​nga Maradonës dhe Karekës, imponohen dhe fitojnë 3-2 me një dygolësh të Virdis dhe një gol nga Van Basten, duke fituar titullin më 15 maj nëpërmjet një barazimi 1-1 në Komo. Është trofeu i parë profesionist i fituar nga Maldini në moshën 20-vjeçare. Në palmaresin e tij do të rreshtojë edhe 25 të tjerë. Në qershor, rosonerët fitojnë edhe Superkupën e parë të Italisë duke mundur 3-1 Sampdorian.

1988/89 është viti i të parës Kupë Kampionesh, që përkon me ardhjen e Frenk Rajkard. Pas mjegullës në Beograd, falë së cilës u bë e mundur që ndeshja kundër Crvena Zvezdës të përsëritej, rosonerët, të cilët një ditë më parë ishin në vështirësi të mëdha, zotëruan ndeshjen dhe fitojnë me penallti, dhe nga ai moment e më tej dominojnë, duke shkatërruar Real Madridin në gjysmëfinale dhe dërrmuar 4- 0 Steaua Bukureshtin në finalen e Barcelonës. Maldini është gjithmonë dhe është një nga lojtarët kyç.

Skuadra e Sakit nuk ndalet më: vijnë njëra pas tjetrës e para Superkupë Evropiane, duke mposhtur Barcelonën në përballjen e dyfishtë dhe Kupa Ndërkontinentale kundër kolumbianëve të Nacional de Medellin në dhjetor të po atij viti. Maldini fiton ‘Çmimin Bravo’ si i riu më i mirë Under-21 i Evropës. Por më 1989/90 nuk mungojnë edhe disa vështirësi: Maldini shënon një autogol të bujshëm kundër Lacios në kampionat, Skudeto avullon në minutën e fundit me ‘Fatal Verona’ dhe mer rrugën për në Napoli. Djalli ‘bie’ edhe në Kupën e Italisë, e cila sheh Juventusin e Zofit të triumfojë në finalen e dyfishtë.

Por djemtë e Sakit nuk e lënë t’i ikë nga dora edhe një herë objektivi evropian: duke kapërcyer Bajernin e Mynihut falë rregullit të golit në fushën kundërshtare në gjysmëfinale, më 23 maj 1990 fitojnë të dytën Kupë Kampionesh rresht duke mposhtur ngushtësisht Benfikën, me një gol të Rajkardit dhe një paraqitje të madhe mbrojtëse. Lind legjenda e të ‘Të Pavdekshmëve’.

1990/91 është një vit emocionesh të përziera për Paolon me shokë. Mbërrin e dyta Superkupë evropiane rresht, duke fituar kundër Sampdorias, dhe e dyta Kupë Ndërkontinentale, në fitoren spektakolare 3-0 kundër paraguajanëve të Olimpia Asunción më 9 dhjetor.

Sidoqoftë, vjen edhe zhgënjimi i madh në Kupën e Kampionëve: në çerekfinale, rosonerët gjenden përballë Olimpikut të Marsejës, që barazon 1-1 në San Siro dhe fitojnë ndeshjen e dytë 1-0 në Velodrome, përpara se të fiken prozhektorët dhe a.d. Adriano Galiani e fut skuadrën në dhomat e zhveshjes. UEFA, për këtë vendim të drejtuesit milanist merr masë dhe ia jep fitoren 3-0 në tavolinë francezëve, duke i skualifikuar kampionët në fuqi të Evropës edhe për vitin pasardhës nga garat evropiane.

Ndërkohë që Maldini gjen te anglezi Kris Uadëll një nga kundërshtarët më të vështirë që ka hasur në karrierën e tij.

 “Mua më bezdisnin ata që lëviznin topin dhe lëviznin me trup, dhe ai më detyroi të tërhiqesha në gjysmën time të fushës gjatë gjithë ndeshjes. – do të rrëfejë – Është ndër ata që kam vuajtur më shumë, bashkë me Shevçenkon në stërvitje dhe me Roko Paganon e Peskarës”.

Pavarësisht sezonit jo fort të shkëlqyer për rosonerët, pikërisht më 1990/91 Maldini, që pësoi edhe dëmtimin e parë të madh të karrierës së tij (thyerja e klavikulës, që e detyroi të qëndronte për një muaj e gjysmë jashtë fushe, nga mesi i dhjetorit deri në fillim të shkurtit), vendosi rekordin e tij absolut për gola të shënuar sezonalë në Serie A: do të jenë 4 në fund të turneut (Torino, Kaljari, Piza dhe Juventus, viktima).

“Më pëlqente të sulmoja – do ta pranojë – edhe pse marrëdhënia midis rasteve të pasura dhe golave ​​të shënuar është sigurisht e dobët. Por në ëndrrën e çdo fëmije, gjëja më e bukur është sigurisht të shënojë gola”.

Epoka Saki merr fund dhe Paolo gjen në pankinë atë Fabio Kapelo, i cili para pak vitesh e pati lançuar skuadrën Primavera. Edhe me trajnerin friulian, Maldini është një nga shtyllat e mbrojtjes dhe në fillim të viteve ’90 arrin nivele shumë të larta në rendiment. Futbolli i Kapelos është më pak obsesiv në presing, por më racional dhe Milani bëhet një makinë pothuajse e përsosur.

Dominon në Itali, duke fituar 3 kampionate rradhazi, nga 1991/92 deri më 1993/94 dhe 3 Superkupa të Italisë (1992, 1993 dhe 1994), ndërsa në Evropë fatet e alternuara ndjekin njëra-tjetrën: në 1993 në Mynih vjen humbja më e hidhur, finalja e humbur edhe një herë me macen e zezë Marsejë (1-0 për francezët me goli të Bolit), vitin e mëpasshëm ndjek gëzimi i madh të fitores në Athinë kundër Barcelonës së Johan Krujfit (4-0).

Baresi dhe Kostakurta janë të skualifikuar, për në këtë rast Maldini vepron si qendror në krah të Filipo Galit, luan një ndeshje të madhe dhe tregon edhe një herë se mund të mbulojë çdo rol mbrojtës. Në fund të 1994, shpallet mbrojtësi i parë në histori, si “Lojtari i Vitit” nga revista “World Soccer”. Paolo ngjitet edhe në vendin e 3-të në klasifikimin përfundimtar për Topin e Artë pas Stoiçkov dhe Roberto Baxho.

Në atë moment është padiskutim mbrojtësi më i mirë në Botë, pasi kishte aplikuar për vite me rradhë mësimet e Baresit dhe u tregoi të gjithëve, përveç cilësive të padiskutueshme, edhe cilësi të pakundërshtueshme lidershipi.

Ndërkaq Djallit, i rrëshqasin për duarsh Superkupa Evropiane 1993, e humbur kundër Parmës së Nevio Skalës, dhe Kupa Ndërkontinentale e të njëjtit vit, në të cilën Milani merr pjesë si zëvendësues i Marsejës së pezulluar (fiton San Paolo për 3-2). 1994/95 ishte sezoni i shpërthimit të Juventusit të Lipit, që shënon kalimin nga një futboll më teknik në një futboll më fizik.

Skuadra e Kapelos përfundon në vendin e 4 në kampionat dhe në Champions League pëson një tjetër humbje në finale nga Ajax (1-0 për holandezët me golat e ishit Rajkard), një ndeshje në të cilën rosonerët mbërrijnë në kushte fizike jo optimale dhe me sulmin e reduktuar deri në kockë. Shkon keq edhe në Ndërkontinentale, ku munden befasisht 2-0 nga argjentinasit e Velez Sarsfield.

Megjithatë, ‘Të Pavdekëshmit’ rosonerë e kishin gati shpagimin më 1995/96: mbërritja, ndër të tjera, e Xhorxh Ueah dhe Roberto Baxhios i rikthen gjallërinë sulmuese skuadrës milaneze, e cila dominoi kampionatin. Për Maldinin në fund të sezonit është Kampionati i pestë në karrierë. Në moshën 28-vjeçare është gati të marrë trashëgiminë e Franko Barezit dhe të bëhet kapiteni i ri.

VITET E ERRËTA DHE TRASHËGIMIA E BARESIT

Kur mbërrin majat absolute, dihet, është shumë e lehtë të rrëzohesh. Dhe është pikërisht 1996/97 një nga vitet më të vështira të të gjithë karrierës së Paolos. Fillimisht me Tabarez dhe më pas Sakin, rosonerët përjetojnë një sezon të trazuar i cili nis me humbjen në Superkupën e Italisë ndaj Fiorentinës dhe mbyllet me një eliminim të parakohshëm në Champions League dhe një vend të 11 në kampionat.

Paolo risente di alcuni problemi fisici e viene continuamente spostato di ruolo, il che non lo aiuta ad avere un rendimento costante. Il punto più basso della stagione è l’umiliante 6-1 subito in casa contro la Juventus di Lippi, che il 6 aprile 1997 a San Siro fa il bello e il cattivo tempo.

Paolo vuan nga disa probleme fizike dhe spostohet vazhdimisht nga roli i tij, gjë që nuk e ndihmon për të patur një rendiment të vazhdueshëm. Pika më e ulët e sezonit është humbja poshtëruese 6-1 e pësuar në shtëpi me Juventusin e Lipit.

Dorëzimet me ‘Kaizer Frankon’ bëhen vitin pasardhës, 1997/98, pas tërheqjes figurës historike.

“I imi do të jetë një angazhim me përgjegjësi të madhe – do të deklarojë Maldini – veçanërisht këtë vit sepse ka shumë lojtarë të rinj. Sidoqofte, jam i lumtur, kam pasur një mësues të madh për 10 vjet. Shpresoj të kem marrë nga Franko ndonjë nga aftësitë e tij”.

Rikthehet Kapelo, por edhe një herë, falë një sërë gabimesh në fushatën e blerjeve, rosonerët nuk shkojnë përtej vendit të 10-të në kampionat. Mbrojtja përfundon sërish në qendër të furtunës dhe kritikat nuk kursejnë as kapitenin e ri.

 “Vitin e fundit tek Milan kemi bërë fjalë, pothuajse duke vënë duart mbi njëri-tjetrin. – do të zbulojë Paolo për ‘Sky Sport’ në ‘I Signori del calcio’ – Nuk më respektoi, mendonte se e kisha tradhtuar. Por nuk ishte ashtu. e urreva për disa muaj. Pas gjëja kaloi me kohë”.

Sidoqoftë rosonerët arrijnë në finalen e Kupës së Italisë, por edhe një herë nuk arrijnë ta fitojnë: e fiton Lacio e Erikson.

TRASHËGIMTARI I CABRINIT: NGA EURO ’88 NE KORE-JAPONI 2002

Paralelisht me atë në Milano, është më e shkëlqyer karriera e Maldinit në kombëtare. Pas përvojës me U-21, Axelio Viçini e bën të debutojë më 31 mars 1988 në Split në miqësore kundër Jugosllavisë (1-1) dhe impakti i tij është menjëherë pozitiv. Trajneri i përvijon rolin e trashëgimtarit të Kabrinit dhe pasi teston edhe napolitanin Francini, vendos t’i besojë krahun e majtë të Kombëtares dhe e grumbullon për në Euro ’88.

 “Pas vetëm 3 ndeshjesh fitova pozicionin e titullarit. – kujton ai – Në Evropian luakta menjëherë pas debutimit kundër Gjermanisë dhe në ndeshjen e dytë u gjenda menjëherë përballë një kampioni si Mishel, një nga lojtarët më me emër në turne, midis liderëve të Spanjës”.

Më shumë se 40 gazetarë, në konferencë për shtyp, pyesin nëse një i ri si ai do t’ia arrijë ndonjëherë të mbulojë një lojtar ekspert si mesfushori i Shigjetave të Kuqe.

“Paolo e nxorri plotësisht jasht loje, – tregoi Viçini – dhe pavarësisht se ishte mësuar të luante në zonë, e mbuloi atë në të gjithë fushën. Michel thuajse nuk e preku topin fare dhe ne fituam 1-0 me një gol të bukur të Vialit”.

Italia del në gjysmëfinalen kundër BRSS, megjithatë për Paolo është ngushëllimi i përfshirjes në 11 më të mirët e edicionit. Maldini përjetoi më pas parantezën pozitive të kombëtares ushtarake, me të cilën më 1989 pati fituar kampionatin botëror ushtarak së bashku me shokë skuadre si Roberto Mançini.

Botërorët Italia ’90 dhe SHBA ’94 do t’i dhurojnë mbrojtësit kujtime të ëmbla dhe të hidhura njëkohësisht: zhvillon ndeshje të mëdha, duke përfunduar në 11 më të Mirë të të dy turneve, por nuk arrin të fitojë asnjë Kupë Bote: Azurrët do ta mbyllin në vendin e tretë me Viçinin, duke u mundut në gjysmëfinale me penallti nga Argjentina, dhe të dytët me Sakin, duke humbur sërish nga pika e bardhë e penalltive me Brazilib. Gjërat nuk shkuan më mirë as në Euro ’96, ku Italia u eliminua që në fazën e grupeve.

Paoli Maldini merr pjesë edhe në Botërorin Francë ’98 me babanë e tij Çezare si trajner dhe në Kore e Japoni 2002 nën drejtimin e Xhovani Trapatonit, duke u bërë kapiten dhe rekordmen absolut për minutat e luajtura në Botërorë, plot 2216. Gëzimet e fundit në kombëtare datojnë në Euro 2000, kur azurrët e Dino Zof arrijnë në finale, por dorëzohen kundër Francës nëpërmjet Golit të Artë – Golden Goal. Edhe një herë Paolo është në 11 më të Mirët e turneut.

Më 7 tetor 2000, duke zbritur në fushë kundër Rumanisë në Meazza, me 113 paraqitje bëhet përkohësisht më i pranishmi në Kombëtare, duke tejkaluar primatin e Dino Zof.

Eliminimi kundër Koresë së Jugut në të tetat e finales së Botërorit 2002 i sjell kritika të shumta. Si qendërmbrojtës bën disa gabime dhe ka nga ata që argumentojnë se në moshën 34 vjeçare kapiteni i Milanit është tani në epilogun e një karriere të jashtëzakonshme. Por ai nuk është dakord.

“Më 2002, pas Botërorit, humba durimin – do të rrëvejë për ‘Sky Sport’. – U ndjeva i keqtrajtuar nga shtypi, por kam patur gjithmonë respektin e shokëve. Mënyra se si përfundoi Botërori nuk ishte bukur Në mënyrë të veçantë mbaj mend konferencën e fundit, ku një gazetar më pyeti nëse ndihesha një i rekomanduar. Ika, mund të më thoshin se luajte keq. Por jo kështu”.

Zhgënjimi e bën atë t’i thotë lamtumirë fanellës së kombëtares pas 126 prezencave (lojtari i tretë më i pranishëm në histori) dhe 7 golave. Nuk kthen mendje as kur Lippi, më 2006, i ofron mundësinë për të fluturuar në Gjermani. Paolo thotë jo, duke refuzuar shansin e fundit për të fituar me Kombëtaren.

 “Kam luajtur 4 Botërorë dhe 3 Evropianë – tregon ai – të gjithë më kujtojnë se nuk kam fituar asgjë, por për mua ishte si të luaja në një skuadër të dytë klubi”.

RILINDJA: NGA ZAKERONI TE ANÇELOTI

Tek Milani, mbërritja e Alberto Zakeronit sjell një frymë të freskët për rosonerët në fund të mijëvjeçarit. Trajneri romanjol me 3-4-3 e tij, që bëhet shpejt 3-4-1-2, duke punuar në mendjen e kampionëve që gjen, dhe edhe pse has në njëfarë armiqësie prej ambientit, besnik ndaj mbrojtjes me katër, e shpie skuadran milaneze tek titull. Djalli, duke zhvilluar një kampionat emocionues, i paraprin Lacios së Eriksonit në renditjen përfundimtare dhe fiton Skudeton e 16-të të historisë së tij. Për kapiten Maldinin është i gjashti në karrierë.

 “Ai skuadër erdhi nga vendi i 11-të dhe i 10-të, – do të rrëfejë më 2020 Zaccheroni. – Shkova te Maldini, Kostakurta dhe Albertini, në klub kishte disa dyshime, veçanërisht për Kostakurtën, dikush mendonte se ishte në fund të karrierës. Iu thashë se po të kishim luajtur në një mënyrë mund të kishim limite të fshehura. Të tre ata më thanë: kanë mbetur edhe gjashtë javë deri në fillim të kampionatit, ti na trego se ne mund të kemi avantazhe duke luajtur kështu dhe ne do të të vijmë pas. Ky ishte çelësi i sezonit. Ata të tre vinin gjithmonë të parët në stërvitje dhe iknin të fundit. Kjo ndikoi në gjithë pjesën tjetër të grupit, ishte momenti më i rëndësishëm i atij sezoni”.

Vitet e mëpasshëm nuk janë të të njëjtit nivel, pavarësisht rikthimit në Champions League. Kështu, klubi shkarkon Zakeronin dhe në mars, Paolo gjendet sërish i stërvitur nga i ati, Çezare. Skuadra e mbyll në vendin e 6-të. Më 2001 Berluskoni ia beson stolin turkut Fatih Terim, por, pas një impakti fillimisht pozitiv, Perandori nuk bind dhe zëvendësohet në nëntor nga Karlo Ançeloti. Është momenti i kthesës.

Ish mesfushori nis një cikël të ri fitues, që do ta bëjë Milanin të dominojë sërish në Europë dhe në Botë. Skuadra e mbyll kampionatin në vendin e katërt, duke u rikthyer në Champions League dhe përjetuar më 2002/03 një vit të paharrueshëm. Në fakt, vendi i 3-të në Serie A pason Champions League të fituar në Old Trafford me penallti, duke mposhtur Juventusin, i para i Maldinit si kapiten, i cili në qendër të mbrojtjes do të ketë në krah Aleksandro Nestën.

 “E kuptova që mund të ishte shansi im i fundit – do të deklaronte numri 3 i rosonerëve, – fitorja e Ligës së Kampionëve si kapiten ishte vërtet emocionuese”.

Triumfit kontinental i shtohet edhe Kupa e Italisë, trofeu i munguar në vitrinën e djalit të artit, e fituar duke mundur Romën në finalen e dyfishtë.

Pas Botërorëve të pafatë aziatik, Paolo, si zakonisht përgjigjet në fushë. Rikthehet në standarde rendimentesh shumë të larta dhe në fund të 2003-it është sërish i 3-ti në klasifikimin përfundimtar të Topit të Artë pas Nedved dhe Thierry Henry. UEFA e përfshin ndërkaq edhe në skuadrën e vitit.

 “Nëse si fëmijë do të kisha shkruar një histori, – do të rrëfejë ai – historinë më të bukur që mund ta imagjinoja, do ta kisha shkruar ashtu siç po më ndodh mua”.

Milani i Ançelotit fiton edhe Superkupën e Europës (trofeu i 4-t për Maldinin) duke mundur Porton, ndërsa Kupa Ndërkontinentale i ikën nga duart për shkak të penalltive të pafavorshme kundër Boca Juniors. Më 2003/04 Paolo feston edhe Skudeton e 7-të të karrierës së tij të jashtëzakonshme. Milani, në përballjen kokë më kokë për titullin, i drejtuar nga një super Shevçenko, mbizotëron ndaj Romës së Spaletit.

2004/05 është një sezon i pasur me emocione për kapitenin. Më 25 maj, rosonerët rikthehen në finalen e Ligës së Kampionëve duke u përballur me anglezeët e Liverpoolit në Stamboll. Maldini çbllokon rezultatin pas 51.20 sekondash duke u bërë edhe golashënuesi më i shpejtë në një finale, si dhe më i moshuari (36 vjeç e 334 ditë). Ndeshja duket se në rrugën e duhur kur Hernan Crespo shënon dygolëshin dhe shkojnë në pushimin midis pjesëve me avantazhin 3-0.

Por nëse rosonerët shpenzuan gjithçka, anglezët shkojnë më larg. Pjesa e dytë është njëngjyrëshe, dmth., në atë Reds: Xherrard, Smicer dhe Ksabi Alonso ia arrijnë të realizojnë një revansh të jashtëzakonshëm. Në kohën shtesë Dudek shpëton mrekullisht portën nga Shevchenko. Porta e Liverpulit bëhet e magjepsur dhe kur përsëri Sheva humbet penalltinë vendimtare, u konsumua një prej tragjedive sportive më dramatike në historinë e Milanit. Megjithatë, UEFA e rreshton edhe një herë Maldinin në formacionin e vitit.

‘Hakmarrja’ sportive mbërrin më 2006/07: në Athinë një dygolësh i Pipo Inzagit i mundëson Djallit të fitojë Ligën e tij të 7-të të Kampionëve, të pestën personale për Paolo Maldinin. Kapiteni bëhet më i vjetri që e ka fituar ndonjëherë (38 vjeç e 331 ditë) dhe, së bashku me Françisko Gento, është rekordmen i finaleve të luajtura (8).

“Gjëja që më bën të qesh – do të komentojë vite më vonë Maldini – është se kam luajtur 8 finale, kam fituar pesë, por kujtohet vetëm ajo e Stambollit. Ajo ka lënë padyshim një gjurmë të rëndësishme. Ne ishim favoritët, patëm luajtur më mirë dhe loja nuk ndryshoi për asnjë moment kahje. Ishim gjithmonë të rrezikshëm. Megjithatë, kur pranon disa lloje disfatash, është më e lehtë të kesh shanse të reja”.

Rosonerët fituan edhe Superkupën e Evropës kundër Seviljas (me Maldinin që arrin në total 5, një rekord absolut) dhe Botërorin për Klube, duke mposhtur Boca Juniors në dhjetor dhe duke mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme ‘ciklin Ançelotian’. Bëhet fjalë për trofeun e 26-të për flamurin e Milanit, edhe ky një tjetër rekord.

Në Serie A, Paolo, më 25 shtator 2005, kishte parakaluar Dino Zofin përsa i përket prezencave dhe javën e mëpasshme do të realizonte, kundër Rexhinës, të vetmin dygolësh në karrierën e tij.

LAMTUMIRË FUTBOLLIT MES DUARTROKITJEVE DHE FËRSHËLLIMAVE

Në pragun e të 40-tave, në mbyllje të sezonit 2008/09, edhe për Paolo Maldinin vjen momenti që të thotë mjaft. Dita për t’u përshëndetur me tifozët e tij është ajo e 24 majit 2009. Për të nderuar kapitenin historik, skuadra del në fushë me fanellën e sezonit të ardhshëm dhe një patch special me fytyrën e Maldinit dhe fjalët “Tre solo per Te” (Tre vetëm për ty).

Nëpër shkallët e San Siros, ku ulen mbi 70 mijë tifozë, janë shpërndarë albume me figura dhe një shall special. Pas bilbilit të fundit, ku rosonerët humbasin 3-2, kapiteni ecën qark fushë, duke i mbajtur mezi lotët e emocionit, teksa përshëndet tifozët.

Janë pa fund duartrokitje, por midis tyre shquhen edhe disa fërshëllima nga ana e një grupimi ultrasish që nuk ia kanë falur disa deklarata kundër disa lloj sjelljeve të Tribunave.

Ndeshjen e mëpasshme, më 31 maj, në Franki të Firences luan ndeshjen e tij të fundit zyrtare në karrierë, ndeshjen e 902-të zyrtare me Milanin. Vendos shumë rekorde: është lojtari më i pranishëm në Serie A me Milanin dhe ai më i pranishëm me të njëjtën skuadër (647 paraqitje), ai më i pranishëm në Champions League me rosonerët (139) dhe ai më i pranishëm me të njëjtën skuadër në Kupat Evropiane (174)

Milani, pas tërheqjes së tij nga futbolli i luajtur, tërheq edhe fanellën me numrin 3 që kishte veshur. Pelé më 2004 e kishte përfshirë në FIFA 100 dhe që nga viti 2012 është pjesë e Hall of Fame të futbollit italian. Ndër të tjera, më 2020, është pjesë e Dream Team të Golden Ball, duke u cilësuar si mbrojtësi i majtë më i mirë i historisë së futbollit.

Një legjendë autentike që, pavarësisht sukseseve të mëdha, ka ditur të mbajë të paprekur, ndër vite, edhe përulësinë e tij.

“Jam futbollisti më humbës në histori. – do të thotë duke reflektuar mbi vetveten, në një Instagram live me Vierin – Kam humbur 3 finale të Champions League, një Superkupë Evropiane, 3 Kupa Ndërkontinentale, një finale Botërori, një finale të Evropiani, një gjysmëfinale të një Botërori… Dhe mund të vazhdoj. Por që kam pasur fatin të fitoj shumë dhe ta shoh humbjen si diçka për t’u pranuar në këtë rrugëtim”.

MALDINI DREJTUES DHE FËMIJËT FUTBOLLISTË

Milani i tij e harroi për pak kohë. Ndërkohë ai themelon Miami FC më 2015, klubin e parë profesionist të Floridas në SHBA, që një vit më vonë bëri edhe debutimin e tij në NASL.

Në qershor 2019, me ardhjen e Elliott dhe lamtumirën e Leonardos, Paolo Maldini bëhet drejtori teknik i klubit, rol që e mbajti deri në qershor 2023 me të njëjtin pasion dhe profesionalizëm që e ka karakterizuar gjithmonë si lojtar. Faktorë këto që i mundësuan të kontribuojë, si protagonist, në rikthimin e Djallit në majat që i takonin e që kulmoi me fitimin e Skudetos (kampionatit të Serie A) 2021/22.

Simbol universal i sportivitetit dhe i besnikërisë, ai është i dashur nga tifozët e Milanit dhe i respektuar nga të gjithë të tjerët. I martuar që më 1994 me Adriana Fosa, është babai i Christian dhe Daniel Maldinit, të cilët janë bërë të dy futbollistë dhe përpiqen të mbajnë lart traditën familjare, të nisur shumë vite më parë nga gjyshi Çezare.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.