Peshkaqeni i bardhë “fluturon” 4.5 metra në ajër, duke vendosur një rekord mbresëlënës
Peshkaqeni i madh i bardhë (emri shkencor carcharodon carcharias) është peshku më i madh grabitqar në Tokë. Kohët e fundit, në internet janë shpërndarë imazhe mbresëlënëse që tregojnë momentin kur një ekzemplar i kësaj krijese të frikshme “fluturon” 4 metra e gjysmë në ajër, duke vendosur rekordin për lartësinë më të madhe të parë ndonjëherë për këtë kafshë.
Imazhet janë bërë me rastin e eventit Air Jaws: Ultimate Breach, si pjesë e Shark Week të Discovery Channel, që ka mblodhur ekspertë të ndryshëm të këtyre peshqve për të provuar të marrin fotografinë më të mirë të kërcimit të një peshkaqeni. Disa pjesëmarrës përdorën drone, të tjerë zgjodhën të fotografonin natën, për një efekt më dramatik.
Ndërsa eksperti i peshkaqenëve Chris Fallows, nga ana e tij, përdori një “tow camera”, një prej atyre kamerave të instaluara nëpër konstruksione metalike që manovrohen nga një krah mekanik i një anijeje. Dhe pikërisht imazhet e tij ngjallën entuziazmin e spektatorëve.
“Thonë se një foto vlen njëmijë fjalë. Mirë pra, ai imazh vlen më shumë se njëmijë hedhje. Nuk mund ta besoj sa lart u hodh, ishte thjesht perfekt… një foto ëndrrash”, tha Fallows.
Jeff Kurr, regjisori i Air Jaws: Ultimate Breach, ka thënë, “Chris ka bërë të pavdekshme disa kërcime të pabesueshme. Një nga kërcimet është ndoshta më i miri që kam parë ndonjëherë”.
Duke folur për ngjarjen, e cila për herë të parë mori jetë në vitin 2001, Kurr shtoi: “Ky edicion i Jaws Air, më shumë se të tjerët, ka një mesazh të fortë: duhet të bëjmë diçka për të mbrojtur këto peshkaqenë të mëdhenj të bardhë, sepse janë në prag të asgjësimit” .