- SPONSOR -






- SPONSOR -

Pioli më mirë se Konte, tani duhet kënaqur. Nëse nuk vjen një mbrojtës dhe një sulmues, përparësia zhduket dhe rrezikojmë Evropën

Nuk ka nevojë tani të lavdërohet Pioli, sepse e bëjnë të gjithë dhe është shumë e lehtë të hipësh në karrocën e fitimtarit. Sidoqoftë, në mesin e meritave të tij të shumta, ka një që nuk është theksuar mjaftueshëm dhe i takon karakterit të tij, ose më mirë një aspekti të karakterit të tij, për të cilin është sigurisht më i mirë se Konte. Ndryshe nga trajneri i Interit, në fakt edhe nga shumë kolegë të tjerë si psh., Gasperini, Pioli nuk është ankuar kurrë për merkaton dhe për blerjen e munguara, edhe pse mund ta kishte bërë. Kujtojmë, për shembull, se në seancën e fundit të merkatos verore, trajneri kishte shprehur dëshirën, apo më saktë nevojën, për të blerë një mbrojtës, por kur e kuptoi që nuk do të vinte askush, nuk u ankua.

Uli kokën dhe nisi punën pa hapur as më të voglën polemikë. Kështu bëhet, edhe nëse rrezikojmë të mos jemi në modë në një botë ulëritësish që favorizojnë më shumë aparencën sesa substancën. Por, faktet, sidoqoftë, i kanë dhënë gjerësisht të drejtë sepse pa Kjaer, më lider sesa i pasigurti Romanjoli, mbrojtja ka pësuar shumë gola dhe paradoksalisht u ndje më shumë mungesa e danezit se e Ibrahimoviçit, sepse skuadra vazhdoi të shënojë dy gola për ndeshje, por pothuajse asnjëherë nuk arriti të përfundonte me portën e Donarumës të paprekur, megjithë mrekullitë e portierit të madh.

Në këtë pikë, pra, me Skudeton e cila nuk është më një mirazh por është diçka më shumë se një ëndërr dhe me perspektivën për të luajtur në Europa League sa më shumë ndeshje të jetë e mundur, Milani duhet të përforcohet. Mosbërja e kësaj gjëje do të ishte e pafalshme, sepse dëmtime do të ketë gjithmonë, veçanërisht për ata si Kjaer dhe Ibra që kanë ‘kaluar’ moshën dhe përveç dëmtimeve do të ketë skualifikime, duke filluar nga ajo e Kessie i cili do të humbasë nesër mbrëma ndeshjen shumë të rëndësishme kundër Lacios.

Fondi Eliot, pra, me një shtytje elegante, të shpejtë dhe të nevojshme nga Maldini duhet të bëjë një sakrificë të mëtejshme e cila do të shlyhej me bollëk në fund të sezonit. Një mbrojtës, me njëzetvjeçarin francez të Strasburgut, Muhamed Simakan, në pole pozicion, siç kemi shkruar dje dhe një sulmues, janë absolutisht të domosdoshëm, edhe pse nuk duhet të neglizhohet as reparti i mesfushës, në të cilin janë vetëm Kesi, Benaker dhe Tonali, duke parë limitet e Kruniç.

Emri i Kutrones nuk korr shumë konsensus, atëherë duhet të insistojmë për të arritur tek xhevahiri njëzet vjeçar Skamaka, i cili luan për Xhenovën por është në pronësi të Sasuolos, me të cilën Milani ka marrëdhënie të shkëlqyera. Por është edhe Gomez, edhe pse Massara e ka përjashtuar si opsion. Sidoqoftë, e rëndësishme është të mos rrimë pa lëvizur, duke përsëritur “jemi mirë kështu”, sepse do të ishte një mëkat tangërllëku që do të paguhej më vonë, kur të vendoset kampionati dhe njëkohësisht do të ketë sfida në shtëpi e në transfertë në Ligën e Evropës. Mos përforcimi tani do të nënkuptonte hedhjen tutje të gjithçkaje të mirë që është bërë deri më tani. Pioli sigurisht që nuk do të ankohej, por nuk është e drejtë të përfitosh nga fakti se ai nuk do të shkaktonte polemika si Konte.