GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Po e ndjej që tani nostalgjinë e emocioneve të pafundme të Kampionatit. Një Skudeto unikal dhe i paharrueshëm. Po aq i veçantë sa triumfi i Mançesterit. Futbollistët, muzika dhe tifozët që nuk do t’i harrojmë kurrë

 “I Campioni dell’Italia siamo noi…. Siamo noi …Siamo noi …i Campioni dell’Italia siamo noi…!” (Kampionët e Italisë jemi ne… Jemi ne… Kampionët e Italisë, jemi ne… Jemi ne…). “Milani bëri mrekullinë. Për herë të parë në jetën time kam kënduar pa stonuar. Si mund të stonoja, duke nxjerrë gëzimin tim nga ajo tribunë e paharrueshme e Mapeit në Reggio Emilia! Një tjetër faqe e bukur e një kampionati të jashtzakonshëm. Një tjetër faqe epike e një tifozerie fantastike. Në simbiozë të përsosur nga dita e parë deri në të fundit. Tani vuaj nga nostalgjia dhe melankolia, duke menduar për të dielat e kësaj vere pa këto emocione të forta, pa drithërimat që na kanë dhuruar me bollëk kampionët tanë.

Sigurisht që nuk do t’i harroj kurrë bëmat e Leaos, protagonistit themelor të Skudetos, sidomos në ndeshjet e fundit, në ato më të nxehtat. Një sezon i pasuruar nga golat e rëndë të “Shkëlqimit të Zjarrtë” Tonalit.

Me një mbrojtje që u zbulua të ishte një mburojë e pakapërcyeshme, me dyshen Tomori-Kalulu, e shndërruar shumë shpejt në surprizën më speciale të kampionatit.

Pas tyre, Maignan, sot midis tri portierëve më të fortë të Evropës. Dhe “Brava” Tatarusanu? Si mund ta harrojmë pritjen e tij nga penalltia e Lautaros, e cila më vonë rezultoi vendimtare në sprintin final.

Në krahë vazhdimësia e “Frisbee-t” Calabria. Edukata me këmbët e Florenzit, i njohur pikërisht si “Zotëria i Shtëpisë”. Zhurma e “Timonit Avullues” Theo Hernandez, me “Mistral” Ballo Tourè si mbështetës. Me Gabbia që fluturon kur duhet, por për të ngritur kupën ishte “Stuhia diellore” Romagnoli, kapiteni.

Në mesfushë, “Sheiku i Bardhë” Bennacer, që tund mantelin e klasit të tij, me “Gjilpërën me pe” Krunic, që si qep ai, nuk qep njeri.

Ka luajtur pak Bakayoko, duke hasur në vështirësi për të gjetur formën e tij më të mirë, por, një duartrokitje të fortë edhe për francezin.

Sa e dua Zotin e futbollit kur është kaq bujar me Milanin. Dhurimi i gëzimit të golit të fundit për “Presidentin” Franck Kessie, në hapin e tij të lamtumirës, ​​ishte një gjest madhështor dhe i drejtë. E të mendosh se dikush e donte madje në tribunë, mah!

E sigurisht, nuk e harroj Diazin, elfin andaluzian dhe Messias, autorin intelektual të golit të Leaos kundër Atalantës dhe i frymëzuar nga gola të rëndë, shumë të rëndë.

Sa i zoti “Salamandra” Saelemaekers që do të hidhej në zjarr për Milanin.

Dhe Daniel Maldini, që ka nënshkruar Skudeton e gjeneratës së tretë, të firmosur nga një gol i bukur dhe prepotent në Spezia.

Në të majtë, Ante Rebiç, që rrëmbeu atë top sikur ta shkëpuste prej barërave të këqia nga një arë me grur atje, në Romë, për golin që do ta shënonte më pas Tonali.

Rullo di Tamburi, signore e signori, per Giroud, lo Sparviero che è sceso sul campionato italiano con la sua classe, con il suo fiuto del gol, con le sue reti decisive che hanno regalato punti preziosi, come un ovettino di Karl Fabergé.

Bjerini tambureve, zonja dhe zotërinj, për Giroud, skifterin që zbarkoi në Milanello me klasin e tij, me nuhatjen e tij për gola, me golat e tij vendimtarë që dhuruan pikë të çmuara, si të ishin vezët e Karl Fabergé.

Dopjo tambure, zonja dhe zotërinj, triple për Zlatan Ibrahimoviç, Big Bang-un që ndezi fitilin për të shpërthyer shpresën bombë Skudeton.

Ky titull, numër nëntëmbëdhjetë, do të mbahet mend gjithmonë për drejtuesin inteligjent që e ka një emër, Stefano Pioli, tashmë i hyrë në legjendë jo vetëm për përgatitjen dhe njohuritë e tij, për menaxhimin e grupit, për idetë novatore që aplikoi në Milan, por edhe për kolonën zanore kushtuar atij, që shoqëroi fitoren e madhe, të aventurës fituese të djemve të tij.

Nuk do të harroj kurrë, asnjë moment të këtij kampionati unik dhe special, se disa e kanë krahasuar me intensitetin dhe gëzimin me fitoren në Mançester. Mbi të gjitha, ditët e fundit do më mbeten në mendje, plot ankth, plot shpresë, plot frikë ezoterike, plot me entuziazëm.

Skenografia e Milan-Atalanta, ajo brohoritje e përgjithshme dhe prekëse kanë hyrë në historinë e Milanit. Kam përjetuar ditë të jashtëzakonshme me tifozët që shpesh kanë qenë shoqëruesit e mi, në gëzime. Kam përqafuar, pas çdo goli, shumë “vëllezër” që i kam parë vetëm një herë, në momentin e përqafimit e që ndoshta nuk do t’i shoh më kurrë. Kam dëgjuar gjatë këtij kampionati gjuhë nga më të ndryshmet tek brohosisnin, por asnjëherë, si në këto momente, të bashkuar nga i njëjti pasion për atë ekip që kanë patur baballarët tanë, tani ne e pas nesh fëmijët tanë. Duke e bërë unike dhe të jashtëzakonshme këtë jetë, gjithmonë së bashku me Milanin tonë të dashur!


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More