GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Poli HOXHA – Dy ‘Amerikat’ në Tiranë!

Mëngjesin e sotëm nëpërmjet një videoje, ambasadorja e re e SHBA në Tiranë zonja Yuri Kim shpalli edhe tre prioritet e saj, në krye të selisë më të rëndësishme diplomatike në vendin tonë. Interesante ishte pika e tretë e cila artikulohet për herë të parë në krah të partneritetit strategjik ushtarak dhe aspiratës së vendit tonë drejt BE-së.

Ambasadorja flet për një strategji dhe qasje të re të investimeve dhe të biznesit amerikan në vendin tonë; `Do të punoj për të nxitur eksportet dhe investimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, në mënyrë që të krijojmë më shumë vende pune dhe mundësi për amerikanët dhe shqiptarët`.

Gjithçka është në rregull deri këtu, lajm i mrekullueshëm. Dhe ‘shyqyr’ që më në fund ekonomia, biznesi, tregtia, investimet e punësimi; u vendosën si prioritet strategjik nga aleati ynë i madh, SHBA, sepse deri dje njësoj si Rama na ofrohej si vakt për të ngrënë (mëngjes-drekë-darkë) vetëm Reforma në Drejtësi!

Në rregull dhe duartrokitje frenetike meriton, por ambasadorja e nderuar ‘harroi’ të thotë se në Shqipëri me investimet e huaja që largohen ‘si djalli nga temjani’, ka një histori që nuk ngjason me asnjë vend tjetër në rajon, e botën që ajo përfaqëson. Një histori ferri për ekonominë shqiptare dhe xhepin e shqiptarëve dhe ‘Shangri La` për një grusht `biznesmenësh`, e cila e ka burimin te qeverisja 7-vjeçare e Rilindjes. Më saktë direkt te kryeministri Edi Rama, të cilit i shkoi në zyrë pak ditë më parë ambasadorja; babait të një skemë të paparë ndokund, e cila favorizon klientët e tij dhe mban larg kompanitë e mëdha amerikane e të tjera.

E pikërisht për këtë çështje, vetëm pak pasi publikoi videon, ambasadores i ka ardhur një `replikë` nga një `Amerikë` tjetër në Tiranë, e cila në fakt e heq në kurriz të vetë këtë punën `e të bërit biznes` në shtetin e që ka ndërtuar Edi Rama.

Në një konferencë për shtyp kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, tregoi në detaje se sa e vështirë është për biznesin në përgjithësi dhe atë të huaj e amerikanë për të cilin foli, që të punojnë në vendin tonë. Sipas tij klima për investimet e huaja në Shqipëri është mbytëse, si pasojë e korrupsionit të paprecedentë në shtet dhe të politikave fiskale penguese.

‘Shqipëria renditet e 82 në botë, ndërkohë që të gjithë fqinjët tanë (përveç Bosnjes, e cila ka kushte të tjera gjeopolitike) renditen ndjeshëm më lart. Mali i Zi renditet e 50, Kosova e 58-ta, Serbia e 44, ndërsa Maqedonia e Veriut e 17-ta. Serbia dhe Maqedonia e Veriut që kanë fituar konkurrencën rajonale për thithjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të fillojë të mendojë për këtë’, bëri si fillim një rezyme ai për këtë çështje.

Pastaj në fjalën e tij presidenti i `Dhomës amerikane` paraqiti prova se korrupsioni është faktori madhor që mban larg Shqipërisë investimet e huaja, por dhe ndryshimi i shpeshtë në mënyrë të `çuditshme` i politikave fiskale të cilat bëhen sabotuese. Dhe kjo-tha ai- është arsyeja kryesore, se pse investitorët zgjedhin Maqedoninë e Veriut ose Serbinë para Shqipërisë.

Pastaj tregoi se kishin bërë një anketë me anëtarët e `Dhomës` dhe doli se problemi i parë e më i madhi janë monopolet dhe konkurrenca e pandershme. Foli për korrupsionin si një sëmundje kanceroze dhe dha prognozën `pesimiste` se çfarë do që të thuhet në lidhje me investimet e huaja (Nuk e përmendi ambasadoren në fakt) në rast se nuk godasim në thelb korrupsionin, çdo gjë është retorikë dhe e kotë.

‘Problemi është a kemi një vullnet për ta luftuar korrupsion, dhe kjo do të jetë deçizive për Shqipërinë, çka do të thotë vendi do të jetë në gjendje apo jo të tërheq investime të huaja’, ishte zbërthimi i situatës në vetëm pak fjalë.

Vini re shqetësimin e madh të investitorëve të huaj të cilin ambasadorja Kim nuk e ka cekur ende në deklaratat e saj të deritanishme, pavarësisht se duket qartë që bizneset amerikane janë në axhendën kryesore të saj: `Problemi është a kemi një vullnet për ta luftuar korrupsion, dhe kjo do të jetë deçizive për Shqipërinë, çka do të thotë vendi do të jetë në gjendje apo jo të tërheq investime të huaj!`

Ambasadorja Kim është e sapoardhur në detyrën e saj të rëndësishme në Shqipëri, por shumë shpejt do ta mësojë se qeverisja e Edi Ramës ka ndërtuar këto 7 vite një skemë, e cila me qëllim nuk lejon investimet e huaja serioze që të futen në vendin tonë. Nuk është vetëm korrupsioni i zyrtarëve, të cilët kërkojnë ‘pjesën e majme’ paradhënie për çdo projekt që ju paraqitet nga investitorët e huaj, por edhe një skemë siç e thamë më lartë, e cila i ka kanalizuar të gjitha financat dhe burimet e vendit vetëm në 4-5 emra biznesmenësh të afërt me kryeministrin. Gati shumica e koncesioneve dhe tenderave publik jepen pa garë dhe transparencë, për të njëjtin ‘grusht’ njerëzish.

Të vetmit ‘investitorë të huaj’ që rezultojnë në PPP-të miliardëshe të Ramës, janë po të njëjtit ‘biznesmenë strategjikë’ por që hapin kompani fantazmë nëpër offshore e pastaj i pagëzojnë si ‘amerikane’, etj, duke fshehur kështu jo vetëm emrat e vërtetë që fshihen pas tyre, por edhe humbasin gjurmët e ndarjes së ‘pjesës’ si pasojë e korrupsionit të madh të qeverisë Rama.

Prandaj ambasadore e nderuar përpara se të punoni me pikën 3 të prioriteteve tuaja (sjellja e investitorëve serioz nga SHBA në Shqipëri), do të ishte mirë që të shtoni edhe një prioritet mbi prioritete i cili është kthyer emergjencë kombëtare në vendin tonë: Shkallmimi i skemës jo vetëm korruptive por edhe oligopole e mafioze që ka ngritur Rilindja e Edi Ramë me ekonominë në këto 7 vite. Mbi të gjitha ‘prerja’ e kokës që e polli dhe po e mban ende gjallë duke drobitur këtë vend, e po detyron qindra-mijë t`ja mbathin drejt vendeve nga të cilët ne presim ‘investitorë’.

Duhet të ndodh kjo pastaj mund të merreni me pikën 3 të prioriteteve tuaja: `Për të nxitur eksportet dhe investimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, në mënyrë që të krijojmë më shumë vende pune dhe mundësi për amerikanët dhe shqiptarët`.

Sepse përndryshe i bie që të përsëritet ajo historia e 100 arsyeve, se pse nuk bien kambanat në `fshatin tonë` ku ajo në fakt nuk mungon, por është vjedhur nga `kuçedra` që po ha çdo gjë, shqiptare e pse jo edhe të huaj!


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More