Prigozhin ndal revoltën dhe Moska e “fal”: çfarë nuk shkon në tentativën për grusht shtet

Kërcënimet, sulmi e më pas ndërmjetësimi i Bjellorusisë deri në vendimin e Moskës për të pezulluar masat ndaj Prigozhin. Një përmbledhja e 24 orëve më surreale të viteve të fundit të përjetuara nga Rusia dhe bota

Dita më surreale e përjetuar nga Rusia (dhe jo vetëm) vitet e fundit ka nisur pasditen e së premtes. Për t’i dhënë udhë 24 orëve më të vështira për Moskën qenë deklaratat e Eugenji Prigozhin, kreut të mercenarëve Wagner, sipas të cilit Ministria ruse e Mbrojtjes gënjeu për arsyet e luftës në Ukrainë. Fjalë të rënda, në gjendje për të zeruar plotësisht qëndrimin e Kremlinit. Disa orë më vonë, Prigozhin kërcënoi me marshimin drejt Rostovit për të vazhduar më pas drejt Moskës. Kërcënime që u vunë pjesërisht në jetë deri në orën 19:30 të të shtunës së 24 qershorit, kur vetë shefi i Wagner-it njoftoi një prapaktheu të papritur. “Të shmangim gjakderdhjen”, deklaroi në Telegram. Por në të vërtetë, pika e kthesës që i dha fund parimit të luftës civile erdhi përmes një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga presidenti bjellorus, Aleksandar Lukashenko. Një hark kohor krize që u zgjidh brenda pak orësh, e që kulmoi me pushimin e ndjekjes penale kundër Prigozhin, dhe ndoshta me shpërbërjen e Wagner. Por le t’i marrim ngjarjet me rradhë.

Përse Prigozhin nisi të marshonte drejt Moskës

24 orët më të vështira për historinë e fundit ruse nuk filluan papritmas. Mosmarrëveshjet mes Prigozhin dhe udhëheqësve të Mbrojtjes ruse kanë disa muaj që vazhdojnë. Të paktën që nga janari. Aso kohe, kreu i Wagner-it filloi të marrë skenën kryesore në konfliktin në Ukrainë. Në fakt, trupat e tij, mercenarë dhe të afërt me lidershipin e Kremlinit, ishin vendimtare për pushtimin e Soledar. Ky i fundit është një qytet ukrainas jo shumë larg Bakhmutit, në Donbass. Fitorja në terren erdhi pas muajsh gozhdimi dhe disfatash të ushtrisë ruse. Prigozhin u shfaq për herë të parë në vijën e parë, teksa shpërndau disa video nga qyteti i sapopushtuar dhe, në të njëjtën kohë, nisi të akuzonte zyrtarët e lartë të mbrojtjes.

Në veçanti, kreu i mercenarëve është ankuar që në janar për mbështetjen e pakët që mori nga Moska. Nën akuzë, mbi të gjitha, përfundoi ministri i Mbrojtjes Sergej Shoigu. Në javët në vijim, Wagner filloi të përparonte edhe në Bakhmut. Prigozhin ka ndërhyrë vazhdimisht në kanalin e tij Telegram për të raportuar mungesën e furnizimeve. Sukseset e tij në fushë i dhanë rrugë të vetmes fitore ruse përgjatë frontit ukrainas. Rrethanë që ka ndihmuar në përkeqësimin e marrëdhënieve tashmë të tensionuara me Shoigun dhe Gerasimov, shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, i cili gjithashtu konsiderohet përgjegjës për kaosin në menaxhimin e luftës në Ukrainë.

Ditët e fundit tonet janë ndezur edhe më shumë. Përpara shpërthimit të Prigozhinit, nëpërmjet të cilit ai çmontoi tërësisht narrativën e Moskës mbi konfliktin, lideri i Wagner tregoi praninë e humbjeve të shumta ruse në fronte të tjera për shkak të kundërofensivës ukrainase. Në mbrëmjen e vonë të së premtes 23 qershor, filloi kështu avancimi ushtarak i mercenarëve të Wagner në brendi të territorit rus. E gjitha kjo, sipas zërave ende të pakonfirmuara, pas një përpjekjeje të Shoigu për të arrestuar Progozhin.

Qëndrimi i Vladimir Putin

Lideri i mercenarëve rusë nuk e ka sulmuar asnjëherë presidentin Vladimir Putin në fjalimet e tij. Përkundrazi, shpesh herë e ka portretizuar si viktimë të komploteve dhe paaftësisë së drejtuesve të lartë të mbrojtjes. Me fjalë të tjera, beteja e tij do të kishte për qëllim çlirimin e Kremlinit nga ndikimi i Shoigu dhe Gerasimov, por jo nga Putini. Sidoqoftë, kur brigadat Wagner filluan marshimin nga Rostovi në drejtim të veriut, kreu i shtetit rus bëri një zgjedhje të qartë: ai e konsideroi Prigozhin tradhtar dhe bëri thirrje për unitet kombëtar për të kundërshtuar përparimin e njerëzve të tij.

Kështu, Kremlini vendosi të qëndrojë me drejtuesit e mbrojtjes, me Putinin që krahasoi veprimet e Wagnerit me ato të revoltave të vitit 1917, që, në rindërtimin historik të presidentit rus, e penguan Moskën të vazhdonte dhe të fitonte Luftën e Parë Botërore. Përplasja mes dy palëve, mëngjesin e së shtunës, 24 qershor, dukej e pashmangshme.

Çfarë ndodhi gjatë avancimit të Wagner

Në orën 7:30 të datës 24 qershor, lideri i mercenarëve u shfaq në një video në Telegram nga Rostovi. Këtu ai pretendoi pushtimin e qytetit, më i rëndësishmi në Rusinë jugore dhe të zonës kufitare me Ukrainën. Njerëzit e tij kanë marrë në dorë objektet kryesore ushtarake, duke përfshirë ndërtesën që strehon Komandën Jugore të Ushtrisë. Të gjitha pa asnjë shkrepje armësh: nga trupat e rregullta të Moskës nuk pati thuajse aspak rezistencë.

Ndërkohë, në kryeqytetin e tij tashmë ishte shpallur gjendja e gadishmërisë. Prej disa orësh zonat qeveritare ishin rrethuar nga forcat e sigurisë dhe policia. Mirëpo shpejt vëmendja u projektua veçanërisht në jug. Pavarësisht mbylljes së autostradës M4 pranë Rostovit, mercenarët e Wagner patën përparuar përgjatë arteries rrugore që lidh jugun me Moskën. Rreth mesditës, në mediat sociale u shfaqën imazhe që dëshmonin për përleshje në rajonin e Voronezh, në gjysmë të rrugës midis Rostovit dhe Moskës. Këtu u rrëzuan të paktën tre helikopterë dhe një avion Antonov An26. Shenjë e pranisë, brenda kolonave të Wagner-it, të kundërajrorëve. Në Voronezh ndodhi edhe e vetmja ngjarje e dokumentuar e reagimit të ushtrisë ndaj veprimeve të mercenarëve: faktikisht, u godit nga aviacioni një kolonë e mercenarëve.

Sidoqoftë, Wagner mundi të përfitonte nga prania në rajonet në kufi me M4 të grupeve të ndryshme të aktivizuara nga veprimet e Prigozhin. Për këtë arsye, në orët e hershme të pasdites u raportuan autokolona të mercenarëve në brendi të rajonit Lipetsk, 400 km nga Moska. Në atë moment, kryeqyteti rus nisi të vihej në një gjendje të vërtetë lufte: u evakuuan muzetë dhe teatrot, u mbyllën zyrat dhe shkollat, postoblloqet u ngritën nëpër vende të ndryshme të metropolit.

Pastaj, ngjarja e papritur. Pak para orës 19:30, nga Minsku presidenti bjellorus njoftoi se kishte nënshkruar një marrëveshje me Prigozhin, që parashikonte përfundimin e luftimeve. Pak minuta më vonë, vetë Prigozhin nëpërmjet një audio deklaroi se kishte urdhëruar trupat e tij të ktheheshin pas dhe të mos vazhdonin drejt Moskës. Gjithçka për të shmangur një gjakderdhje. Siç shpjegon Lukashenko, kreu i Wagner vendosi të ndalojë operacionin pas sigurimeve të ndërmjetësuara me Moskën.

Çfarë nuk shkon në këtë çështje

Në mbrëmje një nga momentet më groteske të ngjarjes, vendimi i Moskës për të mbyllur procedimin kundër kreut të Wagner, një zgjedhje e konfirmuar drejtpërdrejt nga Dmitry Peskov. Zëdhënësi presidencial nuk specifikoi saktësisht se çfarë do të bënte Prigozhin në ish-republikën sovjetike. Vetë Kremlini konfirmoi se kreu i Wagner është gati të transferohet në Bjellorusi.

Kjo pikë e fundit duket të jetë më e rëndësishme politikisht. Aksioni ushtarak i Wagner-it kundër Kremlinit u ndërpre falë një ndërmjetësimi nga Minsku. Rrethanë që rrezikon të dobësojë Putinin, i cili nga ana e tij falënderoi Lukashenkon për punën e bërë me Prigozhin.

Është pastaj çështja e përmbajtjes së marrëveshjes. Nuk dihen detajet, por flitet për garanci të marra nga Prigozhin në lidhje me sigurinë e grupit Wagner dhe ndryshimin e krerëve të ministrisë së mbrojtjes, veçanërisht me largimin e të urryerëve Shoigu dhe Gerasimov. Nëse kështu do të ishte, kjo do të ishte një fitore të madhe politike për liderin e milicëve rebelë. I cili, nga ana e tij, diti të jepte një shfaqje të mirë force kundër Kremlinit.

Në mbrëmje, fjalët e vetë Peskov ngatërruan edhe më shumë një situatë shumë të ndërlikuar. “Marrëveshja për tërheqjen e Wagner-it”, tha zëdhënësi, “parashikon që milicët që nuk kanë marrë pjesë në revoltë dhe që dëshirojnë ta bëjnë këtë, mund të firmosin kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes”. Peskov shpjegoi gjithashtu se asnjë nga ata që morën pjesë në “marshim” nuk do të ndiqet penalisht. Një mister i fundit brenda misterit, që në mënyrë paradoksale hap derën e shpërbërjes së milicisë. Shenjë se kaosi i nisur nga ‘kuzhinieri i Putinit’ mund të mos ketë mbaruar.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.