Prof. Dr. Enver BYTYÇI – Albin Kurti, gjakftohtë dhe i durueshëm?!

Nëse do më thoshte dikush para tri apo katër vitesh se sot do të kishim një Albin Kurti të ndryshëm nga i pari, nuk do ta kisha besuar! Albin Kurti opozitar nuk të jepte shansin që të mendoje e aq më pak të besoje se do të ishte një lider i qetë, i durueshëm, i matur dhe jo “grindavec”, kur të vinte në pushtet. Por ndodhi ajo që nuk pritej! Jo vetëm kaq! Ndodhi që Albin Kurti në pushtet të ndryshojë edhe filozofinë politike të drejtimit të shtetit, të cilin në opozitë nuk e njihte as nga simbolet, as nga përmbajtja!

Albin Kurti ishte kundërshtar i hapur i Ibrahim Rugovës. Por sot sillet njëjtë siç sillej Rugova në periudhën e tij të lidershipit në Kosovë. Albin Kurti i rrëmujshëm dhe i aksionit opozitar deri diku të dhunshëm, sot është e kundërta e dhunës, e kundërta e rrëmujës. Është i qetë, i patrazuar, i urtë, racional dhe me veprime e deklarime krejt logjike.

Politikanë të opozitës, analistë dhe opinionistë jo të paktë në Kosovë janë përpjekur që ta nxjerrin nga shinat. E akuzojnë për gjithçka e për çdo gjë! Ia recensojnë çdo fjalë e çdo fjali me kritika negative, shumicën e rasteve pa arsye dhe me tendencë të dukshme provokimi. E bëjnë fajtor edhe për një veprim të pamatur ose të kundërligjshëm të një polici! E akuzojnë për nepotizëm, edhe nëse raste të tilla kanë ndodhur sa numërojnë gishtat e dorës. E Madje e akuzojnë ata që në një bord ose në një institucion kishin grumbulluar familje të tëra militantësh e përkrahësish partiakë pa asnjë meritë! I kanë dalë kundër Albinit edhe për qëndrimet e tij në dialogun me Serbinë. I thonë shpesh herë me provokim: “Hë, zgjidhe ti tash konfliktin me Beogradin”!

Por kryeministri i Kosovës ka zgjedhur heshtjen, të mos përgjigjet, ose të përgjigjet me maturi! Pra ka zgjedhur durimin si mjet të qeverisjes dhe të fitores në sfidat e saj. Ai hesht edhe kur Vuçiq e Rama qeshin me të, ose më saktë e përqeshin atë për qëndrimin që ai mban ndaj Open Balkan. Nuk është intriguar as nga fakti që kryeministri i Shqipërisë është bërë palë me presidentin e Serbisë kundër tij! Rri në habitatin e vet dhe vetëm sodit kundërshtarët e instaluar në Tiranë e të cilët bashkëpunojnë me Beogradin.

Jam shumë i bindur se këtë qasje në politikë të Albin Kurtit nuk e ka pritur as Baton Haxhiu. Madje ai e ka këshilluar vazhdimisht kryeministrin e Shqipërisë që ta provokojë kryeministrin e Kosovës e ta nxjerrë atë jashtë shinave të politikës. Pra ta provokojë në emocione dhe deri në karakterin e tij. Por Albin Kurti nuk është provokuar. Nuk ka rënë pre e emocioneve të çastit. Nuk është marrë me cikërrima, përkundrazi deri më sot është orientuar nga parimet, nga filozofia e moralit dhe logjikës së ngjarjeve, qëndrimeve, aksioneve politike dhe vendimmarrjes.

Madleine Olbright shkruan në librin e saj me kujtime për Rugovën dhe arrin në përfundimin se ai ishte aq i urtë dhe i durueshëm, sa edhe kokëfortë dhe këmbëngulës! Në fakt durimi është këmbëngulje. Është gjithashtu aftësi të mposhtësh provokimet emocionale të kundërshtarëve. Edhe nëse të shajnë nga nëna, politikani me parime dhe synime të qarta nuk e humb logjikën, nuk del prej kulturës së vet politike. Dhe qershia mbi tortë e kësaj kulture është durimi i shoqëruar me racionalitetin dhe logjikën.

Albin Kurti vijon i qetë qeverisjen edhe kur i kërkojnë dorëheqjen. Ai nuk merret me kundërshtarët, por merret me qeverisjen. Nuk merret me llafet dhe etiketimet, por merret me projektet që duhen realizuar në Kosovë. Nuk bie në batakun e diskutimeve boshe, sepse nuk ka nevojë të tërheqë vëmendjen e publikut nga ndonjë skandal apo dështim i qeverisjes së tij! Ata që përfshihen në skandale të përditshme dhe shijojnë vetëm dështime në qeverisje, ata liderë politikë nuk jetojnë dot pa debate shterpë dhe krijimin e situatave komike e tragjike, me qëllim largimin e vëmendjes prej skandaleve të vërteta, sidomos të korrupsionit.

Kam menduar, duke pasur parasysh kryeministrin e Shqipërisë, se një parti politike është në pushtet njëjtë siç ka qenë në opozitë. Jam nisur nga modeli i qeverisjeve të dhunshme, duke e ndërlidhur këtë qeverisje të dhunshme me ardhjen po me një farë dhunë në pushtet. Ndërsa rasti Kurti më bën me dije se kushti themelor i të qenit i durueshëm i një politikani nuk qenka paraqitja e tij në opozitë, por performanca që bën në qeverisje, në pushtet. Dhe për të pasur një performancë të tillë në qeverisje parakusht është e do të jetë të mos qenit i korruptuar! Këtu duhet kërkuar edhe durimi, qetësia, këmbëngulja, vendosmëria dhe urtësia e politikanit Albin Kurti. Të jesh i pakorruptuar do të thotë të mos jesh peng. Të mos jesh peng, do të thotë të ruash qetësinë e të kesh durim për të bërë punë të mira, pa rënë pre e provokimit të kundërshtarëve politikë!

Pavarësisht se dihej fakti që Albin Kurti nuk ishte e nuk është i korruptuar, përsëri pak kush e ndoshta askush nuk priste që ai të “imitonte” Ibrahim Rugovën në performancën e sjelljes së tij prej lideri politik e shtetari! Kjo i ka sjellë dhe do t’ia sjellë atij fitoren edhe në kushtet më të vështira!

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.