- SPONSOR -






- SPONSOR -

Pse mungojnë në tekstet shkollore fitoret e Ramës nëpër arbitrazhe?

Në Korenë e Veriut nxënësit mësojnë në shkollë se si lideri i tyre, Kim Jong-un ka shpartalluar gjeneralët amerikanë në betejat detare kur ishte fare i vogël. E plot triumfe të tjera si këto kanë në tekstet e edukimit.

Në Shqipëri ende nuk janë përfshirë në kurrikula fitoret e mëdha të Edi Ramës nëpër arbitrazhe, edhe pse ai tha sot që kjo ka ndodhur në mënyrë të përsëritur.

Një modesti e tepruar kjo nga udhëheqësi i rilindjes, ose ndoshta neglizhencë e drejtuesve të arsimit në vend.

Teksa në Kore njerëzit i mësojnë të vërtetat vetëm nga goja e kryetarit suprem, në Shqipëri për fat të mirë ka ende disa burime informimi.

Njësoj si Kim, Skënderbeu i rilindasve nuk e ka për gjë që humbjet e njëpasnjëshme në Gjykatat e Arbitrazhit, jo vetëm të mos i njohë, por t’i quajë suksese pa asnjë ndërdyshje.

Ama publiku këtu e di mirë se Becchetti ka fituar 110 milionë euro për shkak të inatit personal të Ramës me të. Para që do paguhen nga shqiptarët.

E po ashtu, kompania greke Actor, ka fituar rreth 43 milionë euro për prishjen e kontratës që i bëri qeveria. Fakte këto të njohura botërisht.

Po kryeministri nuk pranon. Madje ai thotë se vetëm ka ngadhënjyer nëpër këto përballje.

Le të hulumtojmë pak se cfarë mund të quhet sukses.

Nëse i tillë, konsiderohet mbyllja e një televizioni kritik dhe moslejimi i konkurencës ndaj ekraneve servile me të, packa kostos së madhe që do paguajnë taksapaguesit, atëhere me siguri se kemi një arritje këtu.

Sikur, mbyllja e kontratës së punimeve dhe dhënia e tenderit mikut të Taulant Ballës, edhe pse me penalitet mbi 40 milionë euro që edhe këto do paguhen nga taksapaguesit, konsiderohet trofe, edhe këtu kemi të bëjmë me një kurorë vezulluese.

Në qoftë kështu, Rama nuk e ka për gjë të na prijë nga fitorja në fitorje.

Përfitimet për miqtë, fatura për shqiptarët, dhe ja ku dolëm tek Arbitrazhi që Duam.

Dhe ndoshta, nuk kemi parë gjë akoma.