GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Pse po i mohon Rama raportet e ndërkombëtarëve

Mohimi, si mekanizëm mbrojtës lind në mesin e një situate të vështirë. Është një mënyrë për t’i ikur përgjegjësisë dhe tregon se personi refuzon të mendojë, që veprimet e tij mund ta dëmtojnë atë vetë apo të tjerët.

Përgjigjia që Rama i dha organizatës “Reporterë pa kufij”, e cila raportoi se situata e medias në Shqipëri është më e keqja në rajon, ishte shfaqja e fundit e një mohimi të vazhdueshëm, që kryeministri po u bën raporteve ndërkombëtare.

Kohët e fundit nuk dëgjon për reflektim, apo korrigjim të situatës. Ka vetëm mohim.

Del raporti i Transparency International që e rendit Shqipërinë ndër të fundit për perceptimin e korrupsionit; Rama thotë se “nuk i beson kësaj transparence për asnjë sekondë, se vendi ka bërë përparime”.

Del raporti i Departamentit të Shtetit, që thotë se korrupsioni është i përhapur në të gjithë shtetin; Rama thotë se ka “aq shumë copy-paste nga një vit më parë sa nuk figurojnë as arritjet që DASH i ka thënë vetë gjatë vitit”.

Del raporti i Freedom House që e përshkruan Shqipërinë si një vend ku vota manipulohet dhe ku nuk ka asnjë përparim në kriteret e demokracisë; Rama e kalon në heshtje.

Tani në fund, me raportin e Reporterëve pa Kufij, kryeministri e lëshoi akoma më shumë gojën duke i konsideruar konstatimet “fantazi”, “gënjeshtra” dhe “tallje”.

Si për t’i vënë kapak temës së raporteve ndërkombëtare, u tha gazetarëve se “raportet që meritojnë të lexohen janë shumë pak” dhe këtu veçoi atë të progresit të Komisionit Europian. “Kam mësuar të jem selektiv në leximin e tyre se një pjesë e tyre nuk janë të besueshëm” ishin fjalët me të cilat e mbylli këtë temë.

Përgjigje të tilla jepen vetëm muajt e fundit, se më parë reagimet ishin të tjera. Për shembull, nëse një raport i DASH fliste për Shqipërinë si vend burim i prodhimit të drogës, atëherë thuhej se Shqipëria “nuk u bë burim i rëndësishëm i prodhimit të marihuanes as vjet e as parvjet, po njihej si i tillë nga DASH që para se të merrnim detyrën”.

Ose, nëse në 2016, Shqipëria renditej pak më lart në indeksin e perceptimit të korrupsionit nga Transparency International, Rama i gëzohej raportit dhe ngacmonte opozitën me ironi. “Njoftoni SHQUP-in për këtë skandal” shkruante kryeministri kur TIA e vlerësonte dhe ai e besonte.

Kur ndodhte një skandal fajësohej fenomeni i krijuar nga qeverisja e Berishës. Thuhej se administrata sapo ishte trashëguar nga PD, se duhej kohë që reformat t’i jepnin efektet apo se administrata duhej pastruar nga shushunjat e aleatëve.

Në mandatin e tretë, qasja ka ndryshuar. Pas 9 vitesh në pushtet nuk pi më ujë teoria “Fajin e ka Saliu”, ndërsa opozita nuk mund të fajësohet për asgjë, kur ende nuk e ka marrë veten nga humbja e 25 Prillit.

Për 8 vjet, Rilindja fajësoi qeverisjen e Saliut, aleatët e LSI, gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, mediat e frontit të së keqes, presidentin dhe ndonjëherë edhe ndonjë “dru të kalbur” në radhët e miqve dhe shokëve të partisë.

Për pak muaj i bëhen 9 vite që drejton vendin. Përgjegjësinë nuk ka kujt t’ia kalojë tjetër. Vetë nuk e ka mbajtur ndonjëherë. Nuk i mbetet tjetër vetëm se të mohojë raportet e ndërkombëtarëve, që thonë se vazhdojnë njësoj në këtë vend si korrupsioni endemik, si trafiku i drogës, si kapja e mediave etj.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More