Pse shumë aeroplanë janë me ngjyrë të bardhë? E ka një shpjegimi shkencor (dhe jo vetëm)
Fluturojnë në qiell dhe na çojnë nëpër botë duke pasur pothuajse gjithmonë të njëjtën ngjyrë. Më poshtë do ju sqarojmë përsenë nga një këndvështrim shkencor dhe jo vetëm
Që nga shpikja e aeroplanit (1903), kurioziteti njerëzor për këtë mjet transporti ka qenë gjithmonë i pangopshëm. Shpesh i kemi bërë vetes pyetje të shumta në lidhje me këtë specie zogjsh elektronikë, megjithatë, kjo dëshirë e pakontrollueshme për të pasur përgjigje duket nuk pushon kurrë.
Ndoshta, një nga enigmat që do ju pëlqente të zgjidhni ka të bëjë me ngjyrën. A keni vënë re ndonjëherë se shumica e tyre janë gjithmonë me të njëjtën ngjyrë? Një numër i madh aeroplanësh janë të bardhë, dhe sot ne do ju tregojmë arësyen shkencore (dhe jo vetëm) të kësaj zgjedhjeje.
Le të fillojmë nga fillimi: e bardha nuk është ngjyra e preferuar e të gjitha linjave ajrore. Por nëse e vini re, në përgjithësi, ajo që ka më shumë ngjyrë tek aeroplanët janë krahët e tij, bishti dhe pjesa e motorit të tij. Ndërsa pjesa tjetër, tek shumë avionë është e njejtë: ngjyrëe bardhë elegante.
I pari që jep një shpjegim shkencor për këtë vendim pothuajse universal është John Hansman i MIT Aeronautics. Profesori thotë se e bardha reflekton më së miri rrezet e diellit dhe, si rrjedhojë, kabina mban një temperaturë më të freskët që lejon mbrojtjen më të madhe të pjesëve më delikate të aeroplanit.
Nëse mendoni mirë, është e njëjta gjë që ndodh gjatë verës, kur lyhemi e përlyhemi me krem solar të bardhë për t’u mbrojtur nga rrezatimet. Ose, zgjedhja për t’u veshur me rroba të lehta dhe të bardha, në mënyrë që të mbrohemi më mirë nga efektet e padëshiruara të nxehtësisë.
Një arsye tjetër pse preferohet boja me këtë ngjyrë është faktori siguri. Rezultatet e një studimi të kryer në vitin 2011 nga National Wildlife Research Centre, tregojnë se kjo ngjyrë e pastër ofron mbrojtje më të madhe se të tjerat. Faktikisht, është më e lehtë të dallosh një objekt të madh të bardhë (në këtë rast një aeroplan) në qiell dhe, për rrjedhojë, ta shmangësh atë.
Kjo gjë bën të mundur që linjat ajrore të kursejnë mjaft para në rast dëmtimesh të shkaktuara nga p՞rplasjet e mundshme me objekte të tjeraose, madje, edhe nga të tjerë avionët që janë në fluturim (gjë që më pas do të sillte edhe probleme të tjera shumë më serioze).
Por prapa gjitha këtyre arsyeve shkencore, praktikisht ka edhe shumë arsye të tjera thjesht ekonomike. Ngjyra e bardhë është sigurisht një nga ato më pak të kushtueshme, dhe kjo është e rëndësishme dhe e dobishme përsa i përket kursimeve monetare. Për më tepër, aeroplanët janë mjete që lëvizin në mënyrë të vazhdueshme e që pëballen vazhdimisht me motin e keq, të të gjitha shkallëve dhe llojeve, e që shkatërrojnë ndjeshëm pamjen e strukturës së jashtme.
Një ngjyrë tjetër, e ndryshme nga e bardha do të kërkonte mirëmbajtje të vazhdueshme, për të mos përmendur gjithashtu se do të rrezikonte të oksidohej shumë më lehtë. Pra, ngjyrosja me të bardhë bëhet një zgjedhje shumë logjike edhe sepse fluturimi me aeroplanët e rrënuar nuk do të ishte absolutisht një kartë e mirë biznesi për t’iu paraqitur pasagjerëve.
Shkaku i fundit në bazë të kësaj preferencë është faktori teknik. E bardha, në fakt, i tregon qartë shenjat e gërryerjes, duke lënë gjurmë me ngjyrë të errët. E gjithë kjo thjeshton mundësinë e identifikimit të dëmeve të mundshme strukturore ose të tjera, të cilat duhet të riparohen.
Me pak fjalë, zgjedhja e të bardhës nuk është e rastësishme dhe përfshin arsye që shkojnë nga mbrojtja tek parandalimi e deri në përballueshmërinë ekonomike. Gjithmonë është mirë të nënvizohet, që edhe linjat ajrore të cilat preferojnë të udhëtojnë me mjete me ngjyra të tjera, janë po aq të sigurta. Ata thjesht vendosin të përqëndrohen në një imazh të ndryshëm dhe që rrjedhimisht i detyron ata për një mirëmbajnë më të shpeshtë.