Punëtorët që marrin arratinë nga kriza
The Economist, Mbretëria e Bashkuar
Vështirësitë ekonomike po shkaktojnë një eksod, nxitur edhe nga qeveria, e cila synon për remitancat. Por në këtë mënyrë vendi humbet burime të rëndësishme
Në kulmin e krizës ekonomike të vitit të kaluar në Sri Lanka, rradhët e gjata për karburant dhe gaz për përdorim shtëpiak ishin njësoj vetëm me ato përpara zyrave të imigracionit dhe emigracionit. Gati 875,000 pasaportat e lëshuara nga autoritetet vendase më 2022 kanë qenë rekordi i të gjitha kohërave. Shumica e njerëzve të rreshtuar para ndërtesës anonime në Colombo nuk po mendonin për pushime post-pandemike. Ata ishin punëtorë që iknin nga varfëria, inflacioni dhe pasiguria.
Sipas të dhënave zyrtare, më 2022, treqind mijë nga njëzet e dy milionë banorët e Sri Lankës u larguan nga vendi për të punuar jashtë vendit. Shumica, punëtorë të pakualifikuar ose gjysmë të kualifikuar. Nga janari deri në mars të këtij viti janë larguar edhe 73 mijë persona të tjerë, eksodit iu bashkuan edhe profesionistë të shtresës së mesme.
Në shumë sektorë, drejtuesit e kompanive raportojnë një hemorragji të personelit të specializuar, përfshirë menaxherë, të nevojshëm për të formuar punonjësit e rinj. Kompanitë, ishin mësuar me humbjen e fuqisë punëtore të moshave midis njëzetepesë dhe tridhjetepesë vjeçe – veçanërisht në fushën informatike dhe në të tjera profesione mjaft të kërkuara – por tani po largohen punonjësit më ekspertë, ata midis dyzetë dhe pesëdhjetë vjeç.
Kriza ofron shumë arsye të mira për t’u larguar. Në shkurt, norma e inflacionit ishte 50.6 për qind. Pagat nuk arrijnë të mbajnë ritmin, ndërsa taksat rriten. Në janar, Presidenti Ranil Wickremesinghe, i zgjedhur nga parlamenti në korrik 2022 pas dorëheqjes së Gotabaya Rajapaksa, vendosi taksa të reja për të zëvendësuar ato që Fondi Monetar Ndërkombëtar – i cili kohët e fundit ka miratuar një paketë ndihme të pritshme për Sri Lankën me vlerë 2.9 miliardë – i ka përkufizuar “një nga nivelet më të ulëta të të ardhurave në botë”. Taksa mbi të ardhurat kryesore, e cila qëndron në 36 për qind, është ende shumë e ulët. E megjithatë parashikimet e partisë opozitare Pushteti Popullor Kombëtar, sipas së cilës rritja e taksave do të shkaktojë “ikje më të madhe të trurit” në historinë e vendit, mund të rezultojnë të sakta.
Punësimi përmes rrjeteve sociale
Ka agjenci të huaja rekrutimi që punësojnë të rinj profesionistë nëpër rrjetet sociale, thotë Rajitha Seneviratne, një kontrollor i trafikut ajror 37-vjeçare që po shqyrton një ofertë nga Lindja e Mesme. Në shkurt, sindikata e tij paralajmëroi se nëse emigrojnë “edhe katër ose pesë” anëtarë të tjerë, i gjithë sistemi i kontrollit të trafikut ajror mund të shembet.
Largimi i mijëra të tjerëve të rinj informatikë kërcënon të dëmtojë një nga sektorët ekonomikë me rritje më të shpejtë në Sri Lanka. janë larguar me qindra mjekë, 477 nga janari deri në gusht 2022. Nëse eksodi vazhdon, spitalet nëpër zonat rurale do të paralizohen. Së shpejti “nuk do të ketë më njeri që të shërbejë një gotë verë në ndonjë hotel”, duket se ka bërë shaka Presidenti Wickremesinghe.
Pavarësisht kësaj, qeveria po inkurajon në mënyrë aktive eksodin, si për të lehtësuar shpenzimet për pagat e sektorit publik ashtu edhe për të rritur të ardhurat nga jashtë, të cilat janë burimi kryesor i valutës së huaj në vend. Mjekët në arrati po përfitojnë nga një nxitje për nëpunësit civilë të prezantuar nga qeveria në qershor 2022: deri në pesë vjet pushime pa pagesë në këmbim të dërgesave nga 100 deri në 500 dollarë në muaj nëse ata gjejnë punë në një vend tjetër.
Ministri e Punësimit të jashtëm Manusha Nanayakkara po teston skema të ndryshme për t’i shtyrë punëtorët nga srilankezë të emigrojnë. Zyrat e tij shpërndajnë oferta vendesh të lira pune me qeveritë e huaja. Një grup WhatsApp dhe një kanal YouTube i quajtur “rata yamu” (të ikim jashtë shtetit) reklamon vende pune që srilankasit mund t’i përfitojnë përmes një agjencie shtetërore.
Qeveria po inkurajon gjithashtu trajnimin e infermierëve, punonjësve të kujdesit dhe profesionistëve të tjerë për të cilët jashtë vendit ka një kërkesë të madhe për njerëz nga Sri Lanka, veçanërisht në Kuvajt, Katar dhe Arabinë Saudite, venddestinacione me më shumë se 40 përqind të emigrantëve. Po hapen qendra të reja për orientim karriere profesionale, disa edhe me ndihmën e sektorit privat.
Këto masa duket se kanë pasur efektin e dëshiruar. Pas një rënieje të regjistruar më 2022, të ardhurat nga jashtë vendit kanë qenë në rritje katër muajt e fundit. Megjithatë, ekziston rreziku i qartë që duke larguar talentet e saj më të mirë, Sri Lanka po privohet nga njerëzit që i nevojiten për të rindërtuar ekonominë e saj. Vetë Nanayakkara pranoi se mungesat e personelit të kualifikuar tashmë po shfaqen në sektorë të tillë si prodhimtaria apo mikpritja. Disa kompani private kanë ndërmarrë kundërmasa modeste. Disa sipërmarrës të sektorit informatik kanë lançuar shpërblime të majme për besnikërinë e punonjësve. Një prodhues i madh çaji, Dilmah Ceylon Tea, po sigurohet që rritjet e fundit e taksave të mos ndikojnë në pagat e punonjësve. Por, thotë CEO Dilhan Fernando, “pasiguria për atë që do të ndodhë nesër” vazhdon të jetë një arsye e mirë për të emigruar.
Përgatiti për gazetatjeter.com, Dardan MITROVICA