GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Qëndrimi i Bashës i shërben vetëm Edi Ramës

Përpjekjet e Lulzim Bashës për të qëndruar në krye të Partisë Demokratike pas disfatës së 6 marsit, morën një goditje të rëndë mbrëmjen e së hënës, kur shumica e grupit parlamentar i kërkoi largimin. Ishin ata që e kishin mbështetur me mendimin se shumica e demokratëve do të ishin me ta, që e besuan ose bënë sikur e besuan që rruga komode e mbajtjes së vulës, selisë dhe logos, bashkë me ndihmën e SHBA, do e çojë në dështim Berishën, siç çoi në dështim Pollon në vitet 2000, apo Patozin dhe Jozefinën në 2021.

Ata nuk u shqetësuan për mënyrën se si Lulzim Basha e përzuri një pjesë të partisë, nuk u shqetësuan për injorimin e votës për personalizmin e vendimeve më të rëndësishme, as për ndarjen që po kërcënonte partinë. Dje u shqetësuan sepse panë të ardhmen e tyre tek 6 marsi. Panë që nuk do të zgjidhen dot më, që kanë bërë projeksionin e gabuar për karrierën politike. Reagimi ishte i nxitur nga instikti vetëmbrojtës, jo nga analiza e ngjarjeve, jo nga parimet e shkelura, ishte genuin, si rrjedhim i paparagjykueshëm dhe i pakontestueshëm.

Pas mbledhjes së djeshme, Lulzim Basha nuk mund të fajësojë më Foltoren, non gratat dhe propagandën. As masakrën elektorale që e nxjerr vazhdimisht humbës. Dorëheqjen ia kërkuan 2 nënkryetarë të propozuar nga ai vetë, deputetë të future në lista nga ai vetë, njerëz që i qëndruan afër pavarësisht presionit nga Foltorja. Ajo që ndodhi mbrëmjen e së hënës, tregon se ka një mundësi për bashkimin e Partisë Demokratike mbi bazën e votës së lirë. Mjafton dorëheqja e Lulzim Bashës, që të hapet rruga që debatet që e ndanë kaq shumë forcën më të madhe të opozitës, ta rikthejnë bashkë, duke rezpektuar vendimin e anëtarësisë.

Varianti tjetër është që Basha të thërrasë mbledhje të tjera, si ajo e sotmja, me shpresën se do ta mbështesin kryetarët e degëve, të organizojë Këshillin Kombëtar për të përjashtuar kundërshtarë të tjerë, të vazhdojë të rrudhë Partinë Demokratike, të zërë padrejtësisht ulëset e opozitës në Kuvend, duke sabotuar opozitën në zgjedhjet lokale të 2023 dhe të përgjithshmet e 2025. Ai nuk frymëzon më, nuk organizon, nuk konkuron dot më me askënd, vetëm mund ta rrudhë PD-në në pikën që mund t’i shërbejë Rilindjes vetëm për çarjen e votave të opozitës.

Qëndrimi i tij në krye të PD-së, tani është një problem për gjithë opozitarizmin. Ata që u dekurajuan të votonin në 6 mars, duke e kuptuar që Rama do të fitonte për shkak të përcarjes, do të sillen njësoj edhe në zgjedhjet e ardhshme, nëse Basha ruan asetet e PD-së me Gardën e Republikës dhe FNSH. As faktorët politikë, as faktorët civilë nuk do ta shohin më PD-në dhe as “Shtëpinë e Lirisë”, si instrument për rrëzimin e Ramës , për sa kohë të jenë të përcarë. Krijimi i një fronti opozitar do të ishte i pamundur, projekti “Shqipëria 2030” më i realizueshëm.

Lulzim Basha nuk e ka më me Sali Berishën. Beteja e tyre përfundoi në 6 mars. Ai tani e ka me gjithë të pakënaqëurit nga qeverisja, me ata që duan të shpëtojnë nga një pushtet totalitar që ka kapur Shtetin për të bastisur pronën publike dhe xhepat e qytetarëve. Ka 2 rrugë; të qëndrojë për të përçarë opozitën dhe t’i shërbejë Edi Ramës për një mandat tjetër, ose të largohet dhe të hapë rrugën për një process që mund ta nxjerrë PD-në të bashkuar dhe të hapur, për të provuar ndryshimin në 2025. Çdo ditë më shumë në krye të PD-së, është shërbim për Edi Ramën.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More