Qingji “tigër” pi gjithë kopenë e Ramës

“Ky 4-vjeçar do të jetë plot surpriza, do kesh fat në karrierë, dashuri, shumë para, udhëtime jashtë vendit, inceneratorë dhe influencë në ndërtime, pra para e madhe dhe pushtet do të lundrojnë për ty”. Kështu mund t’i ketë thënë Arben Ahmetajt një “kryefallxhor” dhe ashtu ndodhi. Do të jetë zëvendëskryeministër, pra numri dy në hierarkinë qeveritare dhe për shumë kohë do të bëjë numrin një, pasi edhe në këtë mandat kryeministri “de jure” Rama do lërë Ahmetajn të drejtojë mbledhjet e qeverisë në mungesë dhe me autorizim.

Ky është njeriu më me fat edhe brenda PS-së. Nuk ndihet shumë, por ecën shpejt, kap ritmin e kohës dhe kudo ku ka ndonjë aferë, sidomos kur mban era plehra, diku shfaqet Arben Ahmetaj. Është fenomen më shumë se një individ. Di të kafshojë nga të gjithë anët, dikur me Nanon, tashmë me Ramën, por edhe me të tjerë që do të vijnë më pas. Edhe në kohën e Nanos u hetua për afera në privatizimin e Albelecom, apo për kompaninë Hermes që bashkë me impulse telefonike thithte miliona dollarë.

Ja hodhi tërësisht lehtë, pa u ndjerë, pa e vrarë mendjen, sepse drejtësia ishte dhe është si llastikët brekësh që zgjerohet e ngushtohet sipas dëshirës. Vetëmburrja si “tigri i Rilindjes” shkoi përshtat për shumë kohë, por sot është “qingji tigër”, që po pi gjithë kopenë e drejtuar nga Rama. Mjafton një “blegërimë” për t’iu afruar të gjithë “delet oligarkike” në rresht për të dhënë qumështin e pushtetit dhe ushqyer veten e majmur shumë e më shumë me tendera dhe konçesione, sidomos në fushën e ndërtimit.

Beni është gjithnjë aty, si një “ar i çmuar” në duart e Ramës. Sepse ai di të shpërndajë atë që merr, pra “njohuritë e tij”… Nga ana profesionale, nëse do i hiqnin anglishten, do dilte me 8-vjeçare, por kjo nuk është problem, pasi edhe nëse Ramës do i hiqnin pikturën, do dilte po me arsim 8-vjeçar.

Megjithatë Beni është fenomen, jo më një individ politik që herë bien në opozitë dhe herë ka pushtet. Në Rilindje merret si shembull sesi mund të jesh gjithnjë në majë të karrierës edhe kur emri të përflitet për lidhje me biznesmenë që kanë probleme edhe ndërkombëtare me ligjin, apo për dyshime mbi afera të rënda në inceneratorë që djegin jo vetëm plehra, por mbi të gjitha paranë publike, duke shpërndarë si tym kancerogjen vetëm korrupsion që mban pushtetin.

“Me shumë përgjegjshmëri dhe me shumë emocion, nuk kam pse ta fsheh se është përgjegjësi e madhe. Dhe vazhdojmë projektin e Rilindjes me kryeministrin Rama”, ka deklaruar Ahmetaj. Emocion i madh, e kush mund ta priste. Madje shumë brenda oazit të Rilindjes mendonin se nuk do kishte vend për të në qeverinë “Rama 3”, pasi qoftë edhe për imazh kryeministri do të tentonte të afronte emra tërësisht anonim për të “larë” disi mëkatin e madh të një qeverisje 8-vjeçare mes akuzave të rënda për korrupsion masiv. E kishin të gjithë gabim. Asgjë nuk ka ndryshuar, asgjë nuk do të ndryshojë.

Suksese në detyrën e re, lart e më lart. Rilindja ka nevojë për tigra dhe sorkalle që “hedhin valle” nën barkun e ujkut alfa…!

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.