Red VARAKU – Çfarë po prodhon braktisja e rrugës së integrimit drejt BE?

Një nga arsyet themelore pse regjime autoritare si ky i yni qëndrojnë gjatë në pushtet, është legjitimimi ndërkombëtar.

Njohja dhe legjitimimi ndërkombëtar i regjimeve të tilla nuk shërben vetëm si konfirmim i pushtetit të tyre për agjentët e brendshëm, por shërben dhe si liçensë për të sulmuar opozitën, ndërsa, mungesa e legjitimimit e çon automatikisht vendet respektive dhe rajonin në kaos.

Dy janë autoritetet që vendosin vulën për legjitimimin ose jo të një qeverie, SHBA dhe BE.

SHBA-të kanë dëshmuar që janë qartazi në mbështetje të autokracive në Ballkanin Perëndimor, madje në rastin e shqiptar fare brutalisht, duke injoruar hapur raportet ndërkombëtare, përfshi këtu dhe raportet e vetë DASH dhe raportin e OSBE/ODHIR.

SHBA ka treguar se mbështet regjime dhe qeveri të korruptuara për interesat e saj thjesht pragmatike, që i shërbejnë për të mbajtur rolin e saj si superfuqi e padiskutueshme botërore dhe shembujt janë pafund.

Në rastin konkret, këtë të vërtetë e pranoi vetë i dërguari special i SHBA në BP kur sulmoi BE -në për bllokimin e integrimit që iu bë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut këtë qershor, kur nuk tha asnjë fjalë për demokracinë dhe sundimin e ligjit , por tha se kështu BE po dëmtonte drejtpërdrejtë interesat e SHBA.

Ndërsa, BE ka dëshmuar që nuk e mbështet krijimin e autokracive të reja në Ballkan, sepse ato prodhojnë  kërcënim të drejtpërdrejtë për vetë egzistencën e BE, ndaj ka bllokuar procesin e integrimit, që është një fakt i pakapërcyeshëm që provon qartazi që ajo këto regjime as nuk i njeh dhe as nuk i mbështet.

BE ka dëshmuar që ka qenë gjithmonë në mbështetje të zgjedhjeve të lira, demokracisë dhe sundimit të ligjit në rajon dhe ka investuar jo pak. Ajo e ka përdorur integrimin e vendit si presion për të avancuar demokracinë dhe si presion që ka prodhuar reforma shumë të rëndësishme për shtetet përkatëse.

Pra, po të zbresim në terma të thjeshtë dokumentit ndërkombëtar që legjitimon këto qeveri, i mungon një vulë, vula e Bashkimit Europian dhe sa kohë kjo qeveri nuk e ka dhe vulën e BE, ajo mbetet gjysëm legjitime në sytë e ndërkombëtarëve dhe vetë shqiptarëve.

Mosnjohja e kësaj qeverie nga BE është dhe devijimi më i rrezikshëm jo vetëm për stabilitetin dhe demokracinë në rajon, por dhe për vetë interesat e SHBA-ve.

Kjo sepse integrimi ka qenë prej kohësh rruga që e ka mbajtur këtë rajon në shinat e demokracisë dhe braktisja e rrugës së integrimit e kthen menjëherë këtë rajon në një gheto të Rusisë apo Kinës.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.