GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Rënia e fluturimeve të udhëtarëve, një problem i madh edhe për postat ndërkombëtare

Normalisht një e treta e stivave të avionëve të pasagjerëve përdoret për transportin e pakove dhe letrave: për shkak të pandemisë është bërë më i ndërlikuar dërgimi i tyre

Normalisht, më shumë se 30 përqind e hapësirës nëpër aeroplanët për transport udhëtarësh përdoret për dërgesa pakosh: kush merr një avion për të shkuar me pushime nuk e kupton, por një pjesë e madhe e stivës së avionëve është e rezervuar për transport postar. Mbi një Boeing 777, për shembull, mund të transportohen gati 20 ton mallra. Rreth 40 përqind e të gjithë mallrave që transportohen nga ajri çdo vit udhëtojnë me avionë pasagjerësh. E keni kuptuar se ku duam të shkojmë: duke qenë se mijëra fluturime të planifikuara janë anuluar për shkak të pandemisë COVID-19, probleme të mëdha kanë shpërthyer edhe nëpër posta.

Në mars, hapësira e disponueshme për ngarkesë në fluturimet e pasagjerëve ishte 44 përqind më pak se një vit më parë, sipas të dhënave nga International Air Transport Association. Ndërkohë, janë shtuar fluturimet e avionëve që mbartin vetëm mallra, por edhe kështu kapaciteti i përgjithshëm i transportit ajror është zvogëluar me një të katërtën nga Marsi në Mars 2019-2020. Dhe kostot e transportit ajror për mallrat dhe postën janë rritur, deri në trefish në disa raste. Për këtë arsyeja disa kompanive u është dashur të zgjedhin për të dërguar mallrat e tyre më mirë nga deti – më i ngadalshëm, por më i lirë – sesa nga ajri. Nga ana tjetër atyre që, për të respektuar ndonjë premtim mbi afatin e dorëzimit ose për shkak të skadimit të produkteve të tyre, nuk mund të lejojnë zgjatje në kohë, iu është dashur të përballen me shpenzime më të larta. Gjërat janë bërë edhe më të komplikuara sepse muajt e fundit, për shkak të kufizimeve në udhëtim, shumë më tepër njerëz kanë filluar të bëjnë blerje online me dorëzim në shtëpi.

Avionët e pasagjerëve janë një mjet i dobishëm për transportin postar, sepse lidhjet aktive për transportin e njerëzve janë shumë më kapilare dhe të shpeshta sesa ato vetëm për transportin e mallrave. Dorëzimet e sendeve të blera nëpër sitet e-commerce, për të cilin ata që blejnë presin ta marrin porosinë brenda disa ditësh, nuk mund të jenë kaq të shpejtë pa aeroplanët e pasagjerëve.

Wall Street Journal tregon për rastet e disa kompanive që iu ka dashur të bënjnë zgjedhje të komplikuara. Për shembull, kompania e Warren Evans, bashkëpronar i një kompanie që prodhon pajisje gjimnastike në Kinë dhe i shet ato në Shtetet e Bashkuara përmes Amazon: ka marrë shumë më tepër porosi për litar kërcimi kohët e fundit, por në harkun e dy javëve tarifat për transportin ajror nga Shanghai në Chicago janë trefishuar. Evans ka zgjedhur të paguajë diferencën për të garantuar klientëve të tij kohët e zakonshme të transportit, por ai mendon se në të ardhmen e afërt, nëse gjërat nuk ndryshojnë, ai do të përdorë më shumë shërbimet e transportit ujor, ose do të rrisë çmimet e produktit. Kompanitë e tjera thjesht e ndaluan transportin, dhe paralajmëruan klientët e tyre që ata nuk mund t’i merrnin produktet nëpër shtëpi për shkak të pandemisë.

Midis kompanive më të goditura janë shërbimet postare ndërkombëtare. Javën e kaluar US Postal Service, posta amerikane, njoftoi se do të fillojë transportin me anije në 10 vende evropiane. Royal Mail britanik ka thënë se dërgesat ndërkombëtare nuk kanë qenë kaq të ndërlikuara që nga koha e shpërthimit të Eyjafjöll në 2010.

Për të kompensuar zvogëlimin e numrit të fluturimeve dhe për të përfituar nga hapësira e zënë normalisht nga pasagjerët, disa linja ajrore amerikane – American Airlines, United Airlines dhe Qantas – kanë filluar të përdorin kabina për transportin e mallrave. Edhe Lufhtansa, kompania zyrtar e fluturimeve e Gjermanisë, po e bën këtë: në disa aeroplanë pasagjerësh madje ka modifikuar edhe vendet e pasagjerëve. Airbus, prodhuesi më i madh evropian i avionëve, po zhvillon një modifikim në modelet A330 dhe A350 në mënyrë që të jetë në gjendje të ngarkojë në mënyrë stabile paletat e ngarkuara me mallra në shinat ku janë mbërthyer ulëset.

Në Australi gjërat janë më keq se tjetërkund: normalisht midis 80 dhe 85 përqind e mallrave të transportuara nga ajri mbërrijnë në bordet e aeroplanëve të pasagjerëve. Për këtë qeveria ka ndarë subvencione për të financuar transportin ajror të mallrave.

Përgatiti për gazetatjeter.com, Dardan MITROVICA


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More