GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Rënia e konsumit të energjisë nga biznesi është treguesi më besnik se sa ka rënë ekonomia shqiptare

Vehap KOLA

INSTAT na njofton se konsumi i energjisë nga biznesi u ul me 13.4% gjatë tremujorit të dytë.

Me një intuitë aspak të thjeshtë, rënia e prodhimit dhe rrudhja e shërbimeve në ekonomi duhet të jetë më e lartë se kaq.

Sepse biznesi e përdor energjinë për të prodhuar dhe kushdo që bën pak biznes e di raportin ndërmjet energjisë që konsumon dhe shitjeve që realizon.

Nuk është rastësi që edhe rënia e arkëtimeve nga tatimet dhe taksat është 12% gjatë 7 muajve të parë të këtij viti.

Ndërkohë nuk harrojmë vërshimin e tatimorëve në biznese sapo u mbyll karantina. Pra, kanë arkëtuar në mënyrë të përdhunshme, por prapë të ardhurat lëngojnë me 12%.

Dhe të mos harrojmë se të ardhurat nga tatimet dhe doganat nuk po realizoheshin as në tremujorin e parë përpara karantinës.

Një shenjë tjetër që po jep ekonomia e keqe është ulja e pagave në sektorin privat, sidomos nga bizneset VIP.

Duhen pritur edhe statistikat nga turizmi, por një rënie 40-50% në këtë sektor është e pritshme.

Kjo vjeshtë do të jetë bajagi e zymtë për shqiptarët, veçanërisht për ata që nuk marrin një rrogë apo dy nga sektori publik.

P.s. një pjesë e bizneseve dhe familjet në tërësi kanë marrë gjatë muajve të fundit faturime aforfe më të larta se konsumi real i energjisë.

You might also like