GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Rusët miratojnë Kushtetutën e re, ‘car’ Putini mbret deri në 2036

Të dhënat e numërimit të pjesshëm ‘japin ‘po’ në mbi 77%. Putini do të mbretërojë përsëri në Kremlin edhe për 16 vjet të tjerë

Midis protestave të pakëta, infeksioneve pak më pak se 7 mijë raste në ditë dhe halleve për kushtet ekonomike të vendit kur do të fillojnë të ndjehen pasojat e krizës së shkaktuar nga Covid-19, rusët votuan për reformën e Kushtetutës me të cilën kosolidohet putinizmi, sistemi i pushtetit të centralizuar fuqishëm në duart e presidentit dhe në bazë me një ideologji të frymëzuar nga patriotizmi dhe vlerat konservatore.

Rezultatet paraprake të shtatë ditëve të votimit – të mbajtura online, në shtëpi, jashtë dhe në vendvotimet tradicionale e të lëvizshme për të shmangur grumbullimet por edhe për të inkurajuar pjesëmarrjen – fiksojnë një po në 73.5% dhe me 26.5% të votave në numërim e sipër. Votimi, i cili duhej të zhvillohej në 22 Prill, u shty për shkak të pandemisë, por Kremlini nuk mund të priste më: shumë i lartë rreziku që në vjeshtë pasojat e krizës të mund të prishnin konsensusin për Putinin, tashmë në rënie për shkak të një sërë arsyesh, përfshi menaxhimin e krizës shëndetësore. Zemra e paketës së amendamenteve është zerimi i mandateve presidenciale të Putinit, që formalisht zgjidh – por vetëm duke e shtyrë – ‘dilemën e zëvendësuesit’, mbi të cilën po silleshin e përcilleshin debatet në vend në pritje të 2024, kur problemi kushtetues i dy mandateve të njëpasnjëshme nuk do të kishte lejuar më ish-agjentin e KGB-së të kandidonte për Kremlinin.

Ndryshimet e tjera ‘politike’ i japin presidentit kontroll më të madh mbi ekzekutivin, riafirmojnë përparësinë e ligjit rus mbi të drejtën ndërkombëtare, e bëjnë të pakthyeshme aneksimin e Krimesë dhe e shndërrojnë Këshillin e Shtetit në një organ kushtetues. Ato kamuflohen prej një kornize ndryshimesh ‘populiste’ si indeksimi i pensioneve të paktën një herë në vit, paga minimale në ose mbi koston e jetesës, futja e “besimit në Zot” si themel i shtetit dhe përkufizimin e martesës si një bashkim midis burrit dhe gruas. Për të inkurajuar rusët të shkojnë për të votuar, duke ndjekur një praktike të stilit sovjetik, Komuna e Moskës lançoi një program ‘çmimesh’ me dy milion kupona për t’i dhuruar votuesve për blerje mallrash dhe shërbimesh deri në fund të vitit 2020, duke e shpjeguar atë si një iniciativë për “stimulimin e konsumit”.

E njëjta gjë ndodhi edhe në rajone të tjera, ku qeveritarët lokalë kanë ofruar makina ose ulje çmimesh në restorante. Denoncime të shumta, siç ka ndodhur tashmë në të gjitha votimet ruse, për presionin ndaj punonjësve të administratës publike dhe të enteve të mëdha shtetërore që të votonin për po-në. Opozitari Aleksei Navalny kishte bërë thirrje për bojkotim të votimeve dhe disa vëzhgues të pavarur raportuan dhunë dhe mashtrime, të hedhura poshtë nga Kremlin si “fake news”. Nuk munguan as rotestat, pavarësisht ndalimit të grumbullimeve: rreth 300 njerëz u mblodhën në Moskë në Sheshin Pushkin nën sloganin “Jo për Putinin e përjetshëm”. Një formë tjetër e kundërshtimit, në mediat sociale, ishte postimi i votave me kuadratin ‘jo’ të kryqëzuar. Ndërsa në mëngjes, policia kishte ndaluar në Sheshin e Kuq tetë aktivistë të cilët kishin dizenjuar përtokë numrin 2036 me trupat e tyre, afati i fundit që do të arrijë Vladimir Vladimirovich për të qëndruar në Kremlin tani.

Përgatiti për gazetatjeter.com, Dardan MITROVICA


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More