“Rusia trajton Serbinë si Hamasi – dëshmitarë për fundin e një superfuqie”

Sebastian ZONJA

Rusia po jep shpirt në rendin ndërkombëtar. Zgjatimi i konflikteve në kontinente të ndryshme – Afrikë, Azi dhe Evropë – tregon se cari në Kremlin s’i ka punët mirë. Fat dhe tragjedi për atë popull të mrekullueshëm. Rusia po bën ç’është e mundur që të ruajë statusin e saj duke përhapur deziformata, konspiracione dhe konflikte rajonale.

Diplomati veteran Henri Kisinger gjatë një interviste të fundit për situatën në Lindjen e Mesme bashkëlidhi luftën në Izrael me atë në Ukrainë. “Agresioni i vazhdueshëm i Rusisë në Ukrainë i kombinuar me sulmin e Hamasit ndaj Izraelit përfaqëson një sulm themelor ndaj sistemit global”, tha Kisinger.

Duke parë këto dy pika të rëndësishme të rendit global, njëra për sa i përket ambicies imperiale të Rusisë dhe tjetra që ndikon drejtëpërdrejtë në arkitekturën e sigurisë së Lindjes së Mesme, me gjasë, po bëhemi dëshmitarë të rropullimës dhe zhurmës që ka një superfuqi që shuhet dhe nuk do që të largohet pa lënë shenjën e saj.

Ne e dimë mirë këtë skenar, sepse e kemi të freskët përdorimin e Serbisë si mashë për të çelur një konflikt në Ballkan, duke inskenuar një sulm terrorist në veri të Kosovës për t’i vënë flakën krejt Ballkanit. Media italiane “Le Repubblica” kishte një shkrim për dyshimet se Vagnerat rusë ishin në Beirut për të parë nga afër apo marrë pjesë në përshkallëzimin e mundshëm të luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Janë po ata mercenarë që me urdhër të Rusisë u gjendën gjatë trazirave edhe në veri të Kosovës. Është e trishtë të shohësh se si shteti serb sillet si Hamasi dhe Hizbollahu. Kemi një shtet që financon terrorizmin shtetëror në kufi me ne.

Rusia, dikur një fuqi e madhe në rendin ndërkombëtar, sot po bën zhurmë me rënien e saj nga skena botërore. Tentativa për të përshkallëzuar luftën në Ballkan, në Lindjen e Mesme, Afrikë e gjetkë tregon shkallën e saj të përfshirjes në rendin ndërkombëtar dhe humbjen e kësaj peshe.

Në daljen e tij publike të fundit në Forumin Valdai në Soçi, presidenti rus Vladimir Putin foli për një rend shumëpolar – tezë pak a shumë e koncertit evropian të fuqive në shekujt e shkuar.

Faktikisht, teoricienët e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk e pranojnë një rend me shumë fuqi, pasi nuk mund të ketë një rend të tillë në realitet. Në letra dhe leksione katedrash ai rend mund të ekzistojë, por realiteti gjeopolitik tregon se do të kemi gjithnjë hieraki fuqish. Ndërsa Rusia e humb peshën e saj ushtarake dhe ekonomike, Bashkimi Evropian nuk ka fuqi ushtarake dhe është nën hegjemoninë e NATO-s, ajo që kuptojmë është se rendi po riformatohet mes SHBA-së dhe Kinës – dy aktorët më të rëndësishëm global (ushtarakisht, politikisht dhe ekonomikisht).

Përshkallëzimi i konfliktit, një skenar që askush s’e dëshiron

Frika e gjithë aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë është mundësia e përfshirjes së Iranit në luftë apo përshkallëzimi i luftës me të. Sipas të gjitha gjasave, kjo do të sillte skenar apokaliptik për sa i përket valës së emigracionit që do përmbyste Turqinë dhe Evropën, duke falimentuar një shtet lider në rajon si Turqia dhe një kontinent të tërë.

Po ashtu, brenda këtij skenari do të kishim një vatër të frikshme terrorizmi që do përhapej në gjithë botën dhe që s’ka asnjë të krahasuar me atë që pamë me ISIS-in.

Çdo lider serioz po i ruhet një skenari të këtillë, ndërkohë që disa trutharë allatramp s’e kanë për gjë të flasin qesim dhe pa pikë përgjegjësie. Fatin e trutharëve të këtillë që flasin pa asnjë përgjegjësi njerëzore, politike apo shkencore e përshkroi me një paragraf intelektuali izraelit Juval Harari në shkrimin e tij të fundit për luftën Izrael – Hamas: “Shpjegimi i vërtetë për mosfunksionimin e Izraelit është populizmi dhe jo çdo imoralitet që supozohet. Për shumë vite, Izraeli është qeverisur nga një njeri i fortë populist, Benjamin Netanyahu, i cili është një gjeni i marrëdhënieve me publikun, por një kryeministër i paaftë. Ai ka preferuar vazhdimisht interesat e tij personale mbi interesat kombëtare dhe e ka ndërtuar karrierën e tij në ndarjen e kombit kundër vetvetes. Ai ka emëruar njerëz në poste kyçe bazuar tek besnikëria më shumë se tek kualifikimi, ka marrë meritat për çdo sukses, duke mos marrë kurrë përgjegjësi për dështimet dhe duket se i jep pak rëndësi thënies apo dëgjimit të së vërtetës”.

Ajo që kuptojmë nga intelektualë si Harari dhe shumë të tjerë që flasin të baraspeshuar në një situatë kaq tragjike, është se botën e mban më këmbë morali i elitave intelektuale, jo uria e fajdexhinjve që cilësohen elitë financiare.

Industria e luftës, ajo farmaceutike, ajo e naftës apo diçka tjetër janë gjithnjë avantgardë për të shpërthyer luftë kudo në botë, mjaft që të shiten ilaçe, armë dhe naftë. Ndërkohë, pa fuqinë e fjalës dinjitoze të gazetarëve, filozofëve dhe shkrimtarëve që mbrojnë të dobtin dhe përkrahin drejtësinë, bota shkon për lesh nga të ashtuquajturit financierë dhe kapitalistë.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.