Saint-Just, kryeengjëlli i terrorit

I pashëm si një engjëll, i lig si një djall: revolucionari më i ri i vitit 1789 e zhyti Francën në një lumë gjaku dhe makthe dhune të paparë ndonjëherë që, në fund, e mbyti edhe atë vetë

Në kolegjin prestigjioz të Oratorianëve në Saint-Nicolas, të Soissons, menjëherë pas vitit 1780 docentët u mblodhën për të diskutuar mbi sjelljen e njërit prej nxënësve të tyre më premtues: ai kishte pasur idenë e çuditshme për të arreduar dhomën e tij me perde të zeza dhe kafka. Me një inteligjencë shumë të gjallë, djali mësonte gjithçka me lehtësi të jashtëzakonshme dhe i kalonte netët i zhytur në leximin e klasikëve grekë dhe latinë; sidoqoftë, kishte diçka shqetësuese për të që bëri që një nga mësuesit e tij të deklaronte: “Ky djalosh do të bëhet një njeri i madh ose një horr”. Emri i djaloshit ishte Louis Antoine Léon de Richebourg de Saint-Just, e do të bëhej të dyja.

Saint-Just pati lindur më 25 gusht 1767 në Decize, një qytezë e vogël në Borgonjë. Familja e tij i përkiste borgjezisë së vogël: babai, një ish xhandar, nëna, vajza e një noteri. Pak pas lindjes së tij, familja Saint-Just u zhvendos në Picardy, në Blérancourt; këtu Louis Antoine u rrit deri në 1777, kur, pas vdekjes së të atit, u dërgua në kolegjin e Soissons. Nxënës i shkëlqyer, por i padisiplinuar, djaloshi u diplomua në 1785 dhe u kthye në Blérancourt dhe një vit më vonë bie në dashuri me Thérèse Sigrade-Gellé, vajzën e noterit lokal. Sjellja e dy të dashuruarve ishte e tillë saqë shkaktoi skandal në qytezë dhe martesa e planifikuar u bë tym; Therese u detyrua të martohej me një shkrues të të atit, ndaj Louis Antoine, i tërbuar, ikën nga shtëpia duke grabutur të gjitha sendet e argjendta të familjes.

Me të mbërritur në Paris, u arrestua pas denoncimit të nënës së tij dhe u ripranua në shtëpi pas një periudhe riedukimi. Bëri dy vjet praktikë pranë një studio legale në Soissons dhe më 1788 u diplomua për drejtësi në Universitetin e Reims. Hapeshin për të dyert e një karriere të mërzitshme në provincë, pasi pati vënë më në fund kokën në vend. Dhe pikërisht në përgjigje të kësaj vetëdije, mbase, Saint-Just filloi të kultivonte ndjenja libertariane në një këndvështrim antimonarkik, antiaristokratik dhe antikatolik, i inspiruar nga poema Organt, botuar në Paris në 1789. Por, atë vit fatal, përparësitë e kryeqytetit francez sigurisht që nuk ishin ato letrare.

Revolucioni që ndryshoi gjithçka

Shpërthimi i Revolucionit e zuri në befasi Louis Antoine, duke e nxjerrë zvarrë nga qetësia provinciale për ta hedhur në shakullinë e politikës aktive: më 1790 emërohet oficer i Gardës Kombëtare, milicia qytetare e rekrutuar në të gjitha qytetet e Francës më 1789 për të mbrojtur shtetin dhe për të ruajtur rendin publik, ku edhe u njoh me Maximilien Robespierre.

Në të njëjtin vit ai filloi shkrimin e një eseje të shkurtër, Shpirti i Revolucionit dhe i Kushtetutës së Francës, botuar më 1791. Kandidatura për në zgjedhjet e Asamblesë Kombëtare Legjislative iu refuzua sepse nuk i kishte mbushur ende moshën 25 vjeç, mosha minimale për kandidim.

Në shtator 1792 i shkoi më mirë dhe ai u zgjodh deputet i Konventës Kombëtare për zonën Aisne. Duke u transferuar në Paris, më 13 nëntor debutoi si orator me fjalimin e famshëm që do të dekretonte dënimin me vdekje të mbretit Louis XVI. Vetëm disa muaj më parë, më 10 gusht, Konventa e kishte rrëzuar sovranin, duke shpallur republikën dhe tani duhej të vendoste për fatin e familjes mbretërore.

Në Kushtetutën e 1791, të shpallur dy vjet pas marrjes së Bastille dhe e paraprirë nga Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit, personi i mbretit shpallej sërisht “i paprekshëm dhe i shenjtë”; por tani skenari kishte ndryshuar dhe Franca ishte bërë një republikë. Asambleja u nda midis atyre që vazhdonin të mbështesnin paprekshmërinë e monarkut dhe atyre që favorizuan barazvleshmërinë e tij me një qytetar të zakonshëm. Saint-Just i refuzoi të dyja këto perspektiva dhe, me zgjuarsi, e zhvendosi dilemën nga plani juridik në atë politik, duke deklaruar se Louis XVI duhej dënuar për faktin e thjeshtë se kishte qenë mbret: “Të gjykosh do të thotë të zbatosh ligjin; ligji është një marrëdhënie e drejtësisë; e çfarë marrëdhënie drejtësie mund të ketë midis njerëzisë dhe mbretit? … Nuk mund të mbretërohet pa faj. Çdo mbret është një rebel dhe një uzurpator”.

Fjalët e deputetit shumë të ri zgjuan emocione të forta. I impresionuar, Robespierre e mori pranë tij, në klubin jakobin (nga emri i manastirit të rue Saint-Honoré, selia e parë e lëvizjes), e cila së shpejti do të mbante fatin e aparatit shtetëror në 14 muajt e pafundtë të Terrorit. Mocioni i Saint-Just u miratua dhe në dhjetor 1792 filloi gjyqi i “shtetasit Luigi Capeto”, siç quhej tashmë sovrani i rrëzuar. Më 3 dhjetor, Robespierre zhvilloi argumentet e Saint-Just dhe mbajti fjalimin që do të dekretonte vdekjen e mbretit dhe familjes së tij: “Nuk ka pse të jepet një vendim kundër një njeriu, por të merret një masë shëndeti publik. Luigi ka qenë mbret, por tani është republika: kaq mjafton. Luigi është rrëzuar nga froni për shkak të krimeve të tij, prandaj nuk mund të gjykohet: ai tashmë është i dënuar”.

Dhuna shtetërore

Tani edhe fati i djaloshit Louis Antoine ishte vulosur: zëri i tij dëgjohej gjithnjë e më shpesh, veçanërisht aty ku debatoheshin çështjet politike, sociale, ekonomike dhe ushtarake, thelbësore për Republikën Franceze. Tepër i kthjellët dhe i pamëshirshëm, Saint-Just u bë objekt admirimi dhe frike, për shkak të intrasigjencës dhe rolit të tij të ri si krahu i djathtë e Robespierre.

Më 30 maj 1793 bëhet pjesë e Komitetit të Shëndetit Publik, organi i frikshëm që ushtronte pushtetin ekzekutiv në qeverinë e Francës revolucionare. Ishte ai që rishkroi Kushtetutën dhe më pas tekstin e dispozitës, të shpallur më 17 shtator të të njëjtit vit, e njohur si “ligji i të dyshuarve”, i cili vendoste pezullimin e të drejtave civile për kategori të ndryshme qytetarësh: fisnikë, emigrantë, priftërinj “refraktarë” (të cilët nuk ishin bërë pjesë e Revolucionit), zyrtarë publikë të pezulluar ose të shkarkuar pas 1789, dhe në përgjithësi për të gjithë “ata që, ose për shkak të sjelljes së tyre, ose marrëdhënieve të tyre, ose qëllimeve të tyre, ose shkrimeve të tyre, janë treguar në favor të tiranisë apo të federalizmit dhe armiqve të lirisë”.

Menjëherë nisi gjuetia e njerëzve: brenda pak javësh filluan të vareshin në trekëmbësh kundërshtarët politikë të të paepurve Robespierre dhe Saint-Just. Ndërkohë, lufta civile ashpërsohej në Vendee, aty ku lealistët kishin marrë armët kundër revolucionarëve në emër të Zotit dhe mbretit. Represioni i urdhëruar nga Parisi shpejt u shndërrua në një masakër, e inspiruar nga ashpërsia e akullt e Saint-Just, i cili e konsideroi atë shfarosje masive të pashmangshme, madje të domosdoshme: Vendee, ishte fajtore sepse kërkonte rivendosjen e monarkisë, fajtore për krimet e kryera “jo prej vitesh por prej shekujsh”.

Por Francës i duhej të bënte llogaritë edhe me një armik të jashtëm: me pjesën tjetër të Evropës, e cila nuk kishte ndenjur në vend ndaj shpërthimit të Revolucionit, duke iu frikësuar një efekti të rrezikshëm domino. Midis viteve 1793-1794, në rolin e tij të ri si komandant ushtarak, Saint-Just diti të jepte më të mirën e tij, duke u dalluar për kompetencë, guxim dhe ndjeshmëri, aq sa fitoi brohoritjet dhe dashurinë e ushtarëve.

Edhe engjëjt vdesin

Por diçka po ndryshonte. Momenti i kthimit të Saint-Just në atdhe, në qershor 1794, përkoi me shpërthimin e Terrorit të Madh, i nisur me ligjin e 10 qershorit, i cili kufizoi në mënyrë drastike liritë nëpërmjet “ligjit të dyshimit”, duke anuluar efektivisht çdo garanci për të akuzuarit. Madje edhe Saint-Just e kuptoi që përdorimi i gijotinës tashmë e kishte kaluar masën dhe se Franca po mbytej në gjakun e saj. Kështu, u përkushtua në studimin e ligjeve të reja, sigurisht të ngurta dhe të ashpta, por jo vdekjeprurëse. Mirëpo, tani, ishte tepër vonë. Më 27 korrik, nëpërmjet komplotit Thermidor, e gjithë Konventa Kombëtare u ngrit kompakte kundër Robespierre dhe Saint-Just, duke i dhënë një goditje njëherazi edhe të gjithë jakobinëve.

Të nesërmen, më 28 korrik, “engjëlli i vdekjes” u arrestua në Hotel-de-Ville, në Paris dhe u dërgua menjëherë në gijotinë. Pa lëvizur qerpikët, i mbyllur në një heshtje përbuzëse, ai ngjiti shkallaren në të cilën kishin ecur kaq shumë para tij dhe e mbështeti kokën mbi cungun e njollosur nga gjaku i shumë e shumë “armiqve të Revolucionit”, të dënuar me vdekje me urdhrin e tij.

Më pas, Madame Guillotine bëri edhe një herë detyrën e saj. Louis Antoine de Saint-Just vdiq kështu, as i qarë e as i keqardhur nga populli i tij. Do të mbushte 27 vjeç një muaj më vonë.

Përgatiti Edi DELIU

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.