“Tregtar flamujsh” është një përmbledhje me gjashtëmbëdhjetë novela e shkrimtarit Ernest Koliqi, botuar për herë të parë më 1935-ën. Dita ditës vërejmë se karakteret që përshkruan Koliqi në ato novela janë bashkëbiseduesit tanë sot. E trishtë kur e mendon se s’ka ndryshuar fare mendësia. Asokohe kur shkruante Koliqi donin me ngulm Italinë fashiste. Pastaj e ndërruan Italinë me Jugosllavinë komuniste. Pastaj e ndërruan me Rusinë sovjetike. Pastaj me Kinën maoiste. Sot me Amerikën demokratike. Ata që ndërronin përditë flamujt s’u bënë ndonjëherë fashistë, as komunistë, as demokratë, veçse gëzonin përditë e më shumë privilegjet e “perandorive“.
Kur fryu një erë e fortë nga Lindja, u çuan e vranë gjithë familjet e para të krahinave të tyre. Disa me plan, e disa për plaçkë.
Ky mekanizëm terrori i bëri të pare, e prej kësaj lindi shprehja “E di Partia”, se këta ishin Partia dhe Paria.
Kokalarët ishin busull orientimi për dekada të tëra. U fshinë. Këlcyrajt ishin busull orientimi për dekada të tëra. U fshinë. Vlorajt ishin busull orientimi për dekada të tëra. U fshinë. Markagjonët ishin busull orientimi për dekada të tëra. U fshinë. Mirakajt, Jakajt, Vërlacët, Vrionët, Bajraktarët… u fshinë.
Por për t’i fshirë këta duhej të ndryshohej flamuri. E tentuan me flamurin fashist e s’u eci. E tentuan me atë revolucionar leninist më herët e s’u eci. E tentuan me atë serb pastaj, dhe u eci. E kuptuan që në krye të herës se me flamur serb e grek mund të bësh përpara në atdheun e shqiptarëve. Vunë re më pas se ka edhe flamuj turq, gjermanë, francezë, amerikanë. Për çdo herë ngrenë e ulin nga një flamur. Tani duhet të hyjmë në Bashkimin Europian dhe duhet të zgjidhen veç flamuj të BE-së. Kur të fuqizohet edhe ca Kina, do gjejmë flamuj vietnamez, kongolez, kirgiz, kinez etj.
Por duhet të lexoni Koliqin, miq! Këtë e bën mirë Koliqi kur e lexon – e zhvirgjëron këtë racë.
E keni parë se si fryhet si gjel nëpër studio Avokati? E zhvirgjëron Koliqi me një të rënë lapsi kur i thotë se ti je thjesht një tregtar flamujsh.
Po ata që mbajnë flamurin e antikomunizmit, i keni parë? Të kenë gjë në dorë bëhen më katila se diktatori. Edhe këta i zhvirgjëron Koliqi.
Po ata që mbajnë flamurin e MiniShengenit a i keni parë? Edhe këta i zhvigjëron Koliqi.
E ka të thjeshtë mjeshtri ta bëjë një gjë të tillë, sepse Koliqi fliste nga pozitat e dashurisë për atdheun e vet.
Ju ftoj ta lexoni librin! Vëndin e maleve shekullore dhe kodrave të Naimit, e zë syri kritik i Koliqit që nxjerr në pah se tregtari që vetëm shet dhe blen, kthen në mall edhe vetë simbolin e vendit të tij, flamurin. Shqiponjën me dy krena e bën me një, mjaft që t’i thonë! Ja heq bishtin. Ja mbyll gojën. Ja heq puplat. E lë pa ngrënë. E fut në ujë të valuar. I prish strofullën. Ça s’i bën për pak para dhe pushtet asaj shqiponje!
Ja një pjesë e shkurtër nga “Tregtar flamujsh”:
U afrue edhe ma tepër e pëshpëriti si në nji fishkullimë:
– U shitne a s’u shitne flamujt, qëndroi a s’qëndroi Shqipnija, un kam mjaft, shyqyr, me jetue: a more vesht? e tash, jashtë…
– Kadalë… ia priti djaloshi me t’egër e sytë i vetuen: – dal vetë, s’ashtë nevoja me më qitë jashtë ti. Por edhe një fjalë due me t’a thanë e të lutem vire ne vesh si at këshillë qi më dhae para në dugajë.
Ti thue se jeton, por rrehesh. Ti je shlye prej numrit të të gjallëve qyshse je ndry në kët dugajë mbushë me mall. Ky asht vorri i yt. E sa për Shqipni po të siguroj un se ka me qindrue.
Prandej mos ban merak se edhe flamujt kanë me t’u shitë krejt. Por rueje shpirtin t’and mos t’ia shtish dreqit.
E Hilush Vilza doli, lehtësue në zemër nga ai shfrim, me thithë ajr të kulluet n’udhë sepse era e asaj dugaje i mirrte frymën.