Sebastian ZONJA – Shoqëria e kampeve

Në vendin tonë mbërriti kontigjenti i parë i afganëve që nuk dëshirojnë të jetojnë nën regjimin e ri të instaluar në Afganistan. Institucionet janë angazhuar për të bërë të mundur strehimin dhe kushtet e tjera të domosdoshme për ta. Deri këtu gjithçka është në rregull. Por menjëherë lind pyetja: kur të fillojë skaneri për të shkuar në Amerikë, a gjetkë ku është caktuar, po me ata që nuk e marrin lejen për të shkuar në SHBA çfarë ndodh?

Personi në fjalë nuk kthehet dot në Afganistan se e pret vdekja e sigurtë, ndërkohë edhe Amerika nuk e merr. Nëse do të flisnim në gjuhën fukaldiane do ta cilësonim – Mbetje Njerëzore. Ja, pra, sa i stabilizuar është ligjërimi dhe sa e lehtë është sot që të flasim për njerëz që mbeten mes dy botësh, ku nuk kthehen dot në vendlindje, por as nuk shkojnë dot në Perëndim. Se si erdhëm deri në këtë pikë e trajton më së miri autori i mirënjohur Italian Giorgio Agamben, ndërsa për të parë nuancat e rendit do të na shërbente shumë filozofi francez Michele Foucault. 

Perëndimi

Me rënien e Afganistanit në duart e talebanëve ngjan se ka përfunduar një herë e mirë paradigma e shtetndërtimit nga jashtë. Hyrja në Afganistan e amerikanëve dhe aleatëve për çështje sigurie dhe të parandalimit të sulmeve terroriste, solli bashkë me të edhe kompozimin e forcave për të eksportuar në atë vend demokracinë liberale. Analistë të shumtë shkruajnë për arsyet se pse u tret si kripa në ujë gjithë ai investim, por do të doja që të veçoja F. Fukuyamën kur bën pyetjen se pse nuk bëhet dot Afganistani si Danimarka? Dhe përgjigjja është e thjeshtë – Sepse nuk duan!

Demokracia

Thuajse njëzëri shumë vende kanë vendosur se nuk duan të ndjekin udhën për t’u demokratizuar. Vallë çdo të thotë demokraci? Të zgjedhësh me votë? Si? Të këmbesh qeveritë? Ne e bëjmë, por sërsiht nuk ka zgjidhje. Ndoshta do të thotë institucione të forta por që nuk cënojnë liritë individuale. Këtë në Shqipëri nuk e kemi.

Sa i përket braktisjes së rrugës së demokracisë, ky është një konsensus mes elitave intelektuale dhe atyre politike të vendeve respektive. Zinxhiri i vendeve të mëdha Rusi – Kinë – Turqi zgjodhën që të merren më shumë me zhvillimet ekonomike se me ato demokratike. Dhe, po të shohim, sot, secili prej tyre ka zhvillim të rëndësishëm ekonomik dhe ushtarak. Reduktimi i të drejtave, ku secila prej tyre ka nga një faturë financiare nga mbrapa, është çështje që debatohet në shoqëritë përkatëse.

Ajo që i identifikon këto vende është dobësimi i opozitave deri në kufijtë e shfaqjes së partisë shtet. Opozita është një component kyç për demokracinë. Ajo mirëmban dhe i bashkon vektorët e vullneteve që kërkojnë që pushteti të mos bëhet njësh me shtetin.

Heqja dorë nga demokracia për shumë vende mund të ketë ndodhur për shumë arsye, por do të veçoja se Perëndimi mbetet ende kryeqendër e zhvillimeve, veçse jo më aq rrezatues si dikur, por i strukur në vete.

Ngjan se vendet e tjera janë bindur tashmë se nuk e mbërrijnë më Perëndimin, ndoshta edhe nuk duan, ndaj ka nisur secili projektet e veta politiko – ekonomike.

Muret

Nga dita në ditë vërejmë se situata socio-politike në rang global po karakterizohet nga një lëvizje e fuqishme migratore. Qytetarë nga vende më të varfra drejtohen kah vendet më të pasura, e këto vende të pasura po ndërtojnë mure apo kampe jashtë tyre – Amerika ka mur plus kamp në Meksikë; gjermanët paguajnë turqit për të mbajtur atje nëpër kampe sirianët; francezët dhe spanjollët paguajnë Algjerinë dhe Tunizinë për të mbajtur afrikanët; britanikët po debatojnë për të ndjekur shembullin e Australisë, ku do të ndërtojnë kamp të madh në ndonjë ishull për të mbajtur magrebinët.

Afrikanët, arabët apo aziatikët, të lodhur me liderët dhe elitën vendase, stanjacionin dhe korrupsionin, ndërmarrin nisma për të kaluar më këmbë edhe Saharanë, vetëm e vetëm që të mbërrijnë në dyert e Europës. Intervistoja dikur disa emigrantë nga Eritrea dhe ishte prekëse historia e tyre. Nga 100 djem që ishin nisur, shumë vdiqën nëpër shkretëtirë, disa i vranë në Libi, të tjerë vdiqën në varkë në Mesdhe, dhe vetëm 16 arritën në brigjet e Italisë.

Për një pjesë të mirë të së majtës për ato që ndodhin nëpër botë faji është vetë i Perëndimit që ka kolonizuar dhe vrarë pjesën tjetër të botës, apo i kompanive të mëdha, apo i Amerikës, apo i kapitalizmit… ndërsa unë mendoj se mund ta shohim edhe në një kënd tjetër – Bëhu, mos u qa! Mendja është burim fuqie po aq sa është burim dobësie.

Komunistë e proletarë që fajin jua ka gjithnjë bota, gijotina franceze e jakobinëve rrinte 24 orë në punë, për javë të tëra, për të sjellë, pas kaq shekujsh, këtë ndjeshmëri që kanë francezët sot ndaj diktaturave! 

Kampet

Pozita e favorshme gjeografike e Shqipërisë, ku dy studime të mira të Petrika Thëngjillit dhe Eqrem Çabejit e kanë thënë bukur – mes Lindjes dhe Perëndimit – na sjell edhe këto të ardhura me nivel të mesëm, që shumica e vendeve afrikane dhe aziatike do të na kishin zili. Kjo është thjesht koincidencë dhe fat që jemi fqinjë me vendet e Bashkimit Europian, jo ndonjë meritë e qeverive shqiptare. Por ndërsa shohim se shumë vende europiane janë të shqetësuara për emigracionin dhe ngrenë mure e kampe, duket se Shqipëria po e merr me kënaqësi rolin e saj si “kamp gjigant”. Për shembull, që në krye të herës, sapo Edi Rama mori postin e kryeministrit, debati filloi për armët kimike. Gjatë kësaj kohe mësuam se sa korrupsion kishte gjatë diktaturës, ku ekspertë të fushës floën për depozitime mbetjesh kudo nga ana e komunisteve. 

Më pas protesta e dytë dhe debati i madh ishte plehrat që do të importonim nga Italia fqinje për t’i djegur në Shqipëri. Plehërat nuk erdhën, por kemi ndërtuar inceneratorë të mëdhenj që gllbërojnë miliona euro.

Sot flasim për afganët. Solidariteti dhe humanizmi janë pjesë e bashkëndarjes edhe të detyrës si anëtar i NATO-s, por nga sa po shohim, grykësia dhe korrpusioni i Ramës sot dhe Berishës dikur e kanë kthyer Shqipërinë në një vend me shumë pak dinjitet nëpër botë dhe në një kosh gjigant plehrash.

Sot, me një varfëri që është në kufijtë e genocidit, ndërsa korrupsioni është shumë i lartë, shqiptarët largohen përditë e më shumë, sepse asgjë nuk duket në horizont se do të ndryshojë.

Ata afganët e shkretë ikën sepse e dinë që nuk kanë të ardhme në vendin e tyre. Shqiptarët largohen se nuk kanë të ardhme në vendin e tyre. Afganët kanë elitë të korrputuar politike. Shqiptarët kanë elitë të korruptuar politike. Afganët kanë lidëra fisesh që rrinë derisa vdesin në karrike pushteti, të tillë i kemi edhe ne.

Ne mbajmë nëpër kampe afganët, liderët tanë me manovrat e tyre na mbajnë ne në këtë kamp gjigant.

Talebanë ishin komunistët e vitit 1945 që gjetën marksizmin si ideologji dhe luftën e klasave si instrument për të vrarë gjithë kundërshtarët politikë dhe për të mbajtur pushtetin 50 vjet.

Sot, talebane duket se është edhe kjo elitë politiko – biznesore që gjeti globalizmin si ideologji dhe neoliberizmin si instrument për të zaptuar çdo minierë, çdo biznes, çdo truall në bregdet e mal, çdo post publik, ndërsa sot kanë prishur çdo mekanizëm meritokracie e ndershmërie. Dikur komunistët talebanë të vrisnin me plumb ballit, sot të vrasin me varfëri dhe kërcënimin e vendit të punës.

Ndaj ua qaj hallin atyre afganëve të mjerë që kanë ardhur për të bujtur në kampin tonë masiv.

Shqipëria është e atyre që luftojnë për të. Shqipëria është e patriotëve. Komunistët janë thjesht mish i huaj në këto troje të mrekulleshme.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.