Serbia si zgjatim i Rusisë në zemër të Europës
Nga Sulejman GJANA
Nëse Rama nuk arrin të kuptojë se “Ballkani i hapur” është “Ballkani i shqyer” për Rusinë, do t’i mjaftonin misioni dhe detyrimet dypalëshe: serbe dhe ruse, të poshtëcituara. Rama duhet ta dijë se pas mandatit presidencial të radikalit Nikoliç ishte Rusia (e cila ia financoi dhe ia mbështeti totalisht fushatën), porse edhe pas mandatit të “mikut Vuçiç” është sërish Putini dhe Rusia.
Vizitat e shpeshta të Putinit në Serbi, kryesisht, dhe jo pa qëllim, në përvjetorët e çlirimit të Beogradit nga Ushtria e Kuqe dhe tanket ruse – janë dhe mbeten sfida të hapura dhe shuplaka të Serbisë për Brukselin. Por mbi të gjitha janë dhe mbeten përgjigje poshtëruese për aksionin diplomatik integrues të Serbisë në Europë, ndërmarrë prej shteteve anëtare të BE, në shumicë edhe anëtare të NATO-s!!! Shtete këto të angazhuara (ndonëse shpesh pa dëshirë dhe me ngurrime prej interesash) edhe në kushtëzimin e Rusisë me sanksione pas aneksimit prej saj të Krimesë, pas kërcënimeve ushtarake për zgjerimin e konfliktit ukrainas, pas aksionit separatist përshkallëzues në Ukrainën Lindore dhe, sidomos tashmë, pas rreshtimit të 100 mijë trupave ruse të gatshëm për aneksimin e Ukrainës Lindore… Reagim ky kundër zgjerimit të NATO-s në Lindje dhe anëtarësimit të Ukrainës në Paktin e Atlantikut.
6 vjet më parë, përgjigjen më të mirë “shpërblyese” për dashurinë pa kushte të europianëve ndaj serbëve e dha presidenti i atëkohshëm Nikoliç, kur i deklaroi vëlla-Putinit në Pallatin e Bardhë të Beogradit: “Shumë gjëra të mëdha e tejet të rëndësishme ne serbët i kemi bërë në të kaluarën bashkë me ju, vëllezërit tanë rusë, dhe do t’i bëjmë edhe në të ardhmen. Ne ju falënderojmë për mbështetjen tuaj totale kur ka qenë fjala për Kosovën, ndaj dhe Serbia e serbët do t’i mësojnë fëmijët e tyre ta duan fort Rusinë”.
Pasi theksoi asokohe se serbët prisnin ndihmën e Rusisë në bujqësi dhe energjetikë, por sidomos në zhvillimin e industrisë petrokimike dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare bash në kulmin e sanksioneve kundër Rusisë, ish presidenti Nikoliç i deklaroi Putinit me emocion: “Rusia është një mbështetje e fuqishme për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë, sidomos në lidhje me Kosovën dhe Metohinë”.
Ndërsa Putini, në përgjigje u deklaroi vëllezërve serbë se “Qëndrimi proserb i Rusisë është një pozicion parimor, që nuk do të ndryshojë kurrë”, dhe se “Rusia është e angazhuar për problemin e Kosovës, përmes OKB-së”.
Si qokë për vizitën dhe pritjen madhështore, asokohe Putini kishte çuar në Beograd një paketë financiare ndihmash prej 1.2 miliardë dollarësh, krahas garancisë se “ndihmat humanitare ruse për vëllezërit e vuajtur e të kërcënuar serbë në Kosovë do të vazhdonin edhe në të ardhmen”.
Dy dekadat e fundit Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar dhe jetësuar disa marrëveshje dypalëshe tejet të rëndësishme, sikundër: Marrëveshja me Hekurudhat e Rusisë për rindërtimin total të rrjetit hekurudhor në Serbi; Memorandumi për rritjen e potencialit dhe efikasitetit të sistemit energjetik dhe furnizimin rus të Serbisë me energji elektrike dhe gaz; Marrëveshja për mbrojtjen e ndërsjelltë të informacionit të klasifikuar; dhe më në fund “qershia mbi tortë”; Marrëveshja për bashkëpunim ushtarak-teknik dhe furnizimin e Serbisë me tanke, autoblinda dhe mjete moderne të motorizuara, avionë, zgjerimin dhe supermodernizimin e mega-bazës ushtarake ruse të Nishit, sisteme tejet të avancuara të radio-lokacionit, etj..
Dhe për të dëshmuar dashurinë e serbëve për Rusinë, çdo 9 Maj zyrtarët më të lartë të Beogradit marrin pjesë në paradat moskovite të Sheshit të Kuq, ku Putini nuk e ka hallin tek “përkujtimi i fitores mbi fashizmin”, porse përkujdeset t’u demonstrojë miqve dhe mbarë botës fuqinë ushtarake të Rusisë.
Në të gjitha vizitat në Beograd, Putini nuk ka harruar asnjëherë të bëjë bilancin e marrëdhënieve dypalëshe të shkëlqyera, por njëkohësisht e ka shpallur dhe e ka kurorëzuar fillimshekullin XXI si prelud të aksionit të pandalshëm e shekullor rus për ruajtjen e ndikimit mbi Serbinë dhe mbi mbarë zhvillimet ballkanike. Aksion ky që sintetizon strategjinë e zgjerimit dhe rritjes së ndikimit rus drejt Lindjes dhe Juglindjes së Europës, si kundërpërgjigje ndaj ekspansionit të NATO dhe BE drejt Ballkanit Perëndimor dhe Lindjes së kontinentit.
Ishte pikërisht Putini ai që ripromovoi dhe intensifikoi aksionin politiko-diplomatik rus drejt Ballkanit dhe Serbisë, pas zbythjes 10-vjeçare të Jelcinit, të cilin “delfini” Putin e rrëzoi për paaftësi dhe rrezikim të objektivave politiko-ushtarakë ndërkombëtarë të Rusisë në kushtet e triumfit të Perëndimit mbi komunizmin dhe zhvillimeve gjeopolitike pas Luftës së Ftohtë.
Parë kësisoj, inkursionet diplomatike të Putinit në Beograd kanë shërbyer për të korrur “të mbjellat”, të cilat i ka futur dhe depozituar në hambarin rus me ndihmën e vetë çirakëve serbë.
***
Shqiptarët nuk mund të harrojnë se pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, ambasada ruse në Beograd u shndërrua në Mekë dhe Medinë të pelegrinëve ultranacionalistë serbë, të cilët përzgjidheshin dhe merrnin bekimin e Moskës për karrierë partiake e politike.
Natyrisht që ambasadorët e njëpasnjëshëm rusë në Beograd nuk e humbnin asnjëherë rastin për t’u kujtuar serbëve se kishin mbështetjen e Rusisë, e cila, sipas tyre, do të përdorte veton dhe të gjitha mekanizmat bllokues në OKB dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë për të sabotuar pavarësimin, njohjen, anëtarësimin dhe integrimin e Kosovës. Betim të cilin Rusia e mbajti, teksa me mburrje theksonte pafundësisht se ishte ajo që, “në mbështetje të popullit dhe kombit vëlla serb”, sabotoi sistematikisht të gjitha objektivat perëndimore për Kosovën, sidomos gjatë periudhës 2005-2008.
Pohimi i ish ministrit të Jashtëm të Federatës Serbi-Mali i Zi, Vuk Drashkoviç, në vitin 2004, se “Elita jonë intelektuale dhe politike e ka të qartë se proceset integruese të Federatës serbo-malazeze në bashkësinë perëndimore (nënkupto NATO dhe BE), kanë rëndësi jetike për ardhmërinë tonë, ndaj ne duhet të angazhohemi dhe të punojmë me të gjitha forcat në këtë drejtim…”, – alarmoi Rusinë dhe shënoi fillimin e fundosjes së karrierës së Drashkoviçit dhe të partisë që ai kryesonte.
Ky fund fatkeq i Drashkoviçit asokohe ishte edhe pasojë e kundër-reagimit adekuat të politikës dhe elektoratit serb për çdo aktor dhe faktor politik properëndimor në Serbi, objektiv ky i arritur padyshim edhe me ndihmën dhe kontributin e Rusisë, që ka dorë në të gjitha zhvillimet politike në Serbi.
***
Kundërshtimi i zgjerimit të NATO-s në Lindje të Europës është vektori konstant politik dhe gjeostrategjik i Rusisë, që e konsideron këtë zgjerim si kërcënim ushtarak në kufijtë e saj.
Kur në prill të vitit 2008, në samitin e NATO-s të mbajtur në Bukuresht, SHBA-të propozuan ftesën e Aleancës për anëtarësim të Shqipërisë dhe Kroacisë, Rusia u nervozua dhe menjëherë planifikoi strategjinë për sabotimin me çdo kusht të zgjerimit të NATO-s me vendet e tjera të Ballkanit ende të paanëtarësuara.
Natyrisht që në krye të listës së vendeve ballkanike që nuk duheshin anëtarësuar, Rusia vendosi aleaten strategjike, Serbinë, të cilën e përzgjodhi edhe si shtetin ballkanik që do të balanconte ushtarakisht armiqtë historikë: Shqipërinë dhe Kroacinë properëndimore.
Por nervozizmi rus i kaloi parashikimet dhe u shndërrua në kërcënim, pas propozimit amerikan në këtë samit, që NATO të fillonte menjëherë procedurat për anëtarësimin në Aleancë të Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Me këtë rast, presidenti Putin deklaroi: “Zgjerimin e NATO-s në kufijtë e Rusisë do ta konsiderojmë kërcënim për sigurinë e saj dhe do të ndërmarrim kundërmasat adekuate”. Dhe e mbajti fjalën, teksa Gjeorgjinë e ndëshkoi duke e sulmuar ushtarakisht dhe duke e neutralizuar totalisht po atë vit, pra në vitin 2008, ndërsa Ukrainën e tmerroi dhe e ndëshkoi pas 6 vitesh, me pasojat e njohura të një konflikti që ende nuk dihet se kur do të përfundojë… Teksa më parë aneksoi Krimenë me peshë stërmadhe gjeostrategjike, ndërsa aktualisht ka marrë peng rajonet lindore të Ukrainës, (gjithashtu me peshë të madhe gjeostrategjike dhe ekonomike), realizuar me ndihmën e separatistëve rusë të armatosur dhe drejtuar me telekomandë nga Rusia.
Strategjia e vendeve kryesore të NATO-s për të anëtarësuar njëkohësisht edhe në BE të gjitha vendet ish komuniste, është dëshmi e qartë e faktit të pohuar, në vitin 2008, nga ish sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Japp de Hop Shefer, sipas të cilit “NATO dhe BE ecin sëbashku, dorë për dore”.
Por pikërisht kjo strategji ka alarmuar Rusinë, që i konsideron të rrezikshme përpjekjet e NATO-s dhe të BE për të integruar në këtë proces edhe Serbinë.
***
Në vitin 2010, kryetari i Komitetit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Dumës ruse, Kostantin Koshaçev, deklaroi: “Anëtarësimi i Serbisë në NATO nuk do të ishte tjetër veçse legjitimim i agresionit kriminal të vitit 1999 të NATO-s mbi Serbinë, por njëkohësisht do të ishte edhe riposhtërim i kombit dhe i popullit serb, të cilit me këtë rast iu shkëput me dhunë Kosova, që është djepi ku lindi dhe u mëkua kombi serb. Këtë agresion, asokohe Rusia-aleate strategjike e Serbisë e kundërshtoi me forcë dhe e konsideroi si poshtërim i patolerueshëm”, – e mbylli komentin e tij antishqiptar, Koshaçevi rus.
Para disa vitesh, pyetjes së mediave serbe se çfarë do të humbiste Serbia nëse do të anëtarësohej në NATO, ambasadori rus në NATO, Dmitri Rogozin, iu përgjigj qartë dhe në mënyrë lakonike: “Duke patur parasysh se Kosova është pjesa thelbësore e sovranitetit kombëtar serb dhe djep i kombit serb, si dhe duke qenë se Serbia është një vend vëlla i Rusisë, jam i detyruar t’ju ndërmend se me anëtarësimin në NATO Serbia do ta humbte përfundimisht Kosovën, duke e vetëpranuar këtë akt dhe realitet”.
Ndërsa ambasadori rus në Serbi, Aleksandër Konuzin, e thelloi konceptin e kolegut të tij të atashuar në Bruksel, teksa deklaroi: “Ne rusët, të dashur vëllezër serbë, do ta respektojmë vendimin tuaj për të hyrë në NATO, por duhet ta dini se, duke u bërë pjesë e NATO-s, ju do të bëheni gjithashtu pjesë e një kërcënimi për sigurinë e Rusisë, çka do ju shndërronte automatikisht, nga një vend mik, në një vend armik”.
Kushtëzimin e njëanshëm politik të marrëdhënieve ruso-serbe, me moton “ose me Moskën, ose me Perëndimin”, Rusia po përpiqet ta shtrijë edhe në marrëdhëniet dypalëshe ekonomike, teksa nëpërmjet ambasadorit rus në Beograd, Konuzin, deklaroi para disa vitesh se “në qeverinë serbe ka ministra që janë pozicionuar hapur kundër firmave dhe kompanive ruse, dhe se firmat dhe kapitalet ruse trajtohen keq në Serbi, çka ne e konsiderojmë fyerje dhe kundërvënie…”.
Fakti që nga 28 vende anëtare të NATO-s, 24 vendet kryesore të saj e kanë njohur Kosovën, është përdorur dhe po përdoret vazhdimisht nga Rusia për të trembur dhe armiqësuar serbët me NATO-n.
Duke u kujtuar serbëve me ironi pikën 6 të kapitullit të titulluar “Qëllimet dhe parimet e zgjerimit të Traktatit të Aleancës Veri-atlantike”, në të cilën përcaktohet qartë dhe prerë se në NATO pranohen vetëm shtetet që i kanë zgjidhur përfundimisht, apo që ndodhen në vijim të proceseve të suksesshme të zgjidhjes paqësore të problemeve territoriale me fqinjët dhe të njohjes reciproke, ambasadori rus pranë NATO-s, Dmitri Rogozin, i kujtoi publikisht Beogradit në vitin 2011, se përpiqet më kot të anëtarësohet në NATO, nëse nuk njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe nëse nuk heq dorë nga humbja e sovranitetit mbi të. Çka sipas tij ka kuptimin se anëtarësimi i Serbisë në NATO mund të kryhet vetëm nëse njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe se dispozitën detyruese referuar asaj, e heq nga Preambula e Kushtetutës…
Pavarësisht klishesë “miqësore” të Putinit se “Çfarë është e mirë dhe e leverdisshme për Serbinë, është e mirë dhe e pranueshme edhe për Rusinë”, kjo e fundit ka dëshmuar se e kundërshton haptazi dhe me forcë hyrjen e Serbisë në NATO, pasi për Moskës zyrtare, kjo hyrje do të thoshte humbje përfundimtare e një placdarme ushtarake me rëndësi jetike e në mes të Europës.
Por Rusia tmerrohet gjithashtu edhe nga ndikimi veri-atlantik dhe europian në vendimet e elitës politike serbe lidhur me integrimin e saj në NATO dhe BE.
Moska ndjek me vëmendje dhe kënaqësi përdorimin e “kartës ruse” nga partitë serbe gjatë fushatave zgjedhore të luftës për pushtet, sa kohë që ndjeshmëria dhe dashuria për Rusinë është e lartë në mbarë elektoratin serb.
Moska gjithashtu nuk e fsheh dot kënaqësinë kur, në debatet politike në parlament dhe në vendim-marrjet e detyrueshme qeveritare lidhur me proceset integruese të Serbisë – vërehet qartë prirja e Beogradit zyrtar për të qëndruar në dy karrige, duke u përpjekur ta mbajë mirë edhe me Lindjen, edhe me Perëndimin.
Madje gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në Serbi në vitin 2012, kandidati radikal Nikoliç ofroi si premtimin më të fortë mundësinë e ndërtimit të bazave të tjera ushtarake të Rusisë në Serbi dhe instalimin atje të testatave ruse me mbushje bërthamore, që do ta shndërronin Serbinë në fuqi kuazibërthamore në mes të Europës.
***
Aktualisht, në Perëndim dhe kudo ekziston një paqartësi e dukshme në lidhje me të ashtuquajturën “asnjëanësi ushtarake” të vetëshpallur të Serbisë, e shprehur si gjoja detyrim shtetëror, bazuar thjesht në një fjali të shkruar në tekstin e një rezolute parlamentare, para disa vitesh. Dhe kjo paqartësi rritet akoma më shumë kur vërehet mungesë vullneti politik tek mbarë klasa politike dhe shoqëria serbe, për të hapur një debat publik të njëmendtë… Debat ky që do të qartësonte se çfarë nënkuptohet me“asnjanësi” dhe cilat janë garancitë përkatëse!?
Askush më shumë se Rusia nuk ka interes për këtë paqartësi euro-atlantike lidhur me “asnjëanësinë” serbe, sa kohë që shfrytëzohet maksimalisht urrejtja serbe për NATO-n dhe fushatën e saj të bombardimeve, që paraprinë ndërhyrjen ushtarake në Kosovë dhe shkëputjen e saj nga Serbia në vitin 1999.
Për ultranacionalistët dhe shumicën e serbëve, “anëtarësimi i Serbisë në NATO do të thotë jo vetëm dorëzim vullnetar i një pjese të identitetit dhe sovranitetit kombëtar, por edhe riposhtërim pas poshtërimit që NATO u bëri serbëve në vitin 1999 dhe vënie e ushtrisë serbe nën komandën e një strukture ushtarake armiqësore”.
Mendimi që mbizotëron në qarqet intelektuale, në klasën politike, në shoqërinë civile dhe në qendrat studimore strategjike serbe, është ai sipas të cilit Perëndimi duhet t’i japë dhe garantojë Serbisë një status special, si parakusht për anëtarësimin e saj në NATO dhe BE. Thënë ndryshe, ata kërkojnë gjetjen e një lloj formule të “Anëtarësimit të kushtëzuar të Serbisë”, gjithmonë me kushtin e qartë që Serbia kurrë të mos detyrohet të marrë pjesë në veprime ushtarake të NATO-s kundër Rusisë, që kurrë të mos angazhohet në sanksione ekonomike kundër saj, kundër interesave të saj, apo të përfshihet në veprime të ngjashme në zonat e saj të influencës. Kushtëzim absurd ky që, kurrsesi, nuk mund të pranohet nga Perëndimi, e që mund të shërbejë në çdo kohë si pretekst… dhe për lojë me dy porta të Beogradit, midis Moskës dhe Brukselit.
Por deri kur të merret vendimi përfundimtar, si objektiv afatshkurtër dhe afatmesëm, Serbia do të vazhdojë të bëjë rolin e koketës që flirton me Perëndimin dhe fle me Lindjen. Dhe si kurtizane e vjetër dy-shekullore, do të zhvasë sa të mundet nga mëtonjësit, sidomos nga vendet e pasura perëndimore.
Shembulli i kohës së Titos është tejet i freskët për Beogradin, teksa diktatori komunist u vetëshpall “aleat i Perëndimit në Lindje” dhe “Perëndimi aleat”, pak para vdekjes në vitin 1980, si shpërblim ndaj miqësisë i fali 24 miliardë $ që i kishin mbetur pa shlyer nga afro 100 miliardët e marra prej tij si kredi të buta.