Shkëndija, protestat, gabimet e Makron: 5 arsyet e kaosit në Francë

Më 27 qershor, një oficer policie qëlloi dhe vrau një djalosh 17-vjeçar gjatë një kontrolli rrugor. Vrasja e të riut ka shkaktuar një lloj lufte guerile urbane në të gjithë Francën

Franca është tronditur nga protesta të dhunshme pas vdekjes së 17-vjeçarit Nahel, i vrarë nga një oficer policie në periferinë perëndimore të Parisit, Nanterre, gjatë një kontrolli rutinë rrugor që djali dyshohet se u përpoq ta shmangte. Ngjarja ndodhi të martën e 27 qershorit. Fillimisht, burime nga forcat e rendit thanë se automjeti i të djalit pati goditur dy motoçiklistë të policisë. Më vonë, një video që qarkulloi në rrjetet sociale tregonte se njëri nga dy policët e mbante drejtuesit e automjetit nën kërcënimin e armës dhe më pas e qëlloi nga një distancë fare të afërt kur automjeti u rinis.

Nga ai moment e këtej, çdo natë, nëpër qytetet kryesore të Francës ka shpërthyer zemërimi i verbër i banorëve të banlieue. Në pesë ditë janë arrestuar 3300 persona. Përveç kësaj, janë djegur 4,500 makina dhe 800 ndërtesa, mes të cilave ndërtesa bashkiake, shkollat ​​dhe komisariate policie. Zonat më kritike përkojnë me Lionin, Grenoble dhe Marsejën, por as kryeqyteti nuk është kursyer nga zemërimi i demonstruesve. Pothuajse të gjithë të rinj e shumë të rinj.

1. Çfarë i ndezi protestat

Është një episod preçiz që e bëri zjarrin të ndizej. Të martën e kaluar, një agjent i policisë qëlloi me armë zjarri dhe vrau një djalë 17-vjeçar, i identifikuar si Nahel M., teksa adoleshenti drejtonte një makinë (që nuk mund ta drejtonte). Prokurori i Nanterres tha se i riu po udhëtonte në një korsi autobusi dhe, kur agjentët u përpoqën ta ndalonin për një kontroll, ai kaloi një semafor të kuq për t’u larguar. Më pas djali u bllokua në trafik dhe oficerët iu afruan makinës. Sipas prokurorit Nahel u vra nga një e shtënë me armë zjarri që i kaloi përmes krahut të majtë dhe gjoksit.

2. Çfarë ndodhi pas vdekjes së Nahelit

Vdekja e adoleshentit shkaktoi valë të dhunshme zemërimi dhe ndezi një sërë protestash të natën e të martës në Nanterre. Guerilja urbane u përhap më pas në të tjera zona dhe qytete, në të gjithë Francën, me prona të dëmtuara, makina të djegura dhe mijëra të arrestuar. Protestuesit mbanin pankarta me të shkruar “policia vret” dhe qindra ndërtesa qeveritare u dëmtuan. Në orët e para të mbrëmjes shpërtheu tensioni midis banorëve të Nanterre dhe policisë.

Prefektura e departamentit Hauts-de-Seine, e të cilës Nanterre është kryeqendër, raportoi “lëvizje sporadike” në disa distrikte. Trazirat më pas u zgjeruan edhe më shumë, duke u përhapur edhe në komuna të tjera në periferinë veriore të rajonit parizian, në qytetet e Asnières, Colombes, Suresnes, Aubervilliers, Clichy-sous-Bois dhe Mantes-la-Jolie. Prej këtu arriti edhe në qendra të tjera, si Lille, Marseille dhe Dijon. Pati raportime për të shtëna në drejtim të policisë, koktejle molotov, barrikada dhe grabitje. Është e pamundur të renditësh çdo episod dhune. Bilanci, në përditësim të vazhdueshëm, pasqyron atë që duket si një lloj guerilje urbane.

3. Arsyet e protestave

Efekti domino nisi, siç thamë, me vdekjen e djaloshit Nahelit. Megjithatë, episodi është vetëm maja e një ajsbergu të pafundtë, në brendi të cilit përzihen mes tyre problemet ekonomike, politike dhe kulturore. Të njëjtët që prej dekadash kanë mbërthyer shoqërinë franceze, gjithnjë e më shumë të copëzuar midis “qendrave”, d.m.th., qyteteve të mëdha dhe “periferive”, pra banlieue të banuara nga emigrantë dhe qytetarë francezë të gjeneratës së dytë e të tretë. Ka nga ata analistë argumentojnë se faktori bazë i vrasjes së Nahelit është thjesht racor, pasqyrim i tensioneve të thella që po kalon Franca.

Një Francë, sipas kësaj linje mendimi, gjithnjë e më pak egualitare e gjithnjë e më shumë e përshkuar nga diskriminimi racor. Një tjetër interpretim fut në lojë hendekun ekonomik midis banorëve të qyteteve të sipërpërmendura dhe atyre të banlieue. Nga ky këndvështrim, vdekja e 17 vjeçarit nuk do të ishte gjë tjetër veçse një pretekst për të ndezur revoltën kundër Shtetit. Së fundmi, gjenden ata që drejtojnë gishtin nga multikulturalizmi që karakterizon shtetin francez, ku shumë qytetarë me origjinë afrikane nuk do të mund të integroheshin e që në të vërtetë madje do t’i urrenin institucionet dhe simbolet e Vendit.

4. Përgjigja e Macron (dhe e qeverisë).

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se “asgjë nuk e justifikon vdekjen e një të riu” dhe ka kërkuar “qetësi që të bëhet drejtësi”. Gjatë fundjavës, qeveria dërguar rreth 45,000 agjentë policie për të mbytur vatrat e protestave. Nga përgjegjës të ndryshëm politikë pas natës së tretë të dhunës u kërkua vendosje e gjendje e jashtëzakonshme dhe shtetrrethimit. Ile-de-France Mobilitès (IDFM) ka njoftuar se të gjithë autobusët dhe transporti tjetër publik në rajonin Ile de France (ku ndodhet kryeqyteti francez Paris) do të rreshtin së funksionuari në orën 21:00 të çdo nate, deri në vendosjen e rendit. Masa u vendos “për sigurinë e agjentëve dhe të pasagjerëve”. Në ditët e para të protestës, disa bashki në brendi të Parisit dekretuan shtetrrethimin gjatë natës.

5. Çështja banlieues

Trazirat kanë bërë të përjetohen menjëherë në Francë kujtimet e 2005-ës, kur vdekja e dy adoleshentëve në arrati nga policia pati shkaktuar javë protestash të dhunshme, me qindra të rinj të periferive më të varfra të Parisit që u vunë zjarrin makinave dhe ndërtesave. Gjatë viteve të mëtejme, disa rrahje nga policia dhe vdekje në paraburgim kanë ndezur të tjera protesta, megjithëse të vogla, dhe kanë nxitur akuzën e përhapur të brutalitet kundër policisë franceze.

Epiqendra e pakënaqësisë pothuajse gjithmonë përkon me banlieue, periferitë urbane multikulturore dhe të varfra të Francës, të populluara nga gjenerate emigrantësh nga Magrebi dhe Afrika sub-sahariane. Të trajtuar shpesh si qytetarë të dorës së dytë, banorët e këtyre periferive ushqejnë pakënaqësi ndaj institucioneve franceze, veçanërisht ndaj policisë. Tensioni është gjithmonë i lartë, gati në të shpërthyer në bashkëjetesë me incidente si ai që ndodhi me djaloshin Nahel.

Përgatiti për gazetatjeter.com: Dardan MITROVICA


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.