GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Shpresa për rindërtim dhe sinjalet pesimiste

Kur kanë kaluar vetëm pak javë nga 2020-a, sinjalet sa po vijnë e po shtohen se ky vit nuk pritet të jetë aspak i lehtë. Për 2019-n, financat u dorëzuan dhe e ulën vlerësimin për performancën ekonomike në 2.7%, nga 4.3%, që ishte në fillim të vitit.

Akoma më të ulëta janë pritshmëritë e Raporti të vlerësimit të nevojës pas fatkeqësisë, i hartuar me ndihmën e Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore, Bashkimit Europian dhe Këshillit të Ministrave, sipas të cilës viti i kaluar është mbyllur me një zgjerim jo më të lartë se 2.4%.

Ndonëse qeveria, në treguesit zyrtar i qëndron besnike një parashikimi për një rritje ekonomike prej 4.1%, ka shumë pak gjasa që kjo të materializohet. I njëjti raport i vlerësimit të nevojës pas fatkeqësisë nuk pret një zgjerim më të lartë se 3.2% për këtë vit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në daljen e fundit për shtyp u shpreh se rreziqet në kahun e poshtëm janë rritur. Krahasuar me raundin paraardhës, projeksioni i bazë i Bankës shfaq një lëvizje të dukshme në kahun e poshtëm për vitin 2020, por ruan të njëjtat trajektore për vitet 2021 e në vazhdim. Rishikimi në ulje që në muajt e parë të vitit për 2020-n lë shumë pak vend për optimizëm, të paktën në afatin e shkurtër.

Konsumi dhe investimet private ishin shpresa për rritjen ekonomike këtë vit, në mungesë të investimeve të mëdha private (efekti i gazsjellësit TAP dhe HEC-eve mbi lumin Devoll mund të quhet tashmë i ezauruar) dhe të një ambienti jo shumë të favorshëm të jashtëm (Italia, partneri ynë kryesor pritet që të ketë rritjen më të ulët nga të gjitha shtetet e Bashkimit Europian). Konsumi pritej të nxitej sidomos nga turizmi, me Shqipërinë që vitet e fundit ishte kthyer në një magnet për të huajt.

Por, fatkeqësisht tërmeti me pasoja shkatërruese ka goditur dy pikat e forta ku pritet të bazohej zgjerimi i vendit këtë vit. Konsumi po rezulton i tkurrur, sidomos në zonat e prekura, që janë zemra e ekonomisë së vendit. Emigracioni, që nuk po ndalet është një tjetër faktor që po gërryen jo vetëm konsumin, por edhe produktivitetin e firmave, që janë vënë në vështirësi për gjetjen e fuqisë punëtore.

Turizmi pritet të rezistojë në pjesën e hoteleve të zgjeruara vitet e fundit, që kanë krijuar lidhje të qëndrueshme me agjencitë e njohura të mëdha të Europës, por ai masiv, që sjell mbi 70% të hyrjeve do të pësojë goditje, pasi pjesa më e madhe e strukturave akomoduese janë dëmtuar rëndë.

Rindërtimi mbetet për momentin shpresa që do të rigjallëronte ekonominë e tronditur nga tërmeti. Raporti paraprak ka nxjerrë një vlerë dëmi prej gati 1 miliard euro, ose rreth 7.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që është shumë e lartë për buxhetin modest shqiptar. Mbetet për t’u parë se sa kjo faturë do ua mbushë mendjen donatorëve në konferencën e 17 shkurtit dhe sa do të jenë ata të gatshëm të lëvrojnë për të ndihmuar vendin e prekur rëndë nga kjo fatkeqësi natyrore.

Deri atëherë qeveria po vijon të sorollatet me ligje pas ligjesh (ndërtimi i zonave të reja po vendoset mbi zona të vjetra që mund të sjellin konflikte pronësie e zvarritje pa fund) në aplikime online që vetëm sa zgjasin procesin, pasi po mblidhet informacion lehtësisht i disponueshëm dhe disa riparime të lehta pallatesh, pa prekur strukturën. Edhe pas dy muajsh, procedurat nuk janë ende të qarta për qindra mijëra që kanë mbetur të pastreha dhe po ngrysin ditët në çadra në mes të të ftohtit.

Pikërisht vonesa kohore në programin e rindërtimit, apo një mbështetje më e madhe e tij në burimet e brendshme të financimit është një nga rreziqet negative të cituara nga Banka e Shqipërisë, e shoqëruar me rrezikun tjetër që efektet psikologjike të tërmetit tejkalojnë ndikimin e tij material në ekonomi.

Çdo e keqe e ka një të mirë nga pas, ndaj për të ta kapur atë, rindërtimi, si e vetmja shpresë për rritjen ekonomike, duhet të fillojë sa më shpejt, pa zvarritjen që na ka shoqëruar për shumë procese e reforma në këto vite të tranzicionit. Pasi të kalojë kjo fazë e emergjencës, është realisht e nevojshme t’u kushtohet vëmendje reformave strukturore, për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen afatmesme./Monitor

You might also like