Si po e ul Rama qepenin e Akademisë së Studimeve Albanologjike
“Duhet krijuar poli i shkencës” me këto pak fjalë Skënder Gjinushi shpjegoi një operacion që ka nisur qeveria Rama për t’i kaluar në varësi të tij 4 institutet e Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Si kryetar i Akademisë së Shkencave, Gjinushi shpjegoi edhe synimet që ka për t’ia rikthyer shkëlqimin e dikurshëm institucionit që drejton. Për këtë i duhen institutet e Albanologjisë; i pari ai i Historisë, i dyti i Gjuhë-Letërsisë, i treti i Arkeologjisë dhe i katërti, i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit.
Dikur albanologët kishin qenë në varësi të Akademisë së Shkencave, por që pas krijimit të Akademisë së Studimeve Albanologjike qendra e gravitetit lëvizi dhe dalëngadalë u larguan edhe studiuesit.
Përvoja e politikanit të rrahur me vajin dhe uthullën e dy sistemeve e ka mësuar Gjinushin të lëvizë gurët e duhur për qëllimet e tij.
Gjatë bisedës në studion e News24, la të kuptohet se Edi Ramën e kishte bindur se institutet e “Albanologjisë” duhej të riktheheshin te “Shkencat”.
“Rama ka pas këtë bindje, dhe shumë të tjerë në opinion; që akademia e mëparshme shkëlqente, ndërkohë që kjo e sotmja është e zbehur. Arsyeja kryesore e zbehjes ishte politika ndaj saj dhe pikërisht heqja e instituteve. Si një pemë që i pret rrënjët dhe thua: Pse po thahet? Me këtë reformë, Rama nga më skeptikët, u bë pozitiv” u shpreh Gjinushi që tashmë është shndërruar në personifikimin e të keqes për profesorët e albanologjisë.
Një prej tyre, është Ledi Shamku, gjuhëtare, studiuese dhe ish- deputete e Partisë Socialiste, e cila këto ditë ka provuar mbi lëkurë se çfarë do të thotë të jesh në anën tjetër të llogores. Në një intervistë në Top News, Shamku tregoi se si qeveria u kishte çuar një grup pune për kontroll të ligjshmërisë. Pas 5 vitesh nga hartimi i statutit, Akademia e Studimeve Albanologjike na doli se ishte e paligjshme.
“Te ne është paraqitur nga muaji Shkurt, një grup i ngritur enkas, i posaçëm për të vlerësuar kushtet e ligjshmërisë, quhej VKL, procesi i Vlerësimit të Kushteve të Ligjshmërisë. Kanë ardhur te kjo sallë. Kanë pasur të gjithë dashamirësinë tonë, një grup i përbërë nga 7 ekspertë të fushave të ndryshme, të atashuar pranë Ministrisë së Arsimit për të hartuar një raport mbi kushtet e ligjshmërisë. Na kanë sjellë një draft-raport, i cili më vjen keq ta them por ishte thellësisht tendencioz, por edhe i pavërtetë, përveçse kishte mangësi të thella ligjore në daçi, por edhe në procedurë. Ne i jemi përgjigjur brenda të gjitha afateve të ligjit. Kemi çuar një kërkesë tonën pas një mbledhjeje senati, se jemi strukturë demokratike funksionojmë me senat si çdo universitet tjetër. Jemi përgjigjur me një draft-raport prej afro 48 faqesh ku argumentonim zë për zë të gjitha shpërnjohjet, pasaktësitë, por edhe të pavërtetat edhe magësitë ligjore që kishte ky draft-raport. Më vjen keq të them që asnjë nga përgjigjet tonë, thellësisht profesionale nuk u morën parasysh dhe vetëm të premten pasdite, pra pas mbarimit të orarit të punës, na erdhi një version përfundimtar i raportit, i firmosur nga nëngrupi i punës dhe Minitria e Arsimit, në të cilin sugjerohej mbyllja e Akademisë së Studimeve Albanologjike sepse ishte në papajtueshmëri me ligjin. Pastaj në rrugë krejtsisht informale se nuk kemi pasur asnjë komunikim me shtetin sa i takon fatit të Albanologjisë, por në rrugë krejtësisht informale erdhëm në dijeni të përgatitjes së një projekt-vendimi të këshillit të ministrave që do të merrte vendim për mbylljen e Albanologjisë. E njoh përmbajtjen e asaj VKM. Nga mediat e mora vesh të them të drejtën. Dhe kjo është e pahijshme dhe e pakëndshme për raportin etik midis publikes dhe publikes” shpjegoi Ledi Shamku.
Nga shpjegimi që dha Skënder Gjinushi, kuptohet se qëllimi i qeverisë është ringritja e Akademisë së Shkencave, ndërsa nga shpjegimi i Shamkut kuptohet se është zgjedhur një mënyrë brutale për t’ia mbyllur gojën profesorëve.
Qeveria nuk i ka hyrë negociatave, as nuk është lodhur të bëjë konsultime as sa për sy e faqe.
Thjesht ka urdhëruar një “skuadër ekzekutimi” tek Albanologjia, ka bërë një kontrolli dhe e ka nxjerrë në paligjshmëri. Nga aty firmoset mbyllja e institucionit dhe profesorët le të zgjedhin, ose do të mbesin pa punë, ose të transferohen tek Gjinushi.
“Kam qenë deputete, anëtare e Komisionit të Edukimit. Atë ligj (Ligjin e Arsimit të Lartë) e kam kaluar në duar jo nen për nen, por fjalë për fjalë dhe e kam mbrojtur vetë me shumë argument dhe logjikë në parlament. Ju them me përgjegjësi të plotë që Akademia e Studimeve Albanologjike nuk është jashtë ligjit të Arsimit të Lartë” siguron Ledi Shamku.
Ajo tashmë e ka konstatuar se raporti është thjesht një formalitet, edhe se urdhri për mbylljen e ASA ka ardhur nga lart, por ngulmon ta sqarojë edhe këtë pikë.
Metodat me të cilat po zbatohet vendimi për studiuesit nuk janë shumë të ndryshme nga ato që Rama ka përdorur kundër biznesmenëve që nuk i honeps dot, politikanëve kundërshtarë, artistëve idealistë, apo mediave që e denoncojnë etj.
Ndër vite profesorët nuk janë dëgjuar ndonjëherë të ngrenë zërin. As për çështje që ishin në sferën e tyre profesionale. Sado cinike të duket, këto ditë kur puna dhe mundi i tyre është në fije të perit, këtë ia kujtoi Auron Tare në profilin e tij në Facebook. Mes të tjerash, ai shkruajti: “Askush nga këta dijetarë të Institutit të Arkeologjisë nuk folën asnjë fjalë për betejën për të mirën publike në Durrës, Lulishtja 1 Maji, për shkatërrimin e rrënojave arkeologjike të Velierës (në fakt i legjitimuan me një gërmim të turpshëm dhe autorin e “graduan”) Beteja për Teatrin, Beteja per amendamentin e turpshëm të Ligjit te Trashegimise Kulturore, Beteja për Butrintin”