GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Si u njollos në dyert e burgjeve “Rilindje-revolucioni” i Edi Ramës

“Revolucioni ha bijtë e tij” – thoshte gazetari politik Zhak Male du Pan. Edi Rama vërtetë nuk bëri revolucion në vitin 2013, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Por me ribrendimin e PS-së si Rilindja dhe mitizimin e fitores së tij si “qeveria e 1 milion shuplakave”, kryeministri i ri i pikturoi shqiptarëve një revolucion modern në politikë.

Gjithçka ishte e kuruar deri në detaje, derisa fasada e Rilindjes ra.

Në nëntë vite pushtet, Rilindjes së Ramës i kanë rënë para drejtësisë apo i kanë rezultuar me probleme me drejtësinë plot 12 funksionarë. Më poshtë përmbledhja e emrave, me “peshq të mëdhenj” e me “peshq më pak të mëdhenj” rilindas:

1. Saimir Tahiri

Mes Rilindasve të dënuar, simboli do të ishte numri dy i PS-së, Saimir Tahiri, që si ministër i Brendshëm predikonte reformimin e policisë, luftoi mbjelljen e hashashit në Lazarat më 2014, vlerësohej nga diplomacia amerikane, por në fund u dënua me tre vite e katër muaj burg.

Ironikisht, ish-ministri akuzohet nga SPAK për trafik të lëndëve narkotike, grup i strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale. Dosja ndaj tij u hap pas përgjimeve të autoriteteve italiane, ku eksponentë të fuqishëm të malavitës shqiptare i referoheshin Tahirit si “shefi i madh”, thonin se i kishin blerë dhurata të shtrenjta, dhe se ai fitonte 5 milionë euro në muaj.

Ai u dënua në fund për shpërdorim detyre. Dënimi erdhi më 4 shkurt të këtij viti nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit me 3 vite e 4 muaj burg.

2. Lefter Koka

Ish-ministri i Mjedisit u arrestua më 14 dhjetor 2021 pasi dyshohet se ka kryer veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim.

Deputeti i LSI-së i konvertuar në socialist, Lefter Koka u arrestua në kuadër të hetimeve për procedurën mbi kontratën e koncesionit për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit.

SPAK njoftoi se nga hetimet u vërtetua që nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncesionit në fjalë. Ish-ministri po qëndron në qelitë e paraburgumit tek 313. Akuza është e rëndë. SPAK thotë se ai ka marrë ryshfet 3.7 milion euro për inceneratorin e Elbasanit.

Lefter Koka konsiderohet nga opozita si “kokë turku” në aferën e inceneratorëve, ku qarkullojnë gjithsej 400 milion euro. Për të njëjtën çështje, opozita thotë se duhet të dënohen edhe Edi Rama, sekretari i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj dhe deputeti socialist Alqi Bllako.

Në kërkim për këtë çështje janë edhe administratorët e kompanive Klodian Zoto e Stela Gugallja.

3. Fatos Tushe

Kreu i Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe përfundoi në pranga vitin e kaluar në korrik nën akuzë për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” lidhur me një tender të bashkisë së drejtuar prej tij.

SPAK urdhëroi edhe arrestimin e katër vartësve të Tushës dhe dy biznesmenëve, ndërkohë që katër zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Lushnjes u lanë në masën e “arrestit në shtëpi” nga gjykata.

SPAK i nisi hetimet një vit më parë, nisur nga një referim i Policisë Gjyqësore për veprat penale të “korrupsionit pasiv”, “shkeljes së barazisë në tendera”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Tushe, një ish-deputet i Partisë Socialiste e drejton Bashkinë e Lushnjes prej vitit 2011. Në 31 dhjetor 2019, Tushe mbeti i plagosur pas një granate të hedhur në zyrën e tij nga një ish-shofer i bashkisë.

4. Rovena Voda

Gjykata e Posaçme vendosi vjet masën “arrest shtëpie” për ish-zëvendës ministren e Punëve të Brendshme Rovena Voda.

Ajo u akuzua për veprën penale ‘ushtrim ndikimi të paligjshëm’. Sipas SPAK, Voda akuzohet se kishte marrë përfitime nga shtetasit Florida Beu dhe Majlinda Hasani kundrejt emërimeve të tyre në detyrë.

5. Arben Ndoka

Një skenar i ngjashëm me Tahirin çoi në arrestimin e Arben Ndokës. Gjatë përgjimeve të një grupi kriminal doli emri i tij, duke bërë që të vendosej nën përgjim dhe duke zbuluar aferën që solli arrestimin e tij nga policia pas urdhrit të prokurorisë.

Shoqërimi i Ndokës u krye pasditen e 21 tetorit 2018 nga forcat RENEA. Arben Ndoka me vëllain e tij dhe personat e tjerë janë prangosur me akuzën e tjetërsimit të pronave në Lezhë në kuadër të dosjes ku u prangos në mars të këtij viti edhe kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj.

Ish-deputeti u akuzua për falsifikim të dokumenteve, vulave, stampave ose i formularëve, shpërdorimi i tokës në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash në zonën bregdetare në qarkun e Lezhës, tek ‘Rana e Hedhun’ dhe në Kune nga ranishte në tokë arë dhe më pas i kalonin te te të afërmit e tyre.

Arben Ndoka i shpëtoi dënimit, edhe pse të afërmit e tij jo.

6. Armando Prenga

Një sherr banal shkaktoi arrestimin e Armando Prengës më 5 shtator 2015. Zënka pati një bilanc të rëndë: 7 persona të plagosur, 2 prej të cilëve me armë zjarri.

Gjithçka ndodhi në qytetin e Laçit, ku Deputeti i Partisë Socialiste qëlloi me armë zjarri, veprim pas të cilit policia e shoqëroi në komisariat. Prenga u akuzua për “Plagosje e rëndë, me dashje”, “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje serioze për vrasje”, njoftoi policia në atë kohë.

Por, ajo çka në pamje të parë ishte një sherr banal i kishte rrënjët në një konflikt më të hershëm, që lidhej me dhënien në administrim muaj më parë të lagunës së Patokut, vëllait të deputetit.

“Deri në atë kohë kjo lagunë administrohej nga një grup peshkatarësh të zonës, mes të cilëve dhe familja Çali, me pjestarët e së cilës ndodhi dhe përplasja e rëndë. Ata kishin denoncuar parregullsi në tenderin e zhvilluar nga ministria e Bujqësisë e në atë kohë dhe opozita foli për një favorizim të hapur ndaj vëllait të deputetit”, raportoi VOA në atë kohë.

7. Arben Çuko

Ish-deputeti socialist, Arben Çuko, si drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve kishte kryer favorizimin ndaj të dënuarit Olsi Karagjozi, një vrasës me pagesë që ndodhet në burgun e Bradasheshit në Elbasan.

Favorizimi ishte bërë në transferimin e tij në institucionet e burgjeve ku është bërë e mundur që i dënuari të mbajë celular në qeli kundrejt shumave të ryshfetit 1500-3000 euro.

Për arrestimin reagoi edhe kryeministri Edi Rama duke u shprehur: “Keqardhje për A.Çukon po për ne s’ka dy qëndrime në raport me ligjin, ka vetëm një; s’ka dy qasje në raport me drejtësinë, ka vetëm një; s’ka dy fytyra në raport me qytetarët, ka vetëm një! Ne s’jemi e kurrë s’do jemi njësoj si të tjerët. Ne gjithnjë kemi vetëm një krah: Drejtësinë!” 

8. Elvis Rroshi

Kryetari rilindas i Bashkisë Kavajë, Elvis Rroshi kishte fshehur një sërë krimesh në të kaluarën e tij në formularin e dekriminalizimit, që kur u zbuluan i kushtuan mandatin.

Rroshi nuk pati deklaruar se është dënuar për veprën penale të “Përdhunimit” në vitin 1995, por jo vetëm. Lexoni dokumentin e prokurorisë.

“Shtetasi Elvis Rroshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin ‘Për Dekriminalizimin’ si vijon: Një dënim për veprën penale të ‘Përdhunimit’ në grup, në vitin 1995, në Itali.

Nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër. Në prill 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil. Në 14 maj 1993 është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë. Në korrik 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil.

Në gusht 1997 është dëbuar sërish. Në vitin 2015, DEA/US ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash”, ka bërë të ditur Prokuroria.

Edhe pse si përfundim ai u dënua nga gjykata dhe u provua se kishte qenë i dënuar për krimin monstruoz të përdhunimit, Edi Rama nuk donte t’ja dinte për akuzat në drejtim të të preferuarit të tij në Kavajë, siç duket dhe në video.

Gjykatës së Tiranës e shpalli fajtor Rroshin për akuzën e falsifikimit të formularëve dhe e dënoi me 60 ditë punë në interes publik. Në fakt, dënimi i parë ndaj Rroshit ishte me 7 muaj e 15 ditë burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, kjo masë dënimi iu reduktua në 5 muaj. Duke patur parasysh se Rroshi kishte qëndruar katër muaj në “arrest shtëpie”, masa e dënimit që mbeti për të vuajtur ishte vetëm 1 muaj burgim. Por edhe me kërkesë të prokurorisë dënimi u pezullua duke e vendosur Rroshin në shërbim prove për të bërë 60 orë punë në interes publik.

9. Agim Kajmaku

Ish-kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku u shkarkua me vendim të KQZ-së në formë unanime.

Organi i akuzës konkludoi se shenjat e gishtërinjve të Kajmakut përputheshin me të “Jorgo Totos”, emër i përdorur prej tij gjatë qendrimit në Greqi. Kajmaku akuzohej për falsifikim të Formularit të Dekriminalizimit, duke fshehur arrestimin dhe hetimin në Greqi për veprën penale të përdorimit të parave fallco. Pas konfirmimit të Prokurorisë, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.

Policia e Tiranës njoftoi më 7 korrik 2020 arrestimin e Agim Kajmakut në një spital privat në Tiranë. Kajmaku ishte shpallur në kërkim prej nëntorit 2019, pas akuzave të ngritura për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit si dhe kryerjen e funksionit edhe pas shkarkimit.

Sipas policisë, Kajmaku po trajtohej në një spital privat në Tiranë për problemet shëndetësore, në momentin e ekzekutimit të masës së “arrestit me burg”, të dhënë nga gjykata.

Prokuroria e Tiranës njoftoi më 16 janar se kishte marrë të pandehur ish-kryebashkiakun e Bashkisë së Vorës, i shkarkuar për shkak të ligjit të dekriminalizimit, për dy akuza falsifikimi si dhe një akuzë të tretë për “kryerje të funksionit pas dhënies fund të tij”.

Ndaj Kajmakut ishte në fuqi një masë sigurie “arrest me burg” prej Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

10. Valdrin Pjetri

Valdrin Pjetri u zgjodh në krye të Bashkisë Shkodër, sikurse Agim Kajmaku, në zgjedhjet lokale të bojkotuara nga opozita të 30 qershorit 2019.

PD pretendonte se ai prekej nga ligji i dekriminalizimit për shkak të ndalimit të tij në Itali në harkun njëvjeçar 2001-2002, duke shtuar se pas kthimit në Shqipëri, ai nuk kishte udhëtuar më në drejtim të shtetit fqinj për tetë vjet me radhë. Por, në formularin e vetëdeklarimit që kryebashkiaku i porsaemëruar i Shkodrës kishte dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nuk përmendte ndonjë dënim të dhënë ndaj tij nga autoritetet italiane.

Pas akuzave nga Partia Demokratike se kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit dënimin me 18 muaj burg në Itali në vitin 2003 për posedim të lëndëve narkotike, prokuroria nisi menjëherë procedurat ligjore për vërtetimin e tyre.

Pjetri dha dorëheqjen nga detyra.

“I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor t’a ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër. Ju jam mirënjohës të gjithëve për ndihmën dhe mbështetjen që më dhatë në fushatë!”, shkruante ai në momentin e dorëheqjes.

Sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme kërkoi gjurmët e gishtave të Valdrin Pjetrit, në mënyrë që të zbardhë më shpejt të vërtetën e të shkuarës të tij në Itali.

Gjyqtari Artan Gjermeni pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vulosi pushimin e hetimeve ndaj ish-kandidatit për kryebashkiak të Shkodrës, Valdrin Pjetri, duke argumentuar se mosdeklarimi i një dënimi në Itali nuk përbënte vepër penale.

11. Mark Frroku

Ndonëse jo i zgjedhur nën siglën e PS-së, de facto Mark Frroku ishte deputet i Ramës në Kuvend, madje merrte pjesë edhe në mbledhjet e grupit parlamentar të PS-së. Ndryshe nga kolegët e tij të koalicionit socialist, Mark Frroku është përballur me akuzë më të rëndë, atë të vrasjes.

Frroku është arrestuar dy herë brenda pak ditëve, për akuza të ndryshme. Kuvendi i hapi dritën jeshile arrestimit të Mark Frrokut më 2 prill të vitit 2015 pas kërkesës së Prokurorisë.

Frroku u dënua me 7.6 vite burg për fshehje pasurie, pastrim parash dhe ndërtim pa leje, por jo për vrasjen e Aleksandër Kurtit më 1999 në Belgjikë, pasi akuzat e bëra për këtë krim ranë për mungesë provash.

Mark Frroku u lirua më 10 maj të vitit 2018 nga burgu. Atij i kishin mbetur pa shlyer rreth 1.5 vite burg, të cilat konvertohen në shërbim prove.

12. Aqif Rakipi

Sikurse Mark Frroku, edhe pse Aqif Rakipi nuk ishte zgjedhur si deputet socialist, ai ishte de facto ishte deputet i Edi Ramës në Kuvend.

Atij iu hoq mandati nga KQZ pasi u raportua se në Itali kishte pasur një sërë problemesh me ligjin.

Në Itali deputeti kishte deklaruar emra të rremë si Skënder Ejyrbegaj dhe Kusta Mina dhe ishte dënuar për vjedhje.

Në një reagim për mediat, Rakipi tha se nuk kishte pasur probleme me formularin e dekriminalizimit.

Edhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet e mbrojti deputetin e saj. “Ne u investuam nepermjet avokateve ligjore, për të na vënë në dispozicion të plotë dokumetat e ardhur nga Interpol Roma –Itali, gjë që do të mundesonte një shqyrtim të rregullt konform ligjit në KQZ. Akoma dhe sot ky dokumentacion nuk eshte vene ne dispozicionin te mbrojtjes Ligjore te deputetit Aqif Rakipi”, u shpreh PDIU, që shtoi se Aqif Rakipi nuk rezulton i dënuar me ndonjë vendim të formës së prerë, apo me vendim jo përfundimtar; nuk rezulton që në ngarkim të tij të ketë patur ndonjë masë sigurimi personal, nuk rezulton të jetë shpallur në kërkim ndërkombëtar si dhe nuk është dëbuar ndonjëherë nga ndonjë vend i BE-së.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni