- SPONSOR -






- SPONSOR -

Skema, si po plaçkiten financat nga nëpunësit e Rilindjes

Arrestimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj është një goditje në nivelet më të larta të administratës publike për një rast korrupsioni. Së bashku me Drejtorin e Shërbimeve Mbështetëse dhe Çështjeve Ligjore Fatmir Hoxha dhe përmbaruesin Alban Ruli ata akuzohen se i dhanë 1.2 milion euro nga buxheti një person, që i kishte marrë një herë paratë.

Por çfarë skeme përdorën nëpunësit e administratës për nxjerrjen e 1.2 milion eurove nga buxheti i shtetit?

Dëmshpërblimi i parë

Historia nis me privatizimin e një magazine dhe të një trualli nga Ilir Thana në vitin 1992. Për privatizimin Thana pagoi rreth 102 mijë lekësh në shtet. Por e gëzoi pronën vetëm tre vjet.

Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave vendosi që godina duhet t’u kthehej pronarëve të ligjshëm. Vendimi u konfirmua edhe nga gjykata.

Për këtë arsye Thanës duhej t’i ktheheshin paratë nga buxheti i shtetit.

Në dosjen e prokurorisë ka një korrespondencë të gjatë për ndryshimin e vlerës së lekut ndërmjet INSTAT dhe Ministrisë së Financave. Sa më shumë kalonin vitet, aq më shumë rritej shuma me të cilën duhej dëmshpërblyer Ilir Thana.

Si përfundim, në vitin 2015 atij i kthehen paratë. Një shumë prej 284 mijë lekësh.

Dëmshpërblimi i dytë

Nuk dihet se si, por Thana arriti që nëpërmjet zyrës së përmbarimit të marrë përsëri paratë e dëmshpërblimit të së njëjtës magazinë dhe truall. Këtu hynë në lojë të arrestuarit, nëpunësit e shtetit Gjokutaj dhe Hoxha dhe përmbaruesi Ruli.

Prokuroria thotë se përmbaruesit e caktuan vlerën e magazinës në kundërshtim me ligjin për 145.000.000 lekë duke e trajtuar si ish pronar Ilir Thanën.

Në Shtator të vitit 2022, shkresat u firmosën edhe në Ministrinë e Financave.

Vendimi u mor megjithë paralajmërimet e një specialisteje të thjeshtë që ju tregoi statusin e objektit.

Ndaj Ilir Thanës dhe të motrës ishin paguar deri tani 480 milionë lekë, një shumë që prokuroria e konsideron vjedhje në Buxhetin e Shtetit dhe për të cilën u arrestua Alind Gjokutaj, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave.

Kush është i arrestuari Arlind Gjokutaj

Emri i të arrestuarit, Arlind Gjokutaj simbolizon një nga historitë e suksesit të nëpunësve të administratës civile gjatë qeverisjes së Rilindjes.

Arlind Gjokutaj është emëruar sekretar i Përgjithshëm të Ministrisë së Financave rreth një vit më parë. Gjokutaj së fundmi ka drejtuar Njësinë Speciale Antikorrupsionit dhe Antievazion.

Më herët ai ka qenë ka pasur disa detyra të rëndësishme e kryesisht në institucionet si Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe drejtor i Përgjithshëm i Doganave. Ai qëndroi në postin e “kryedoganierit” vetëm për 7 muaj.

Përveç karrierës së suksesshme në administratë, Gjokutaj ka një cv për t’u pasur zili. Ai ka kryer studimet për Administrim Biznesi në Universitetin “Bocconi” në Milano, si dhe ka përfunduar studimet master për Financë dhe Menaxhim Risku në Universitetin “Bicocca” në Milano.

Ai është angazhuar si lektor i jashtëm në Universitetin e Tiranës dhe në disa Universitete private. Është çertifikuar si “Trainer of Trainer në fushën e Antikorrupsionit dhe mirëqeverisjes”, nga OSBE, Shkolla Italiane e Administratës Publike dhe ASPA.

Gjatë karrierës së tij profesionale ka marrë pjesë në trajnime dhe seminare në institucione të rëndësishme ndërkombëtare financiare, si FMN, Banka Botërore, Banka e Anglisë, Banka e Holandës, Banka e Italisë, Center of Excellence in Finance etj.

Gjokuta është autor dhe bashkëautor i disa punimeve kërkimore, kryesisht në analizën e politikës fiskale dhe të qëndrueshmërisë të borxhit publik.

NJOFTIMI I PROKURORISE

Me kërkesë të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u caktua masa e sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin, A.GJ., Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, shtetasin F. H., Drejtor i Shërbimeve mbështetëse dhe çështjeve ligjore dhe A.R., përmbarues gjyqësor privat si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës” parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal.

Këta shtetas kanë vepruar duke pranuar shpërblimin e shtetasit I. TH., në vlerën e rreth 82.000.000 lekëve, nga të cilat 50.000.000 lekë të kaluara në llogarinë e këtij shtetasi duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status si dhe duke ekzekutuar për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave në vitin 2015.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 8586/2022 për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 320 të K.Penal.

Nga aktet e këtij procedimi, rezultoi se:

Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin e saj nr. 16, datë 14.07.2000 ka vendosur: “Urdhërohet zgjidhja e pasojave për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitjes datë 23.04.1992 të lidhur mes shitësave Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe A.K Privatizimit dhe blerësit I.Th, duke i kthyer palët në gjendjen e mëparshme, ku objekti magazinë nr.2 i kthehet Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe kjo e fundit së bashku me AKP-në t’i kthejë bleresit I.Th vlerën e objekteve të blera (magazine dhe truall) që është 103.046 lekë të konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve në kohën e ekzekutimit të vendimit”.

Ministria e Financave dhe Ekonimisë ka ekzekutuar vendimin nr.9150 datë 12.11.1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, duke shlyer detyrimin e plotë ndaj kreditorit I.Th sa vlera e objekteve të blera e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT.

Në zbatim të vendimit të mësipërm, nga Ministria e Financave është transferuar në llogaritë në llogaritë e I.Th vlera prej 284.139 me urdhër shpenzimi nr.90 datë 27.02.2015.

Më tej, rezulton se shtetasi I. Th është drejtuar zyrës përmbarimore, e cila në kundërshtim flagrant me ligjin ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920 , duke u hequr dhe trajtuar si ish pronar shtetasin I. Th në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status.

E gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë këtij shtetasi është e përcaktuar në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro.

Deri në këtë fazë rezulton se Ministria e Financave ka kaluar në favor të shtetaist I. Th. shumën 48.118.366 lekë. Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të shtetases Sh.P.

Organi procedues konstaton dhe çmon se ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe persona të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.
Organi procedues ka urdhëruar sekuestrimin e shumës se kaluar shtetasit I. Th. dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22.000.000 lekë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka urdhëruar ndalimin e shtetasit I.Th., për veprat penale të parashikuara nga nenet 134/3 dhe 320 të K.Penal si dhe vazhdon hetimet në lidhje me përgjegjësinë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.