GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Solari, kënaqësia e rrezikshme

Solari u shfaq për herë të parë në Amerikë, në vitin 1978, nga Friedrik Uolf, i cili filloi t’ia liçensonte këtë teknologji kompanive të tjera. Solarët e fundit modernë, nuk kanë shumë ndryshime nga sistemi origjinal. Teknologjia e llambave dhe aparaturave elektronike, ka përparuar me kalimin e viteve. Llambat aktuale janë ende fluoreshente, dhe përdorin lëndë fosforeshente të veçanta, që krijojnë spektrin e rrezeve ultravjollcë alfa dhe beta. Solari ose nxirja e lëkurës siç quhet ndryshe, është një paisje që përdor energjinë elektrike, për të prodhuar rrezatimin ultravjollcë, i cili shërben për nxirjen e lëkurës.

Rrezet artificiale ultravjollcë

Rrezet ultravjollcë, janë ajo pjesë e rrezeve të diellit, përgjegjëse për djegien, kancerin e lëkurës, dëmtimin e syve dhe të sistemit imunitar, plakjen dhe rrudhat e lëkurës. Rrezet ultavjollcë alfa, shkaktojnë plakjen e parakohshme të lëkurës, rrudha, njolla, kancerin e lëkurës dhe dëmtimin e syve. Nga ana tjetër, rrezet ultravjollcë beta shkaktojnë, djegien, plakjen, kancerin e lëkurës dhe dëmtimin e syve. Nxirja nga solari, është më e shpejtë se nxirja nga dielli, si rezultat i intensitetit të lartë të rrezatimit ultravjollcë që çlirohet. 

Të nxihemi apo të digjemi

Solari duhet të fillojë me një ekspozim 3 deri në 5 minuta, dhe më pas këshillohet që seancat të zgjasin rreth 20 minuta, për 3 deri në 4 javë. Distanca midis seancave, duhet të jetë 48 orë. 

Kjo ndodh pasi dhomat e solarit, kanë nivele më të larta rrezatimi ultravjollcë, sesa rrezet e diellit në ditët e zakonshme, kështu koha e ekspozimit është më e shkurtër se periudha që kalohet në diell, për të arritur të njëjtën sasi nxirjeje. Rekomandohet që personat të mos përdorin njëkohësisht solarin dhe rrezet e diellit, pasi ekspozimi i tepërt, shkatërron melaninën dhe lëkura digjet. Fjala e urtë popullore, “për t’u nxirë duhet të digjeni” ose djegia nga dielli kthehet shpejt në nxirje, është e gabuar, dhe rrit ndjeshëm mundësitë për shfaqjen e kancerit të lëkurës. Gjatë solarit, nxirja nuk depërton thellë në lëkurë, siç ndodh me rrezet e diellit. Kjo është arsyeja, pse nxirja e shkaktuar nga solari, çngjyroset më shpejt se ajo nga dielli, dhe pse shumë persona besojnë se, nxirja nga solari dëmton më pak qelizat e trupit. Megjithatë, duke ditur rrezikun e këtyre rrezeve, është më e lehtë të kontrollohet sasia e rrezatimit ultravjollcë, gjatë solarit. Kujdes duhet të tregohet me përdorimin e disa artikujve kozmetike dhe medikamenteve (si antibiotikët, ilaçet për tensionin e gjakut, antidepresivët, medikamentet për kujdesin ndaj lëkurës), të cilët mund të rrisin ndjeshmërinë e lëkurës ndaj rrezeve ultravjollcë, duke shkaktuar djegie të lëkurës, njolla dhe të kruajtura. Është e rëndësishme të mos kemi probleme me lekurën (patologji) dhe për këtë duhet të ndërmerret vizita tek mjeku dermatolog, përpara se të vendosim t’i nënshtrohemi këtij trajtimi. Lëkurat variojnë, dhe çdo person duhet të ketë informacionin e duhur, për t’ iu nënshtruar këtij trajtimi. Është me rrezik ekspozimi i lëkurave të ndjeshme, për më shumë se 10 minuta, sidomos në seancën e parë.

Të mirat e trajtimit me solar

Krahas rreziqeve, rrezet ultravjollcë kanë dhe avantazhe, pavarësisht faktit nëse merren nga dielli ose burime artificiale, siç është solari. Ndër avantazhet kryesore janë, prodhimi i vitaminës D në lëkurë, dhe trajtimi i sëmundjeve sezonale të lëkurës. Shumë persona që vuajnë nga aknet, ekzemat dhe çrregullime të tjera të lëkurës, trajtohen me rreze ultravjollcë, për të zvogëluar simptomat. Ekspozimi ndaj këtyre rrezeve, shkakton çlirimin e endorfinës, e cila është e dobishme për personat që vuajnë nga sëmundje të lëkurës. Nxirja ndihmon gjithashtu në parandalimin e osteoporozës, duke rritur furnizimin e organizmit me vitaminë D, e cila nga ana tjetër, ndihmon në përvetësimin e kalçiumit nga ushqimet, nëpërmjet murit të zorrëve.  

Pyetjet që nuk duhen nënvleftësuar

Sa i sigurt është përdorimi i solarit?

Shumë njerëz mendojnë se solari është një metodë e sigurtë dhe e kontrolluar për nxirjen e lëkurës, por kjo nuk është e vërtetë pasi nuk ekziston asnjë rregullore, mbi industrinë e solarit. Solari mund të prodhojë përqëndrime të rrezeve ultravjollcë, që janë pesë herë më të forta se rrezet e orëve të vona të mbasdites. Të gjitha llojet e rrezatimit ultravjollcë, qofshin këto nga dielli apo nga solari, dëmtojnë lëkurën, duke shkaktuar tumore. 

Në ç’ moshë duhet filluar?

Tregues të ndryshëm kanë dëshmuar se djegiet e shkaktuara nga dielli, gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, mund të ndikojnë në zhvillimin e kancerit në lëkurë, në moshë të rritur. Rekomandohet që personat, nën moshën 18 vjeçare, të mos i nënshtrohen solarit. Madje në Australi, për personat e moshës 15 deri në 18 vjeç, kërkohet miratimi i prindërve, përpara se të bëjnë solar.   

Kur nuk këshillohet?

Solarit duhet t’i shmangen gratë shtatzëna dhe personat me  lëkurë shumë të bardhë, shumë quka, ngjyrë të çelur të syve, flokë të kuqe. Këta persona janë të predispozuar më tepër për t’u prekur nga kanceri i lëkurës, pasi lëkura e tyre, nuk përmban shumë melaninë, në mënyrë që të kryhet pigmentimi.

Nuk duhet të bëjnë solar personat që vuajnë nga:

  • Dhimbje të shtyllës kurrizore
  • Diabeti
  • Zemra
  • Migrena
  • Epilepsia
  • Alergji të ndryshme
  • Tensioni i gjakut
  • Infeksione të syve
  • Azma
  • Marramendja/vilania
  • Veshkat 

Cilat pjesë të trupit s’duhen ekspozuar?

Zonat e ndjeshme të trupit të cilat nuk përmbajnë melaninë, duhet të mbrohen nga ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë të solarit. Këto zona përfshijnë: hundën, sqetullat, buzët, veshët, zonat intime. Ndër masat që duhen marrë për mbrojtjen e këtyre zonave janë: përdorimi i maskave, peshqirit, ose kremrave që pengojnë depërtimin e rrezeve ultravjollcë.   

You might also like