GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Stefan MALARME – Poezi

Përhitje

U trisht hëna: Ca engjëj gjithë lot, harkun në gishtërinj,

Ëndërrojnë luleve plot avuj e heshtje mavi,

Dënesat e bardha rrëshqasin si shkumë

Nga violat në hekë, mbi kurorat mbi blunë,

– Qe dita gjithë hir e puthjes tënde të parë,

Ëndërrimi që të më sfilitë e të më plasë

Dergjej si një plak në parfumin e mërzisë,

Që pa pendesë e pa zhgënjime braktis

Frytin e një Ëndrre, që zemra pret ngaherë;

Bridhja i përhumbur në kalldrëmin e vdjerrë,

Kur udhës me flokët plot diell shpupuritur

Të pikasa duke qesh, kur dita qe ngrysur;

Të pandeha zanë me kësulë llamburime,

Që përhihej dikur në dremka të fëmijërisë sime,

E nga duart e brishta i binin gjithmonë

Të bardhat tufa yjesh me xixa e aromë.


Kthimi i pranverës

E drobitur, pranvera përzu me pikëllim

Kristalin dimër, këtë stinë arti të qetë,

Por damarëve të mi lëvrin një gjak pajetë

E plogështia zgjatohet si një gogësimë.

Muzgjet e bardhë vaken e kafkën përqark,

Një vjegë ma shtrëngon si varr i lashtë, i trishtë

Harboj pas një ëndrre të vagullt që më grish,

Në ograjën ku krekoset lëngu i llagartë.

Zemërohem me parfumet, bie i lodhur, i vrarë

Në ëndrrën time një gropë me faqe rrëmoj,

Kafshoj dheun e ngrohtë ku mbijnë jargavanë.

Po më shkallmon mërzia dhe pres të mbarojë…

Mavia loz mbi gardhe dhe zgjimin e këndell,

Të zogjve që çokasin nëpër lulet me diell.


Puhi deti

Trupi u brengos, sa keq ! Lexova çdo libër.

Të iki ! Të kris përtej ! E ndjej që zogjtë harbohen sipër

Në qiej e dehen në shkumë të panjohur ! Nuk vlejnë… !

Asgjë, as kopshti i vjetër që sytë rrëfejnë

Nuk mund ta mbajë këtë zëmër që u qull në det,

O net ! As llamba me llapëtimën e shkretë

Përmbi letrën bosh që bardhësia e stis,

As gruaja e re që foshnjën tajis…

Po nisem ! Lëkundu direk i anijes, mos u ndal

Dhe ngrije çengelin për një vend tropikal !

Një Mërzi e brengtë prej shpresave pashpirt,

Beson në ndarje të shenjta e tundje shamish,

E ndoshta, veç direkët që ftojnë uragan

Një erë i përkul në shkatërrim e vikamë,

Në gjëmë, pa direkë, pa ujdhesë të blertë…

Dëgjo, moj zemër këngë marinarësh në det !


Pikëllim vere

Përmbi rërë zjarr i diellit, moj rivale e përgjumë,

Në arin e flokut tënd nxeh një banjë që lëngon,

Tret temjanin mbi faqen armike e bën shkumë;

Një pije dashuruese me pikla e trazon.

Pëshpëritje në dremkën e përflaktë që nuk shter,

E pikëlluar, o puthje plot fërgëllima frike:

“Ne kurrë s´do jemi një mumie e mjerë

Nën palmat fatlume e shkretëtirën antike !”

Por floknaja jote një shkulm që u ndez,

Ku zemrën bezdisëse ta mbysim menjëherë,

E të hasim një hiç që s´e njihje më parë !

Gjerdanin plot lot prej qerpikut tënd të zi,

Do gëlltis që të shoh nëse zemrën e vrarë,

Ma bëjnë të ftohtë si gurët e ngjyra mavi ?

Përktheu: Çlirim KOKONOZI

Ju gjithashtu mund të pëlqeni