Sundimi jugosllav mbi Shqipërinë 1944-1948: Si thuajse u zhduk hymni ynë kombëtar dhe shumë fakte që ndoshta s’i keni dëgjuar kurrë më parë
Nga Luan DODE
Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria komuniste ndodhej para rrezikut të gëlltitjes nga aleatja-motër, ish-Jugosllavia titiste. Ky konkluzion evidentohet qartë nga shqyrtimi historiografik i periudhës katërvjeçare 1944-1948, vlerësuar nën një këndvështrim dhe me një orientim të qartë kah zhvillimet konkrete që çuan drejt një aneksimi dhe sundimi de facto të Shqipërisë nga Jugosllavia.
Parë dhe vlerësuar në këtë prizëm, studimi i dokumentacionit dhe materialeve arkivore voluminoze përbën në vetvete një prurje të nevojshme faktologjike në historiografinë shqiptare, pasi hedh një dritë të re, përmes fakteve dhe burimeve të shumëllojshme, mbi aspektet më të shënuar të historisë politike shqiptare, quajtur dhe etiketuar me të drejtë si “shkrirja” e dy vendeve, apo më saktë si “aneksimi jugosllav me vullnetin e vetë politikës shqiptare, realizuar si platformë ndërshtetërore nëpërmjet programimit të një politike të hapur për jugosllavizimin e vendit”.
***
Përveç propagandës së shfrenuar projugosllave, asokohe një drejtim i veçantë ishte zbehja e identitetit kombëtar, që evidentohej nga dukuritë e panumërta. Në shumicën e rasteve, bashkë me flamurin shqiptar shfaqej edhe ai i Jugosllavisë, ashtu siç veprohej edhe në kohën e pushtimit italian.
Kësisoj në muajt shtator-tetor 1945 u hoqën nga rrugë dhe sheshe të ndryshme emra personalitetesh të shquara të historisë
kombëtare, si Skënderbeu, Lekë Dukagjini, Ali Pashë Gucia, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Isa Boletini, etj., apo personalitete të huaja që kishin mbrojtur interesat kombëtare shqiptare, si Presidenti Uillson, gjenerali Telini, etj., që u zëvendësuan me emra dëshmorësh të së ashtuquajturës “Luftë Antifashiste Nacional-Ҫlirimtare”.
Në mesazhin që Enver Hoxha i drejtonte popullit shqiptar nga “Radio-Tirana” me rastin e 28 Nëntorit 1945, si dhe të nesërmen në kryeartikullin e shkruar nga Lame Kodra (Sejfulla Malëshova) në gazetën Bashkimi, nuk përmendej asnjë nga figurat shqiptare, madje as ajo e Skënderbeut. Poashtu nuk përmendej kontributi parësor i shqiptarëve të “përtej kufirit” në Shpalljen e Pavarësisë, një kontribut ky që habitshëm do të “harrohet” për shumë vite.
Në nëntorin e vitit 1946, në kryeartikullin “28 Nëntori 1912” të gazetës “Bashkimi”, përmendej vetëm Skënderbeu.
Për shqiptarët e “përtej kufirit”, më 29 nëntor botohej lajmi me titull “Në Jugosllavinë e Re minoriteti shqiptar gëzon të gjitha të drejtat”.
Në këtë frymë, 29 Nëntori, që tashmë po merrte trajtat e një “feste të përbashkët” me atë të Jugosllavisë, po fitonte gradualisht atributin e Festës Kombëtare.
Në nëntorin e vitit 1947, në kryeartikullin e gazetës “Bashkimi”, të titulluar “Përkujtojmë 28 Nëntorin 1912”, nuk përmendej asnjë nga figurat historike të kohës. Lartësohej vetëm Enver Hoxha.
E njëjta gjë ndodhte në nëntorin e vitit pasardhës (1948), në kryeartikullin e titulluar “Populli shqiptar përkujton ditën e shpalljes së indipendencës, 28 Nëntorin e vitit 1912”. Por në këtë rast gazeta paraqiste tre fotografi: Me format të madh atë të Enver Hoxhës; nën të, në formate më të vegjël ato të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit.
Në nëntorin e vitit 1948, në kryeartikullin e gazetës “Zëri i Popullit”, titulluar “28 Nëntori i vitit 1912 dita e shpalljes së indipendencës”, përmendej një herë Ismail Qemali dhe disa herë Enver Hoxha.
Pas formalitetit kushtetues për vendosjen në flamurin kombëtar të yllit të kuq mbi shkabën dykrerëshe, qeveritarëve nuk u vinte për mbarë Himni Kombëtar “Rreth flamurit të përbashkuar…”, sepse si të gjithë himnet e shteteve të tjera (me shumë pak përjashtime, si përshembull himni i ish-Bashkimit Sovjetik) ishte i natyrës kombëtariste. Kësisoj, i reduktuar vetëm në një strofë, himni ynë pothuajse nuk këndohej më me zë, ngaqë do të dilte i papërshtatshëm pas bashkimit me Jugosllavinë.
***
Më 27 nëntor të vitit 1946 u shpall një konkurs për një himn të ri, quajtur “Himni i Republikës Popullore”; më 23 shkurt të vitit 1947 do të shpallej teksti fitues, kurse himni thuhej se do të ekzekutohej më 24 maj, datë kur në fakt kjo çështje u la si në harresë.
Por megjithatë kishte mbetur si thumb në mendimet e drejtuesve komunistë.
Ismail Kadare shkruan për përsëritje pa bujë e për harresa të tjera të mëpasme të kësaj historie.
Por asokohe qytetari shqiptar haste kudo të njëjtën panoramë: Nëpër mure shkruhej “Rroftë Tito”, në krah me “Rroftë Enveri” .
E përditshmja “Bashkimi” botonte në një kryeartikull të saj vlerësime fyese të Titos për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët, sipas
tij, “në të kaluarën ishin përdorur gjithnjë për të krijuar grindje në Ballkan”.
Nesti Kerenxhi, zëvendësministër i Punëve të Brendshme për Sigurimin e Shtetit, urdhëronte që nënshtetasit jugosllavë të mos kontrolloheshin në aeroport, kur dihej mirë se shumica e tyre bënin kontrabandën e arit.
Të rinjtë “vullnetarë” që ndërtonin hekurudhën Durrës-Peqin, me t’u vënë në rresht për të shkuar në frontet e punës, apo në mensë, qysh në hapat e para fillonin këngën “Adin dva, adin dva / Omlladinska Titova (Një dy, një dy / Rinia e Titos)”.
Gjendja prej vasali e vetë Hoxhës vihej re kudo. Ndaj dhe në vitin 1946 Tirana zyrtare miratoi një propozim të qeverisë jugosllave, sipas së cilës kudo që Jugosllavia kishte një përfaqësi diplomatike, të kishte in sordina edhe një përfaqësues shqiptar.
Nuk kishte fushë të jetës në Shqipëri, ku të mos mbizotëronte apo, të paktën, të mos ndihej ndikimi jugosllav.
Nuk kishte institucion administrativ, gjyqësor, policor, ushtarak, apo ndërmarrje të rëndësishme, ku të mos ishte të paktën një këshilltar apo instruktor jugosllav . Me pak fjalë, nuk kishte përmbi tokë njerëz më të mire se “popujt e Mareshalit”, siç nderonte Hoxha sllavët e Jugut.
Një mosmarrëveshje, apo qoftë edhe një keqkuptim me ta, e vinte qytetarin shqiptar në pozitë të vështirë me qeverinë e vet.
Një gërryerje në themel të Kombit bëhej në shkollat e Shqipërisë. Kësisoj në lëndët e historisë dhe të gjeografisë, Kosova dhe trevat shqiptare në Jugosllavi shtjelloheshin në mënyrë të tillë sikur s’kishin të bënin me kombin shqiptar.
Asnjë fjalë nuk thuhej për letërsinë shqipe të atyre anëve. Siç kemi përmendur, si gjuhë e parë ndërkombëtare po vendosej serbo-kroatishtja; pas saj vinte rusishtja si gjuhë fakultative.
Ishin kapitujt më të rëndë të tragjedisë: shkatërrimi sistematik i elitës intelektuale; mposhtja e inteligjencës shqiptare dhe; thyerja e frymës kombëtare, të cilat nën etiketat e “luftës kundër fashizmit e imperializmit, nacionalizmit e shovinizmit”, zhvilloheshin njëherazi sipas interesave jugosllave. Veçanërisht u godit kuadri i lartë me arsim universitar, i cili në atë kohë përbënte një numër të kufizuar.
Veç zhdukjeve, vetëm me anë të proceseve gjyqësore gjatë atyre viteve u dënuan 180 intelektualë si: juristë, arsimtarë, mjekë, agronomë, ekonomistë, oficerë, etj., nga të cilët: 59 me vdekje; 7 të vdekur nën tortura; 12 me burgim të përjetshëm; 43 me 20-30 vjet burg dhe 59 vetë me dënime nën 15 vjet burg.
Intelektualët që kishin shkruar, apo që diskutonin për Kosovën, dënoheshin me burgime, denigroheshin, apo në rastin më të mirë liheshin në hije.
Pa qëllim skedimi e radhitjeje, po përmend disa nga ato figura si: Ymer Luftia dhe Vasfi Samim Visoka, të cilët u akuzuan në Gjyqin Special, në mars të vitit 1945, për botimin në vitin 1943 të librit me titullin “Nëna Kosovë”.
Besim Qorri u dënua me privim lirie për librin e botuar në vitin 1944, me titullin “Shqipnia e vërtetë (Studim historik dhe etnografik)”.
Sami Repishti u dënua në vitin 1947 me akuzën se kishte “dëmtuar miqësinë me Jugosllavinë e Mareshalit Tito”, sepse qysh në pranverën e vitit 1945 kishte shprehur mendimin për të Drejtën e Kosovës për Vetëvendosje, apo edhe më troç, “ka kërkuar hapur bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”.
Një nga shkaqet e dënimit e të denigrimit të mjeshtrit të prozës shqipe të viteve ‘30 dhe ‘40 të shekullit të kaluar, Mitrush Kuteli, e përbënte edhe “Poemi Kosovar” i tij. Kurse Lasgush Poradecit, gjatë “redaktimeve”, jo vetëm i deformohej “Hymni Kosovar”, por edhe në poemën e re “Mbi ta”, emri “Kosova” u zëvendësua me “Malësia” .
Hamit Kokalari, autori i monografisë “Kosova–djepi i shqiptarizmit”, shpëtoi rastësisht kur gjatë terrorit që komunistët shpërthyen në ditët e “luftës për çlirimin e Tiranës” vranë dy vëllezërit e tij nacionalistë, Muntaz dhe Vesim Kokalarin.
Në fushatën për denigrimin e At Gjergj Fishtës me akuzën kryesore si “shovinist”, mori pjesë personalisht Enver Hoxha, i cili në emër të “bashkim-vëllazërimit” shkruante: “Këto hallka të shëndosha që lidhnin dy popujt nuk mund t’i shkëpus(nin)…, as vjershat e poetit të imperializmit dhe agjentit italian, shovinistit Gjergj Fishta”.
Testamenti i Faik Konicës drejtuar Fan Nolit për varrosjen në Shqipëri dhe kërkesat që ky i fundit i pat dërguar personalisht Enver Hoxhës dhe Sejfulla Malëshovës, u refuzuan nga Hoxha.
Domethënës është eliminimi dhe persekutimi që komunistët shqiptarë dhe ata jugosllavë kanë ushtruar mbi familjen dhe rrethin familjar të Isa Boletinit, mbi të gjithë djemtë dhe nipërit e tij dhe mbi vetë Adile Buletinin (Bekteshi), gruaja e Ademit – njëri prej djemve.
Duke i patur të ngulitura mirëkuptimet me të dërguarit jugosllavë gjatë luftës, Enver Hoxha kërkon të bindë shqiptarët se e drejta për të folur për Kosovën dhe detyra për t’ia kthyer Shqipërisë i përkiste Titos. Ai madje thotë: Tito “marksisti” me të drejtë e bëri çështje të madhe problemin e krahinës së Venecia-Xhulias (e cila sipas Titos duhej t’i merrej Italisë dhe t’i jepej Jugosllavisë – shënimi im i Luan Dodes). Kurse çështjen e Kosovës, që ishte me të vërtetë shqiptare, shoku “marksist-Mareshali” Tito, jo vetëm nuk e ngriti për t’ia dhënë Shqipërisë së cilës i përkiste, por bëri çmos që të mos flitej për të.
Një nga ata që nuk fliste ishte Enver Hoxha, i cili gjatë këtyre viteve ka guxuar ta përmendë publikisht Kosovën vetëm një herë, në një kuadër historik mesjetar, teksa mori të argumentojë “miqësinë shekullore”, pra vëllazërim-bashkimin me jugosllavët, kur tha tekstualisht: “Populli ynë ka luftuar sëbashku me popujt sllavë të Jugut kundër Turqisë, në Kosovë e gjetkë”.
Kur patriotët shqiptarë kërkonin Kosovën, drejtuesit komunistë të Tiranës organizonin nëpër qytete të Shqipërisë manifestime në përkrahje të rivendikimeve tokësore që Jugosllavia bënte për Triesten, Istrian, Karinthinë, etj..
Në gazetën “Bashkimi” ishin të panumërt artikujt, lajmet dhe informacionet për këto krahina, qysh në muajt e parë të vitit 1945, por u shtuan sidomos gjatë periudhës prill 1946–qershor 1947.
Në korrik të vitit 1946, në Beograd, Hoxha deklaroi: “I gjithë populli shqiptar mendon se shkëputja e Julinska Krajinas ka qenë një padrejtësi e madhe që iu bë Jugosllavisë nga Traktati i Paqes i Versajës”.
Pas bashkimit konkret, në telegramin e urimit drejtuar Titos në shtator të vitit 1947, Hoxha përshëndeste “me gjithë shpirt bashkimin e Polas, të Istrias dhe të bregdetit slloven me mëmëdheun, me Jugosllavinë”, ndërsa gazeta “Bashkimi” botonte në faqen e parë artikullin me titull “Rrofshin Pola, Istria dhe bregdeti Slloven, të lirë”.
“Radio-Tirana” dhe gazeta “Bashkimi” ishin të tejngopura me lajme nga Jugosllavia, të cilat propagandoheshin si ngjarje që i përkisnin njëkohësisht Shqipërisë. Fjalimet që udhëheqësit komunistë jugosllavë mbanin në vendin e tyre, në Shqipëri botoheshin integralisht.
Apoteozat për “Jugosllavinë e Re të Mareshalit Tito” ishin në rendin e ditës së komunistëve shqiptarë, sidomos në gojën e drejtuesve të tyre, e veçanërisht në atë të Enver Hoxhës. “Shkurt, ata na e paskëshin bërë diellin të dalë mëngjeseve në Shqipëri”, – ironizonte më vonë Hoxha veten e vet.
Hoxha ka paraqitur edhe “argumente historike” për “bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë”. Duke konstatuar mungesën e një “studimi serioz” në historinë e popullit shqiptar, ai del në përfundimin se “Populli shqiptar nuk është një popull me origjinë sllave, por një studim serioz i historisë së tij tregon në mënyrë të padiskutueshme se afinitete të mëdha e lidhin me sllavët e Jugut…, afinitete këto që i shpjegojnë qartë prirjet e popullit tonë për një vëllazërim dhe bashkim sa më të ngushtë me jugosllavët”.
Ironia shfaqej sa herë që pushtetarët komunistë trumbetonin se për herë të parë i kishin sjellë Shqipërisë “pavarësinë e vërtetë kombëtare”, slogan ky që u kthye në një dogmë historike.
Në Shqipëri gjendja ishte “një sundim jugosllav pa pushtim”. Ndërkaq, pjesa më e madhe e kombit shqiptar jetonte realisht nën pushtimin jugosllav.