Tani, Ramës po i dalin djajtë nga shishja
Rreth një javë pasi “Reporterët pa kufij” treguan me gisht kryeministrin e Shqipërisë se është fajtori i drejtpërdrejtë për humbjen e 20 vendeve vetëm brenda një viti, në klasifikimin e lirisë së shtypit, duket se gazetarët që i shkuan në konferencë Edi Ramës e kishin dëgjuar këtë kambanë. Sot në seancën e pyetje përgjigjeve me reportërët për problemet e reformës në drejtësi ata treguan disa shkëndija se si duhet të jetë raporti i vërtetë i mediave me pushtetin politik. Gazetarja Ambrozia Meta, e cila u shndrua edhe në mollën e sherrit në replikat me “Reporters sans frontieres”, pas përjashtimit të saj nga konferencat e shtypit, bëri një akt që nuk e shohim rëndom. Kur Rama nuk iu përgjigj drejtpërdrejtë pyetjes së një kolegeje të saj të MCN TV, ajo e përsëriti pyetjen. Rikthimi i këtij solidariteti të humbur mes kolegësh që nuk e lejojnë veten të nëpërkëmbën nga trysnia që shefi i qeverisë ushtron mbi pronarët e tyre është një akt prej gazetari race.
Por “stari” i ditës sot u bë gazetari i A2CNN, Klevi Muka i cili fillimisht e pyeti kryeministrin nëse ishte e moralshme që të fliste për drejtësinë dhe të mbante në krah një ministër drejtësie si Ulsi Manja që ka dalë në përgjimet e dosjes së vjedhjeve të zgjedhjeve në Dibër. Këtë pyetje normale kryeministri e etiketoi si tejkalim etike dhe aty për aty mori përgjigjen që e la të shtangur: “nëse mendoni se etika mësohet më mirë në shkollën e pikturës sesa në atë të gazetarisë, atëhere vazhdoni”.
Me këtë qëndrim, që e nxori nga shinat “armikun e mediave të lira” gazetari Muka nuk mbrojti vëtëm dinjitetin dhe integritetin e tij, por mbi të gjitha atë të gjithë kolegëve dhe sidomos atë të atyre që përfaqësojnë TV e mëdha, të cilët, kur nuk përsërisin përmendësh pyetje të parapërgatitura, kanë shqetësimin e vetëm që të mos i prishin punë padronëve të tyre.
Por një aradhë e re reporterësh duket se po kërkojnë të çlirohen nga ky rol i turpshëm i pyetësit papagall. Ata po ndërgjegjësohen për përgjegjësinë publike që kanë mbi supe dhe po kërkojnë të emancipohen nga etiketimi si korrier i pronarit në sallonin e kryeministrit. Dhe me këtë po nderojnë veten e tyre duke nxjerë qesharakë zvarranikët me formim londinez.
Shembulli i Klevi Mukës, njësoj si modeli tashmë i instaluar i Ambroza Metës janë dëshmi se me çfarë lehtësie mund të griset perdja e propagandës. Mjafton shumë pak për ti mbivendosur realitetin butaforisë, kur në punën e gazetarit dinjiteti e mposht servilizmin. Një shembull të qartë e pamë sot kur Rama u detyrua ta ndërpresë konferencën e shtypit.