- SPONSOR -






- SPONSOR -

Të dhënat që rrëzojnë propagandën për gropën e betonit në Tiranë

Nga Ola Xama

Ndërtimet pa kriter dhe nga kompani fantazmë kanë pushtuar vitet e fundit qytetin. Sot Tirana ka hyrë në gropën e madhe të betonit dhe duket se më shumë sesa qytetarëve, po u shërben disa lobeve që ndahen në ca që duan të bëjnë para shpejt dhe në ca të tjerë që nuk kanë interes të fitojnë, por të pastrojnë atë që kanë fituar me biznese të jashtëligjshme.

Dy të dhëna zyrtare të Institutit të Statistikave rrëzojnë propagandën që po bën së fundi bashkia duke thënë se lejet po jepen në proporcion me rritjen e popullsisë së kryeqytetit. Në fakt nuk është kështu.

Sipas INSTAT-it, numri i lejeve të ndërtimit të dhëna në Tiranë për vitet 2017-2021 është 1671 për një total prej 5.7 milion metra katrorë sipërfaqe. Nga këto, më shumë se gjysma (53%), janë dhënë për ndërtesa rezidenciale. Pra, janë dhënë leje për t’u ndërtuar 3 milion metra katrorë pallate dhe vila. Nëse e pjesëtojmë këtë shifër me 100 metra katorë që është hapësira mesatare që jeton një familje, i bie që të jenë ndërtuar 30 mijë apartamente.

Nga ana tjetër progresioni i rritjes së popullsisë së Tiranës sipas të dhënave zyrtare në këto vite është 43 mijë banorë, e cila nëse pjesëtohet me 3 që është numri mesatar i anëtarëve të një familje, rezulton se kërkesa për apartamente sikur të gjithë të ardhurit të jenë të interesuar për shtëpi, nuk është më shumë se 15 mijë apartamente. Atëherë përse po na dalin gjysmat e banesave tepër, madje dhe me çmime shumë të larta?

Përgjigjja logjike është se një pjesë e ndërtuesve nuk ka interes t’i shesë këto shtëpi, por të ndërtojë dhe të mbajë çmime të larta, pasi sa më i lartë fitimi i deklaruar, aq më e lartë dhe vlera e parave që pastron.

Dy të dhëna të tjera jo-zyrtare rrëzojnë po ashtu deformimin që po i bën kësaj çështje propaganda e bashkisë: ndërtimet e kateve pa leje të kullave dhe pallatet e papërfunduara.

Po të llogaritim edhe sipërfaqet e ndërtuara pa leje, atëherë sa del numri i apartamenteve të ndërtuara në Tiranë në raport me popullsinë? 30 mijë banesa sa raportohet nga të dhënat e INSTAT apo 40 mijë? Po disa kulla përse janë lënë përgjysmë? Nëse paska kërkesë kaq të lartë, përse në zonat më të mira po mbeten pallatet papërfunduar? Përse nuk paguajnë blerësit apo të financojnë bankat?

E vërteta është se stoku i kredisë për ndërtimin në fund të vitit 2021 ishte 483 milion euro, me një rritje nga viti 2017 prej vetëm 147 milion euro. Nga ana tjetër vlera e lejeve të ndërtimit për rezidenca banimi në këto vite është 900 milion euro. Cili është burimi i 753 milion eurove?

Ka ardhur koha që si në të gjithë vendet e zhvilluara, edhe Shqipëria të ketë një ligj me kritere të forta për dhënien e lejeve. Duhet që leja e ndërtimit të kushtëzohet me patjen e 30 deri në 50% të financimit, në varësi të madhësisë së projektit (ky rregull nuk vlen për banesat individuale).

Kjo do të mbrojë qytetarët që porositin shtëpitë që t’iu mbarojnë në kohë, do të mbrojë ekonominë nga paratë e pista që hyjnë në këtë sektor, pasi në momentin që do të jetë vlera në bankë apo projektin do e financojë banka me kredi, nuk do të ketë hapësira për depërtimin e tyre, do të sjellë në treg firma serioze që kanë qëllim cilësinë dhe jo biznes tjetër, do të frenojë valën e betonit dhe stabilizojë çmimet e këtij tregu.