Të gjithë të çmendur për Merkel
Edi DELIU – Gjatë krizës së koronavirusit, kancelarja gjermane tregoi lidership dhe autoritet, aq sa konsensuset për të i kanë tejkaluar 80% duke i ringritur më lart se ndonjëherë kuotat e CDU-së së saj. Ka premtuar se nuk do të rikandidojë, por për pasardhës të mundshëm të saj nuk po flitet më
Superstari Merkel! Ose “Të gjithë të çmendur për Anxhelën!”, duke perifrazuar një film të vjetër amerikan. Me sa duket, Gjermania është sërish e dashuruar me kancelaren e saj, duke u bërë edhe një herë “Krisenkanzlerin”, tek e cila beson i gjithë vendi, shkencëtarja-nënë që qetëson shpirtin e tronditur të kombit, duke i rikthyer të gjitha shifrat e një krize të paparë ndonjëherë në normat e një shteti normal pararojë, e duke e treguar veten të jetë një antivirus i vërtetë, në antivirusin parësor të frikës, në antivirusin kryesor të pandemisë.
Sondazhet konfirmojnë muajin e ri të mjaltit, duke vërtetuar nivele gjithnjë e më të mahnitshme të popullaritetit për ish “vajzën e lindjes” – e vlerësuar nga më shumë se 80% e gjermanëve, nivele prej të cilëve liderët e tjerë evropianë janë me vite dritë larg – me CDU / CSU-në e saj që rikthehet dhe fluturon me mbi 37% të përkrahjes. Shifra që i sigurojnë ‘Grosse Koalicion”-it të saj një stabilitet që dukej i lidhur me një këmbë i rrëzuar, duke i paraprirë krizës së migrantëve, duke i paraprirë “valës” së AFD, e duke i paraprirë edhe paqëndrueshmërisë globale të targuar Trump & Putin & Xi. Jo keq për atë që tregohej prej kohësh si tërheqëse e çalë në rrugën e perëndimit të diellit, e detyruar të lëshonte drejtimin e CDU-së për të ndaluar hemorragjinë e votuesve, ai që është stërbetuar dhjetëra herë se ky aktual është mandati i saj i fundit, pas 15 vitesh mbretërimi të padiskutueshëm, afër vetëm kancelariatit të Helmut Kohl, arkitektit të unifikimit gjerman.
Një situatë e re politike
Është një nga efektet anësore të koronavirusit: kandidatët për leadership të CDU-së, partia e saj, kanë rënë në harresë, ata që aspirojnë të zënë vendin e saj – në vitin 2021, në skadimin natyral të mandatit të katërt – po hasin shumë vështirësi që t’i dëgjojë kush, me përjashtimin e vetëm të Markus Soeder dhe Armin Laschet, guvernatorët e Bavarisë dhe Nordrhein-Westfalen, por kjo vetëm për faktin sepse qeverisin këta Laender në llogore kundër epidemisë. E kështu, për herë të parë, në gazetat gjermane – duke filluar me tabloidin popullor Bild Zeitung, që e hapi lojën dy javë më parë – nisi të marrë hov e paimagjinueshmja: një mandat i ri për Merkel. I justifikueshëm me krizën e madhe të koronavirusit, nga e cila kancelarja ringjallet me një aprovim gati unanim, dhe e mbështetur nga një situatë politike thellësisht e shndërruar.
Ultra e djathta AFD është tashmë pa zë dhe vazhdon të bjerë në sondazhe, liberalët e FDP dhe e majta e Linke duket se kanë dalë jashtë radarëve, ngjitja që dukej e pandalshme e të Gjelbrve mbetet e bllokuar, aleatët SocialDemokratë rriten, por jo edhe shumë domethënë, pa ndikuar në sundimin e kristian-demokratëve. Një parti, CDU-CSU, e cila deri para pak kohësh dukej se ishte në kaos absolut, me kulmin e arritur nëpërmjet njoftimit për dorëheqje të leaderit Annegret Kramp-Karrenbauer. Në thelb: boom-i i CDU / CSU në sondazhe mbart markën ekskluzive Merkel.
Merkel-Matrix
Me pak fjalë, tema-Merkel është bërë tashmë makthi i ri i gazetave gjermane: dhe bëhet fjalë për një rradhë të gjatë lavdesh, të cilat përshkojnë pa dallim gazetat nga më ‘liberal’ si Zeit dhe Spiegel, tek e përditshmja autoritare, si Welt. “Deri para pak javësh Angela Merkel dukej si e braktisur në një rrugë pa shpirt”, shkruan Dirk Kurbjuweit në Spiegel, në një artikull jo rastësisht të titulluar “Merkel-Matrix”. Ajo kancelare që “shqetësonte garën për zëvendësimin e saj dhe bllokonte çdo rifillim me një tranzicion shumë të gjatë. Interesi politik dukej sikur ishte i përqëndruar mbi të gjitha se kur ajo do të ishte më. Flitej për të ardhmen, dhe ajo nuk ishte”.
Zgjedh tonet të forta e përjavshmja gjermane: “Tani mendimet mbizotërohen nga e tashmja, më e vështira në historinë e Republikës Federale. Janë në diskutim jeta dhe vdekja, dhe kolapsi i ekonomisë, dhe kjo e tashme ka rilançuar Merkelin në qendër të ngjarjeve. Çfarë comeback, çfarë përgjegjësie! Asnjë kancelari para nuk i është dashur të të duronte një presion të tillë ose mund të bënte aq shumë gabime, me pasoja dramatike. Ose të bënte kaq shumë gjëra mirë!”. Praktikisht, “politika e Merkel duket sikur nuk ka alternativa”, godet mbi gozhdë Spiegel, që, për herë të parë, nuk përjashton edhe mundësinë e një mandati të pestë: edhe pse nuk e këshillon, ai pranon “se ka nga ata që e dëshirojnë atë”, duke qenë se nuk mund të përjashtojë faktin që virusi të zotërojë debatin deri në zgjedhjet federale të vitit të ardhshëm.
Një leader që i mbijetoi shumë krizave
Ndërsa Zait, nga ana e tij, pranon se jehona mediatike kundrejt Merkel aktualisht shkon “nga miqësore tek lavdëruese”, si në rang kombëtar ashtu dhe në atë ndërkombëtar: të gjitha lavdet – drejt sistemit shëndetësor dhe aftësisë për të organizative që i mundëson Gjermanisë të mbështesë më mirë se vendet e tjera impaktin ndaj epidemisë – reflektojnë pashmangshmërisht në reputacionin e mirë të kancelares, thekson e përjavshmja. Që nuk harron të kujtojë forcën e përvojës së Merkel, që “si kancelare i ka mbijetuar më shumë kriza ndërkombëtare sesa Macron, Johnson dhe Trump së bashku”: nga kriza financiare e vitit 2008 tek koronavirusi i sotëm, duke kaluar nëpër Fukushima në 2011 dhe krizën e migrantëve në 2015.
Dhe menjëherë, nxehet Welt: “Do të jetë kancelarja e parë që nga viti 1949 që nuk do të dëbohet nga pushteti”. Merkel, sipas gazetës konservatore, aktualisht “gëzon efektin Kohl”, i cili nga rënia e Murit të Berlinit në 1989 vijoi drejt ribashkimit të dy Gjermanive. “Mbizonëron përshtypja se Gjermania dëshiron t’i japë një mandat të pestë”, sintetizon Pforzheimer Zeitung.
Një lamtumirë për të cilën nuk flet më askush
Dhe është e rëndësishme që, para pak ditësh, kreu i kancelarisë Helge Braun ndjeu nevojën për të kujtuar se “kancelarja tha se ky është mandati i saj i fundit. Dhe unë besoj se asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim”. Jo aq mohimi më i fuqishëm i dëgjuar ndonjëherë. Gati gati nuk duket i tillë: është fakt që askush nuk flet më për “lamtumirën e gjatë të kancelares”, si dhe “askujt nuk i intereson më debati për pasardhësit e mundshëm”, thekson sërish Spiegel.
Një fenomen që tejkalon kufijtë gjermanë, kjo lloj ‘Merkel-manie’: Gazeta polake Rzeczpospolita thotë se “Merkel është rikthyer në lojë me rolin e saj të nënës së gjermanëve”, ndërsa New York Times vlerëson aftësinë e saj për të “komunikuar në mënyrë të qartë dhe të qetësi”.
Dhe është përsëri Zeit – në të kaluarën edhe shumë kritike ndaj kancelares – që i beson shkrimtares gjerman me origjinë kroate Jagoda Marinic atë që duket si një letër e vërtetë dashurie kushtuar ish shkencëtares që erdhi nga RDGJ: “Jam krenare që e kaloj këtë krizë me të si kancelare. Nuk është çështje e besimit të verbër. Ajo e ka fituar atë”. Vështirë të imagjinohen leader të tjerë politikë të epokës moderne të cilëve që u kushtohen kësisoj homazhesh. Sigurisht, shumë do të varet nga mënyra se si zhvillohet pandemia. Por sot një Angela Merkel që do të ulet edhe pas vitit 2021 në kancelari – në atë moment do të mposhtë mbretërimin e Kohl për kohëzgjatje – duket më pak fantastikoshkencore sesa mund të dukej vetëm disa muaj më parë. Merkel-Matrix, pikërisht.