Të shkosh dhe të vish nga e Përtejmja
Ata quhen NDE, që në shqip do të thotë “eksperienca pas-vdekjes” dhe i ndodhin rreth 10 përqind të popullsisë. Ata që i kanë provuar tregojnë se kanë përjetuar mirëqenie, një ndjenjë shkëputjeje nga trupi dhe hezitim për t’u rikthyer në jetë. Për disa, kjo lidhet me një gjendje të veçantë të vetëdijës që vazhdon të ekzistojë edhe kur organizmi pushon së funksionuari nga Ros
Pjesa I
I quajnë Near Death Experiences, shkurt, NDE dhe janë ndjesi të jashtëzakonshme të përshkruara nga njerëz që, të shpallur klinikisht të vdekur, janë ringjallur me sukses. Hipotezat e dala deri më tani për të shpjeguar këto raste shpesh kufizohen me misticizëm fetar i cili i konsideron ato si provë të ekzistencës së një “pas”, përtej jetës tokësore.
Por nëse teologjia dhe filozofia kanë pasur mijëra vjet për të ofruar përgjigjet e tyre, ka vetëm disa dekada që shkenca ka filluar të trajtojë këtë argument.
Përshkrimi i parë i hollësishëm i rasteve të NDE u dha nga mjeku dhe psikologu amerikan Raymond Moody, i cili në 1975 botoi librin Jeta përtej jetës, në të cilën ai tregon rastet e mbi njëqind pacientëve që kishin përjetuar këto përvoja në dukje të pashpjegueshme: një ndjenjë mirëqenieje të thellë, perceptimi i një drite shumë të qartë në fund të një tuneli, braktisja e trupit që shfaqet sikur shihet nga lart, takimi me njerëzit e dashur që kanë vdekur dhe mbi të gjitha hezitimi për t’u rikthyer në jetë. Pas librit të Moody, kërkimet mjekësore kanë vërejtur një numër gjithnjë e në rritje të njerëzve që raportojnë përvoja të ngjashme, duke zbuluar se NDE nuk përbëhen nga përshtypje të paqarta, por përvoja shumë të gjalla dhe komplekse që përfshijnë shqisa të ndryshme. Ajo që godet ata që dëgjojnë dëshmitë e tyre është mbi të gjitha fakti që rrëfime të ndryshme kanë elemente të përbashkëta, pothuajse standarde, krejtësisht të pavarura nga besimet fetare, origjina etnike, niveli i arsimimit, seksi apo përvojat e mëparshme.
Në lidhje me këtë, parapsikologët pohojnë se truri është organi i mendjes, por nuk përkon me të. Mendja na qenka jomateriale dhe jotrupore, e aftë të komunikojë drejtpërdrejt me mendjet e tjera dhe të ketë, në rrethana të caktuara, një vizion global të realitetit: e kaluara, të shkuar, të tashëm dhe të ardhshëm. Dhe është kjo mendje superiore ajo që lëviz lirshëm në hapësirë, sidomos kur lidhjet me trupin shkëputen prej vdekjes.
Si në gjumë REM
Sipas një studimi të paraqitur në Oslo në Kongresin V të Akademisë Evropiane të Neurologjisë, një person nga dhjetë përjeton një përvojë pas vdeksore: të drejtuar nga studiues danezë, gjermanë dhe norvegjezë mbi 1.034 njerëz nga 35 vende, studimi vërejti se 106 persona e kishin provuar atë.
Për të përcaktuar shkallën dhe intensitetin, këtyre njerëzve u kërkua të specifikojnë llojin e vizionit bazuar në të ashtuquajturën shkallë Greyson, bazuar në 16 simptoma specifike (shiko boksin më poshtë). Doli se përvojat më të shpeshta përfshinin në 87 përqind të tyre një perceptimi jonormal të kohës, 65 përqind shpejtësi të jashtëzakonshme të të menduarit, për 63 përqind shqisa jashtëzakonisht të gjalla dhe 53 përqind ndarjen e personit nga trupi i tij.
Sipas studimit, këto reagime të trupit ndaj një rreziku të afërt fatal shkaktohen nga i njëjti mekanizëm që shkakton ëndrrat. “Ne zbuluam”, thotë Daniel Kondziella, një neurolog në Universitetin e Kopenhagës dhe shefi i studiuesve, “që ndërlidhja e përvojave të gati vdekjes është e lidhur me gjumin REM: një lloj gjumi i karakterizuar nga lëvizjet e shpejta të syve, gjatë së cilit truri është aktiv porsi gjatë gjendjes zgjuar dhe ëndrrat janë më të gjalla”.
Përtej kohës dhe hapësirës
Por, në botën e shkencës, jo të gjithë janë dakord: për shembull, kardiologu holandez Pim van Lommel, i cili studion për më shumë se tridhjetë vjetësh këtë moment midis jetës dhe vdekjes dhe është i njohur për studimin e parë shkencor mbi NDE të botuar në revistën prestigjioze mjekësore The Lancet.
Interpretimi i përvojave në kufirin me të Përtejshmen, e bëri atë të formulojë një konceptim të realitetit që hipotezon ekzistencën e një vetëdije “gjithëpërfshirëse” përtej hapësirës dhe kohës. “Nëse mbështetemi në zbulimet e bëra në shumicën e studimeve neurofiziologjike të kryera gjatë një ataku kardiak,” thotë van Lommel, “ka shumë arsye për të besuar se vetëdija nuk përkon gjithmonë me funksionimin e trurit dhe se vdekja nuk çon në fundin e vetëdijes, por vetëm në një ndryshim të gjendjes”.
Sipas van Lommel, kjo shpjegohet me hipotezën se vetëdija ekziston në mënyrë të pavarur nga truri dhe se ajo vazhdon të ekzistojë edhe pas vdekjes, duke mos pasur as fillim dhe as fund. “Truri,” shpjegon shkencëtari, “shërben vetëm si një ndërfaqe, si një host, kur jemi në një gjendje zgjimi, pjesë të kësaj vetëdije të zgjeruar dhe pjesë e kujtimeve tona”. Si provë të tezës së tij, studiuesi citon rastin e njerëzve që vuajnë prej vitesh nga sëmundja e Alzheimerit.
Të pazotë për të njohur madje edhe të dashurit e tyre, ata mund të kenë një shpërthim të ndriçimit terminal, në të cilin rikthehen dhe njohin partnerin dhe fëmijët e tyre, t’i flasin në emër, t’i falënderojnë e më pas vdesin. “Janë përvoja,” thotë ai, “që nuk gjejnë shpjegim në teoritë aktuale mjekësore sepse truri i këtyre pacientëve është i dëmtuar.
Qartësia terminale, e njohur mirë për ata që punojnë në strehat e të moshuarve dhe në shërbimet e kujdesit paliativ, mund të kuptohet mirë në dritën e ekzistencës së pavarur të vetëdijes”.
___________________________________________________
Ekziston shpirti? Shkenca kërkon përgjigje nga mekanika kuantike
Mjeku amerikan Stuart Hameroff dhe matematikani dhe fizikanti britanik Roger Penrose pretendojnë se kanë zhvilluar një teori të bazuar në mekanikën kuantike që do të çonte në shpjegimin e përvojave premortore në bazë të sjelljes së përbërësve më të vegjël të materies. Sipas dy shkencëtarëve, shpirti ekziston dhe ai përmbahet si informacion kuantik në mikrotubula të pranishëm brenda neuroneve. Në momentin e vdekjes ai largohet nga sistemi nervor për t’u kthyer në univers, por do të mund të ribashkohej sërish me trupin nëse ai kthehej në jetë në kohë.
Materiali është përgatitur nga stafi i GT