Edi DELIU – Ja një sërë heronjsh, heronjtë më të mëdhenj muzikorë të Bruce Springsteen! Parë kështu, të gjithë së bashku, mund të dalë një seri, një sagë… Dhe pa dyshim – sipas Boss – të bashkuar do të shpëtonin botën!
The Animals
“Për disa, The Animals ishin vetëm një prej grupeve të mëdha beat që dolën nga vitet gjashtëdhjetë, por për mua ato ishin një zbulesë: disqet e e parë me një vetëdije klasi aq të gjallë”.
Springsteen pranon me shumë sinqeritet se ka vjedhur akordet e ‘Don’t Let Me Be Misunderstood’ për ‘Badlands’ e tij.
Bob Dylan
Bruce Springsteen ishte në makinë me nënën e tij në verën e vitit 1965 dhe në radio dëgjoi për herë të parë ‘Like a Rolling Stone’:
“Ajo goditje që të vjen sikur dikush të shpërthente portën e mendjes, hapi horizontet e një studenti 15-vjeçar nga New Jersey: Dylan ishte një revolucionar, Bob çliroi mendjen ashtu si Elvis çliroi trupin”.
Woody Guthrie
Ndikimi i Woody Guthrie mbi Bob Dylan është aq i njohur, por edhe Springsteen është një fan i madh i tij. Këndoi në koncertet e tij coverin e ‘This Land is Your Land’ përgjatë gjithë viteve 1980 dhe u frymëzua plotësisht nga ai për albumin ‘The Ghost of Tom Joad’:
“Kishte gjithnjë një qendër shpirtërore në këngët e Woody, projektonte gjithmonë një sens etik në muzikën e tij: të bënte të mendoni për tjetrin, të shkëpuste nga vetvetja. Besonte në shpëtimin kolektiv, kurrë individual”.
Van Morrison
Springsteen në vitet 1960 ishte një fans i madh i grupit të parë të Van Morrison, i Them, por vetëm kur e pa në koncert në 1971 ai kuptoi me të vërtetë gjenialitetin e tij: ndikimi në dy albumet e tij të parë është i padiskutueshme. Kryevepra e vitit 1968 ‘Astral Weeks’ u bë një obsesion për të gjithë E Street Band, aq sa ftuan në studio bashkë me ta bassistin e Morrison, Richard Davis për të inçizuar ‘Greetings from Asbury Park, N.J’ e ‘Born to Run’.
Van Morrison për ne ishte si fe (Steve Van Zandt).
Elvis Presley
Duket e çuditshme por shikimi i Elvis Presley në Ed Sullivan Show ndryshoi tërë jetën e Bruce Springsteen.
“Ishte mbrëmja në të cilën kuptova se edhe një njeri i bardhë mund të bënte magji, se nuk duhet të të jesh i detyruar nga edukimi yt apo nga përkatësia jote shoqërtore: bëji apel imagjinatës tënde dhe mund të krijosh një tjetër “ti”, një ‘unë’ magjik.”
Po atë mbrëmje ai i kërkoi nënës t’i blinte një kitarë dhe shumë vite më vonë, në 1976, shkoi në Graceland dhe u kacavor mbi gardh në një përpjekje të dëshpëruar për të takuar Mbretin.
Pete Seeger
Seegerit i dedikon tërë veprën e tij të 2006-ës ‘We Shall Overcome: The Seeger Sessions’; tre vjet më vonë të dy u gjendën krah për krah në Mall të Washingtonit për inaugurimin presidencial të Barack Obamës.
“Atë ditë pashë Pete, ishte e jashtëzakonshme: presidenti i parë i zi i Shteteve të Bashkuara ishte ulur në të djathtë të tij dhe unë mendova për rrugëtimin e gjatë që kishte bërë Pete për të parë për atë moment. Teksa unë rritesha gjatë viteve ’60 në një qytet të shënjuar nga trazirat racore, ai tashmë kishte tridhjetë vjet luftë dhe aktivizëm mbi shpinë. Ishte aq i lumtur atë ditë…”.
Phil Spector
Spektori dhe ndikimi i tij i madh në pop janë pika të forta për Bruce Springsteen. Përdorimi i një tingulli të përpunuar, thuajse operistik, prania e fortë me perkusion dhe instrumentet jo-tradicionale të rrokut, si harqet, zënë vend në albumet e Bossit për dyzet vjet, nga ‘Born to Run’ te ‘Working on a Dream’. Në mesin e viteve 1970, një Bruce i ri merr pjesë në një seancë regjistrimi të Spector. Duke vërejtur vëmendjen e tij, super producenti u tall: “Nëse do të më vjedhësh soundin tim, duhet të më lesh mua ta bëj!”
Joe Strummer
Kur në 1977 dolën Clash dukej se misioni i tyre ishte të shkatërronin rockerat si Bruce Springsteen; por doli që frontmani i tyre ishte në fakt një fans i madh i tij:
“Bruce është fantastik, dhe kush nuk e mendon është marsian: muzika e tij është e jashtëzakonshme, veçanërisht në mëngjeset e errëta angleze, pikërisht atëherë kur ke nevojë të ngresh moralin dhe të besosh që përtej shiut ka ende një botë të pakufishme”. (Joe Strummer).
Admirimi ishte i ndërsjellë dhe kur Strummer vdiq Springsteen performoi në Grammys me një cover të ‘London Calling’ për ta nderuar në krah të Elvis Costello, Dave Grohl dhe Steve Van Zandt.