GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Tirana, kryeqyteti më i varfër dhe thuajse më i shtrenjti i Ballkanit Perëndimor

Vehap KOLA

Çmimet në Tiranë janë më të larta se në Shkup, Prishtinë dhe Sarajevë. Janë pak më të ulëta se në Beograd dhe Podgoricë, por edhe në këto qytete ushqimet janë më të lira se në Tiranë.

Fuqia blerëse e qytetarëve të Tiranës është absolutisht më e ulët se e banorëve secilit prej kryeqyteteve të Ballkanit Perëndimor. Tiranasit janë, pra, 14% më të varfër se shkupjanët, 70% më të varfër se prishtinalijtë, 70% më të varfër se sarajevitët, 25% më të varfër se beogradasit dhe 29% më të varfër se podgoricanët.

Me këto diferenca në fuqinë blerëse, edhe ato shporta konsumi që mund të jenë krahasimisht më të lira se në Podgoricë apo Beograd, për qytetarët e Tiranës bëhen të papërballueshme në terma realë.

Vështirësitë ekonomike të Tiranës janë lule kur i krahason me qytetet e tjera dhe me zonat rurale në periferi të vendit. Çmimet janë po ato, ndërsa të ardhurat janë disafish më të ulëta. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve bëjnë, për fat të keq, një jetë mizerabël.

Shpopullimi i Shqipërisë është pasojë logjike e kësaj varfërie sistemike dhe kronike. Sistemike sepse ajo shkaktohet nga një model ekonomik të mbizotëruar nga monopolet, puna e nënpaguar (në privat edhe më e nënpaguar se në shtet) dhe pasiguria ushqimore e shëndetësore e shkaktuar nga korrupsioni.

Kronike sepse modeli i oligarkisë, mafia-shtetit dhe izolimit ekonomik (2019 është viti kur përfunduan investimet e huaja të prura nga qeveria Berisha) shkakton një pamundësi absolute për të dalë nga kufiri i varfërisë me shanset normale.

Tirana dhe e gjithë Shqipëria janë, pra, delja e zezë e Ballkanit. Për çfarë meritash merr çmime të padëgjuara Erion Veliaj?

Dhe çfarë të mire i ka bërë këtij vendi Edi Rama që guxon të kërkojë një mandat të tretë?

You might also like