Tramp, Sister Act, Barrett dhe kardinali i parë afroamerikan
Tre murgesha me maska MAGA në tubimin e presidentit në Ohio që synon faktorin religjoz si hap të fundit, Papa Françesku ‘promovon’ kryepeshkopin e Uashingtonit, Wilton Gregory
Sister Act. Në një pikë të caktuar të mbrëmjes amerikane, me dimrin që fillon të rrahë, një skenë si komedi zhvillohet: Trump është në skenë në Circleville, në Ohio, tre murgesha shfaqen pas tij, një në qendër shtrëngon Biblën, dy të tjerat në krahët e The Donald shtrëngojnë rruzaren, treshja mban maskën “Maga”. Nga Ati ynë tek Make America Great Again, një hap prej Zoti.
Dyshimet teologjike-politike të kronistëve tanë: O Zot, po ato të treja kush janë ata? Kujt urdhri i përkasin? Çfarë do të mendojë vallë Vatikani? E më pas, janë katolike, apo i përkasin ndonjërës prej kishave të shumta, bëje vetë, që lulëzojnë në Amerikë? Kanë veshje të purpurtë, bardhë e zu, duket se u përkasin “Children of Mary” të Newark, Ohio, motrat trumpiane.
Koreografitë e Maga rally – siç e kemi parë – janë të studiuara deri në detaje, nga forma e teatrit ku vendoset pothuajse gjithmonë në aeroporte (për t’i mundësuar Air Force One të kalojë nga pista direkt nën skenë, apo Marine One për të zbarkuar midis turmës, siç ndodhi në The Villages, Florida) deri në skenën që shfaqet para dhe veçanërisht prapa Trampit kur ai flet. Çdo gjë ka një skenar, kohën e vet të hyrjes në skenë. Pra, është The Donald dhe pas krahëve tij projektohet Sister Act. Një goditje e sigurtë në imagjinaren e Rrjetit, #nunsfortrump shfaqet si një hashtag dhe, ja ku fillon me diskutimin përmbi famullinë e Internetit.
Tramp “i krishterë jo-konfensional”
Jemi në Amerikë, këtu kufijtë e religjonit më shumë se rregulla janë çrregullim. Pra, në këtë tur elektoral Trampi kaloi nga statusi i një presbiteriani në atë të një “të krishteri jo-konfensional”, dhe e ka vënë, të zezë mbi të bardhë, me një shënim të shkruar, sepse këtu çështja e besimit është një çështje serioze (dhe jo vetëm në nivelin politik), është pjesë e sjelljes publike (të paktën të asaj të deklaruar), të para dhe pas një konvertimi, një ndryshim rrëfimi, apo një rimendimi fetar. Kështu Trump “zgjeron” besimin e tij (ose e hollon atë derisa të mos e besojë, nëse preferoni ta lexoni kështu) dhe mund të shkojë në kishë dhe t’i mbledhë votat e të gjithëve. Flasim për një minierë, Evangjelistët, sipas Washington Postit më 2016, përfaqësonin një të katërtën e elektoratit total dhe 81% e kësaj bote kanë votuar për Trampin.
Motrat Maga të Ohajos
Tri motrat Maga të Ohajos pra janë të përsosura për qëllimin: Trampi është presidenti i zgjedhur nga Zoti dhe për të tjerët nuk ka Providencë Hyjnore. Disa ditë më parë, gjithmonë në fushatë elektorale, pjesëmarrja e tij në një meshë të së dielës në Las Vegas (bixhoz dhe altar, përzierje e çuditshme) u shënua prej ofertës 20 dollarëshe të bërë nga presidenti-miliarderi, por lajmet në nivelin politik ishte një tjetër: mesha në International Church gjigante të Las Vegasit, në Nevada, ishte bekimi për mandatin e tij të dytë, predikuesit e quajtën atë të vajosurin e Zotit që falë Shpirtit të Shenjtë do të pushtojë Shtëpinë e Bardhë. Dhe vëreni mirë, të gjithë ata që do ta ndjekin do të jenë fitimtarë në jetë.
Mund të buzëqeshni sa të doni, por në Amerikë – dhe jo vetëm, këto janë vota. Dhe lideri i atij komuniteti fetar që rritet midis slot machine, Paul Goulet, votat i zhvendos si letra pokeri kur thotë se Tramp është anëtar i atij komuniteti sepse tashmë është hera e tij të tretë bashkë me ta. Dhe kështu, gruaja e tij Denise Goulet profetizon se Zoti do t’i garantojë Trampit “një shtytje të dytë”, se “ai do të jetë përsëri president” dhe se Zoti i ka thënë se “ai është gati për katër vitet e ardhshme”. Funksionon? Jemi në fushën e mistereve dhe për misteret, dihet, nevojitet besim. Sidoqoftë, International Church e Las Vegas ia kishte dhënë bekimin Trampit edhe në 2016 dhe Denise Goulet rikujton se zgjedhja e tij katër vjet më parë ishte përgjigjja e lutjeve të tij për Amerikën.

Vendos Papa: Emërohet kardinali i parë afro-amerikan
Feja është teksti dhe nënteksti i një skenari me zhvillim të shpejtë dhe të zhurmshëm. Teksa Tramp shndërrohet në “jo-konfesional”, Papa u përgjigjet pyetjeve që i vijnë nga poshtë, nga lëvizjet kulturore të shoqërisë amerikane ku Kisha Katolike po kalon një krizë të thellë, e tronditur nga skandalet e abuzimit seksual ndaj të miturve. Kështu, vëzhguesve politikë nuk u shpëton rëndësia e emërimit të kardinalit të parë afroamerikan mes 13 kardinalëve të rinj të njoftuar nga Papa, Wilton Gregory, 72 vjeç, kreu i Kryepeshkopatës së Uashington DC. Zgjedhja e Papa Francescos vjen në kulmin e protestave të Black Lives Matter që ka ndryshuar fytyrën e politikës amerikane.
Wilton Gregory, me origjinë nga South Side i Çikagos (i zi, i varfër, i njëjti vend ku është rritur edhe Michelle Obama), u konvertua në katolik që në moshën e adoleshencës. Konsiderohet progresist. Si kreu i ipeshkvijve të SHBA, midis 2001 dhe 2004, ka bërë thirrje për një kthesë të Vatikanit në mbrojtje të fëmijëve viktima të abuzimit seksual siç doli nga skandali i zbuluar prej Boston Globe në 2002 dhe përkujtuar në filmin kandidat për Oskar, “Spotlight”. Gregory u emërua nga Papa si kreu i Kishës së Uashingtonit më 4 prill 2019, jo rastësisht në të njëjtën ditë me vrasjen e Martin Luther King, vrarë në Memfis, Tenesi më 4 prill 1968.
Roli që Papa i ka besuar Gregorit në Uashington, pothuajse duke i paraprirë kërkesave të lëvizjes kundër racizmit, konsiderohet si më ndikuesi i Kishës Amerikane për delikatesën dhe rëndësinë e marrëdhënieve me pushtetin politik. Tradicionalisht, Kryepeshkopi i Uashingtonit ka marrëdhënie të ngushta me presidentë, diplomatë në kryeqytetin amerikan dhe me liderë të kulturës.
Në thelb, edhe kjo bën pjesë në konfliktin midis administratës Tramp dhe Vatikanit. Papa Francesco bën një goditje. Tramp? Provoni të godasë. Kaq shumë peshon feja? Po, por pa shpërthimet e borive të engjëjve.
Faktori religjoz
Religjoni është teksti dhe nënteksti i një skenari me zhvillim të shpejtë dhe të zhurmshëm. Edicioni amerikan i “Spectator” ia dedikon kopertinën e tij temës së rënies së ndikimit të faktorit religjoz në politikën amerikane dhe sjell në vëmendjen e të gjithëve se si “në fund të shekullit 20, 40 përqind e amerikanëve ishin frekuentues të rregullt të kishave, më shumë se dyfishi i përqindjes britanike. Dukej se krishterimi ishte pjesë e ADN-së së Amerikës dhe nëse evropianët nuk e kuptonin – beh, ky ishte një problemi i tyre”.
Në vitin 2020, viti elektoral mbase më i rëndësishëm që nga paslufta, situata ka ndryshuar plotësisht dhe pas “katër shekujve të lulëzimit të krishterë” amerikanët “kanë arritur në finish”. Në vend të një prej atyre “zgjimeve” që periodikisht kanë sjellë në jetë besimin e tyre, amerikanët janë të përfshirë në një Përçarje të Madhe. Statistikat e fundit të Pew Research Center janë tronditëse. Midis viteve 2009 dhe 2019, numri i të rriturve amerikanë që e quajnë veten të krishterë ra nga 77% në 65%.
Ndërkohë, numri i ateistëve, agnostikëve dhe i atyre që nuk ndiejnë “asgjë të veçantë” ka kaluar nga 17 në 26 përqind. Për “Spekctator” është një “rënie në stil evropian”, një sekularizim i pandalshëm, kështu “politikanët dhe media janë të interesuar për demografinë fetare vetëm një herë në katër vjet, kur përpiqen të kuptojnë se si do të votojnë kristianët” por sot ka një risi, një Historia të papritur:” Këto janë zgjedhjet e para ku të dhënat tregojnë se krishterimi amerikan po deporthet”. Ndoshta. E në çdo rast, provohen të gjitha mënyrat për të bindur ata që besojnë në Zot të besojnë edhe tek kandidatin që thotë se e ka rrugën e ndriçuar pikërisht nga Zoti. Dhe presidenti amerikan vazhdon gjithmonë të betohet mbi Bibël.
Tri lëvizje për fluturimin përfundimtar
Mesha në Nevada, Sister Act në Ohajo. Dhe emërimi i Amy Coney Barrett në Gjykatën e Lartë. Të gjithë gurët po shkojnë në damë. Janë ulje-ngritjet e kapitujve të një romani që ka një synim të qartë, fitimin e votës së komuniteteve që në Amerikë njihen në bazë të feve, nga ata që shkojnë në kishë apo luten në shtëpi në stil të lirë, e deri tek tradicionalistët që priten nga ardhja e Barrett – në organizmin më të rëndësishëm të sistemit institucional amerikan pas Presidencës dhe Kongresit – një ridrejtim i Gjykatës së Lartë drejt një rruge edhe më konservatore. Një javë e rëndësishme po hapet për Trampin, po konsolidon pozicionet që do të kenë shumë rëndësi në votimet e 3 nëntorit. Një seancë e rrallë e Senatit, e hapur, të shtunën, ka çertifikuar faktin që numrat për emërimin e Barrett janë, madje edhe senatorja e Alaskës Lisa Murkowski pas disidencës së saj të zakonshme të shkurtër njoftoi se do të votojë “po”.
Fati luan me zara, sot Tramp do të jetë në Maine, ku po kandidon për rizgjedhje disidentja e vetme GOP në votimet për Barrett, senatorja Susan Collins,. A do të thotë Trampi diçka për të? Do të përpiqet ta fundosë? Është një votë rebele, por që nuk e ndryshon rezultatin përfundimtar. E vetmja gjë që mund të ndryshojë është vendi në Senat e Maine, ku tani për tani ulet Collins dhe pas 3 nëntorit do të shihet. Kështu pra sot Senati do të votojë për të kalimin e kandidaturës, e cila më pas do të konfirmohet nga votimi përfundimtar të hënën. Emërimi i tretë i Trampit në Gjykatën e Lartë (rekord) dhe procedura më e shpejtë në histori. Një nxënëse e gjykatësit Antonin Scalia, mbretit të “origjinalistëve”, në vend të Ruth Bader Ginsburg, ikonës së progresizmit juridik.

Trampizmi në provën e votës
Edhe kjo është një shenjë e kohës, në nivelin politik në Amerikë janë konservatorët që po shtrojnë rrugën. A do t’i fitojnë ata edhe zgjedhjet e 3 nëntorit? Trump është një rast i veçantë, më 2016 ishte një kthesë e papritur e erës, një stuhi që ndryshoi gjithçka për katër vjet: partia e tij Republikane anulloi atë që qëndronte ende në këmbë nga Gop i vjetër, kundërshtarët e brendshëm (dhe dem, natyrisht) ata e akuzojnë pikërisht për “Trampizmin” i cili, pëlqehet apo jo, është në të njëjtën kohë forca e tij sepse flet për Amerikën më të thellë, për atë tokë të mesme që si Trampi askush tjetër nuk di ta zgjojë, për bazën republikane që kemi parë këtyre ditëve në Maga rally që është në kulmin e entuziazmit të saj, një faktor që të gjithë analistët e konsiderojnë si një përshpejtues të votës për Trump. Do të humbë? Lajmi tani për tani është se Tramp, përkundër gjithçkaje që ka ndodhur, është ende në fushë, një tjetër në vendin e tij tashmë do të kishte dalë nga shinat, me valixhet gati për t’u larguar nga Shtëpinë e Bardhë.
Trump është kokulur në pritje të një rikonfirmim. Do ia dalë? Nëse votuesit kërkojnë pak a shumë në mënyrë të pavetëdijshme qetësinë është një kthim (e pamundur, por është çështje storytelling) në botën e “rendit të vjetër” botërtor dhe në pax amerikan, atëherë Biden është më qetësues dhe do të fitojë, por nëse shqiponja që shtrëngon nën kthetra harkun e ullinjtë dhe trembëdhjetë shigjetat dhe përpiqet të mbrojnë fortesën e saj e të shkojë në kërkim të hapësirave të reja, atëherë Shtëpia e Bardhë do të jetë akoma e Trampit. Sondazhet janë të gjitha për Joe, sheshet thonë Donald. Për pjesën tjetër duhet të lutemi. Së shpejti do të shohim “TheEnd”, jemi në imazhet e fundit të këtij filmi me tension të lartë, por të gjithë kemi ndjesinë e veçantë se do të ketë kthesa të tjera. Mesha pothuajse ka mbaruar. Nuk do të shkëmbejnë një shenjë paqeje.