GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Tri sulmet e Ramës ndaj BE-së

Fundi i vitit 2020 shënoi sulmin e parë të Kryeministrit Edi Rama ndaj Bashkimit Europian në lidhje me vaksinën kundër Covid-19, pasi teksa disa prej vendeve të BE-së kishin nisur vaksinimin, vendi ynë ende nuk kishte siguruar asnjë dozë.

Më 30 dhjetor 2020 kreu i qeverisë lajmëroi në “Twitter” se kishte gati tekstin e marrëveshjes me kompaninë “pfizer” për gjysmë milioni doza. Ndërkohë në “Twitter”- in e tij kreu i qeverisë atakoi BE-në se ka bërë sjellje të papranueshme logjikisht dhe politikisht me çështjen e vaksinave.

“Në kushtet skajshmërisht të vështira si pasojë e kërkesës globale marramendëse dhe sasisë ende tejet të vogël të prodhimit, kemi dakordësuar në parim pas kontaktesh intensive nga të katër anët, tekstin e marrëveshjes me ‘Pfizer’ për të nisur vaksinimin në janar! I papranueshëm moralisht, politikisht, logjikisht, diferencimi që BE-ja i bëri Ballkanit, po ia dolëm sidoqoftë me diplomaci e me këmbëngulje të mos mbetemi mbrapa askujt. Dhe nuk do të ndalemi deri në sigurimin e dozës së fundit. Fjalët mbrapsht atyre që vazhduan me sharje e akuza!”, shkroi Rama më 30 dhjetor të vitit që kaluam.

Ndërkohë, pak ditë më vonë do të vinte edhe sulmi i dytë i Kryeministrit Rama ndaj BEsë. Këtë herë nga Turqia, ku Rama bëri krahasimin midis qasjes së Presidentit turk ndaj shqiptarëve dhe BE-së.

“Solidariteti i Turqisë mike dhe zotit Erdogan nuk ka qenë vetëm një solidaritet i shprehur kur kemi pasur vetëm ne problem. Por edhe në rastet kur Turqia, njësoj si ne, njësoj si e gjithë bota, u godit nga koronavirusi. Turqia dhe Presidenti i saj i qëndruan pranë Shqipërisë dhe nuk vepruan si disa të tjerë, që njësoj siç u thanë njerëzve të mbyllen në shtëpi, i mbyllën në shtëpi dhe shtetet e tyre duke ndaluar deri dhe kalimin e ndihmave mjekësore për ata që kishin nevojë. Kjo ka qenë shumë domethënëse për ne, siç është shumë domethënës dhe fakti që edhe sot një nga temat e diskutimit ka qenë bashkëpunimi i afërt”, tha Kryeministri Rama në konferencë me Presidentin turk Erdogan në Turqi.

Vetëm tri ditë më parë vjen sulmi i tretë. Kryeministri Rama jo vetëm që nuk u tërhoq nga akuzat ndaj BE-së, por konfirmoi qëndrimin e tij se sjellja e BEsë karshi vendeve të Ballkanit ka qenë e palogjikshme sa i përket procesit të vaksinimit.

“Covax nuk është vaksinë, por një sistem për shpërndarjen e vaksinës. Prandaj nuk kemi pse t’i tërheqim paratë. Por siç e dini, vendet kanë rendur për t’i siguruar vetë. Secili për vete, Zoti për të gjithë. Këtë ka bërë edhe Bashkimi Europian për fat të keq.

E kam thënë që është jo vetëm e papranueshme moralisht dhe politikisht, por është e pajustifikueshme logjikisht, sepse BE-ja nuk i kushtonte asgjë që ndërkohë që X vend merr X doza dhe i mban aty sepse nuk mund t’i ezaurojë ato. Fare mirë mund të linte një dozë shumë të vogël për vendet e rajonit. Nga të gjitha këto, 6 vendet e rajonit do të marrin doza për mjekët e infektivit. Ne nuk i kemi sot dozat për mjekët e Shqipërisë, por edhe po t’i kishim, nuk mund t’i bënim në një ditë”, tha Kryeministri Rama tri ditë më parë.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More