GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Ukraina e sulmuar në tre fronte: ja si u zhvillua pushtimi rus

Fillimi i operacioneve ushtarake me urdhër të Vladimir Putin filloi në orën 4 të mëngjesit

Nisi në orën 4 të mëngjesit pushtimi rus i Ukrainës, i shpallur nga presidenti rus, Vladimir Putin, si një “operacion special ushtarak” për “çmilitarizimin” dhe “denazifikimin” e kombit fqinj. Sipas informacioneve, jo gjithmonë të verifikueshme, që vijnë nga terreni, sulmi i Moskës ndodhi në tre fronte, nga Jugu, Veriu dhe Lindja.

Rojat kufitare ukrainase raportojnë se forcat tokësore kanë hyrë tashmë në rajonin e kryeqytetit Kiev, ku kanë rënë sirenat kundërajrore dhe popullsia është strehuar nëpër bunkerë dhe metro. Ofensiva nisi me një valë raketash, predha artilerie dhe bombardime ajrore që goditën pikat kufitare dhe infrastrukturën ushtarake, duke përfshirë bazat ajrore.

Por shpërthime janë dëgjuar në shumë qytete të Ukrainës: nga Odessa në kryeqytetin Kiev, nga Kharkiv në Dnipro. Në Mariupol, pjesë e territorit të Donbasit ende të kontrolluar nga Kievi, është duke u zhvilluar pushtimi tokësor: Reuters ka publikuar imazhe që tregojnë tanke ruse në qytetin port strategjik në Detin Azov.

Shtrirja e operacioneve ruse ende nuk është plotësisht e qartë. Putin ka thënë se nuk ka ndërmend të pushtojë territorin e vendit dhe, tre orë pas sulmit, ministria ruse e mbrojtjes tha se kishte “neutralizuar” mbrojtjen ajrore të Ukrainës. Pjesa më e madhe e bombardimeve është përqëndruar në Lindje, ku janë zonat e kontrolluara nga separatistët, të cilët, disa orë pas fillimit të bombardimeve ruse, sulmuan pozicionet e ushtrisë ukrainase në kufijtë e republikave të vetëshpallura të Donetsk dhe Lugansk.

Megjithatë, sulme ajrore janë raportuar edhe në perëndim, në Lutsk, Kherson dhe Ivano-Frankivsk, pranë kufirit polak. Hapësira ajrore në verilindje është mbyllur dhe i gjithë trafiku ajror civil brenda vendit është pezulluar. Sipas raportimeve nga burimet ukrainase, trupat ruse po hyjnë në vend nga tre drejtime: në Veri nga pika kufitare e Senkivka, domethënë nga Bjellorusia; në Lindje drejt Kharkiv; në Jug, nga Krimea.

Për momentin nuk është e mundur të përcaktohet qartë se sa thellë ka hyrë ushtria ruse në territorin ukrainas. Informacionet për një zbarkim amfib në Odessa janë mohuar nga disa burime ukrainase. Në qytetin port në Detin e Zi, janë regjistruar 18 të vdekur nga një sulm me raketa. Gjashtë viktima të tjera u raportuan nga autoritetet lokale në Brovary, afër Kievit.

Presidenti ukrainas, Voldymyr Zelensky, ka shpallur gjendjen e jashtzakonshme, i ka ofruar armë çdo qytetari që e kërkon. Këshilltari i tij, Mykhailo Podolyak, siguron se “ushtria po i shkakton humbje të konsiderueshme armikut”. Ushtria ukrainase pretendon se kishte vrarë dhjetëra ushtarë rusë dhe ka rrëzuar disa avionë, duke përfshirë tre helikopterë që po sulmonin Gostomel.

Ushtria ruse, nga ana tjetër, pretendon se forcat e dislokuara nga Kievi në kufi nuk kanë rezistuar dhe se parashutistët rusë kanë pushtuar aeroportin Boryspil, pranë kryeqytetit ukrainas. Forcat e Kievit, pavarësisht ndihmës perëndimore, vuajnë nga një disproporcion i fortë numerik përballë armikut. Moska ka rrethuar Veriun dhe Lindjen e Ukrainës me rreth 190,000 trupa, 30,000 prej tyre në Bjellorusi, ka grumbulluar forcat e saj detare në Detin e Zi dhe mbyllur Detin e Azov për lundrim.

Në total, Rusia mund të llogarisë rreth 900,000 personel, dy milionë rezervistë dhe gjysmë milioni ushtarë që shërbejnë në forcat e tjera. Ndërsa Ukraina, ka një ushtri tokësore prej 145,000 njerëz, plus 45,000 në forcat ajrore dhe 11,000 të tjerë në marinë. Janë 900,000 rezervistë, plus 100,000 të tjerë të angazhuar me forcat e tjera. Hendeku është edhe më i madh për sa i përket armatimeve.

Moska ka 16,000 automjete të blinduara luftarake, përfshirë tanke, krahasuar me 3,300 të Ukrainës. Pajisjet artilerike shfaqin një disproporcion të ngjashëm, ndërsa forcat ajrore ukrainase janë sa një e dhjeta e asaj ruse. Pas aneksimit rus të Krimesë, Ukraina mori 2.5 miliardë dollarë armë nga Shtetet e Bashkuara dhe instruktorët amerikanë trajnuan ushtrinë ukrainase për të përdorur materialin luftarak të furnizuar nga Uashingtoni: armatime të lehta, anije patrullimi dhe raketa antitank Javelin.

Megjithatë, forcat e armatosura ruse, nga ana e tyre, i janë nënshtruar një reforme vendimtare pas performancës në luftën me Gjeorgjinë më 2008, e cila u vlerësua e dobët. Për këtë kontribuoi bankoprova e Sirisë, ku komandantët rusë, së bashku me Presidentin Bashar al-Assad, luftuan xhihadistët dhe rebelët, duke rifituar një pjesë të madhe të territorit që Damasku pati humbur.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More