GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Ukrainë, pse Donbasi është kaq i rëndësishëm; cilat janë republikat Donetsk dhe Lugansk

Historia e dy territoreve të kontestuara nga Rusia dhe Ukraina në rajonin kufitar të Donbasit dhe roli i rajonit në prag të një lufte të mundshme

Kriza midis Rusisë dhe Ukrainës dhe erërat e luftës, me përfshirjen e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, kalojnë nëpër shumë çështje ekonomike dhe territoriale të lidhura me ato toka të cilat, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991, kanë qenë në qendër të situatave delikate politike dhe identitetare. Midis këtyre tokave të diskutueshme është zona e madhe e Donbasit ku u krijuan republikat popullore të Donetsk dhe Lugansk.

Në Donbass po zhvillohet një luftë që prej 8 vitesh midis guerrilasve pro-rusë dhe forcave të armatosura të ushtrisë së Kievit, e cila mbështet qeverinë aktuale të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Përshkallëzimi i konfliktit ndodhi pikërisht gjatë krizës së shkurtit në Ukrainë: me intensifikimin e bombardimeve, kërcënimin rus për një pushtim dhe njohjen nga Putini të dy republikave Donetsk dhe Lugansk, në kontrast të plotë me Biden dhe NATO.

Ku ndodhet Donbass dhe pse është i rëndësishëm

Donbass është një zonë e madhe që gjendet në kufirin midis Ukrainës juglindore dhe Rusisë, me pamje nga deti Azov, i njohur edhe si deti më i cekët në botë. Rajoni gjeografik përfshin rajonet e Donetskut dhe Luganskut në Ukrainë dhe Rajonin e Rostovit në Rusi. Emri Donbass rrjedh nga rusishtja Донецкий угольный бассейн (Pellgu minierar i Donec). Referenca është për kodrat me pamje nga Donec, një degë që pikërisht në këtë rajon derdhet mbi lumin Don.

Rëndësia e Donbasit, sot në qendër të krizës ndërkombëtare midis Rusisë dhe Ukrainës, është mbi të gjitha ekonomike, falë pasurisë së mineraleve dhe qymyrit që i bën këto kodrina një thesar të vërtetë, një pol minerar shumë fitimprurës. Mjaft të mendohet se para konfliktit, rajonet e Donetskut dhe Luganskut kontribonin me 30% të eksporteve totale të Ukrainës dhe mund të konsideroheshin në të gjitha drejtimet si karburant i vendit. Nuk eksportoheshin vetëm lëndët e para të nxjerra, por edhe produktet të tjera që shiteshin për një sasi që kalonte gjysmën e prodhimit total. Dhe 22% e prodhimit eksportohej pikërisht në Rusinë fqinje. Burimet e nëntokës, pra, janë një prej shkaqeve që e kanë sjellë Donbasin në qendër të konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës, të luftuar me raketa, bombardime dhe tubacione gazi.

Kur nisi lufta në Donbass

Lufta në Donbass nisi më 6 prill 2014, kur një mijë aktivistë pro-rusë pushtuan selinë e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës në qytetin e Lugansk. Prej rreth një muaji ata i kërkonin qeverisë së Kievit që të mbante një referendum të ngjashëm me atë që sapo ishte votuar në Krime. Që nga ajo datë, përleshjet janë përhapur vazhdimisht për të arritur fillimisht në Donetsk dhe Kharkiv, pastaj edhe në qytete të tjera strategjike në rajon. Përleshjet kanë vazhduar me forcat e armatosura ukrainase nga njëra anë dhe nga ana tjetër rebelët e mbështetur nga Rusia.

Në realitet, lufta në Donbas është pjesë e një konteksti shumë më të gjerë, ai i konfliktit ruso-ukrainas që i ka rrënjët më 24 shkurt 2014, pas pushtimit të ndërtesave qeveritare në Kiev dhe qytete të tjera nga kundërshtarët Euromaidan që prej ditësh po zhvillonin protesta në një klimë dhune në rritje. Kjo ndikoi në rrëzimin e qeverisë së Janukoviç, e cila ishte prej katër vjetësh në detyrë.

Republika Popullore e Donetskut

Republika Popullore e Donetskut u vetshpall e pavarur më 7 prill 2014, pas aksioneve të rebelëve separatistë pro-rusë të drejtuar nga Pavel Gubarev. Presidenti aktual është Denis Pusilin i cili më 7 shtator 2018 zëvendësoi Aleksandr Zacharcenko, i vrarë në një sulm me autobombë.

Republika Popullore e Donetskut është një republikë presidenciale që shtrihet në një zonë me sipërfaqe prej 8,539 km² dhe ka një popullsi prej 2,244,547. Gjuha zyrtare është ruse dhe monedha është rubla. Kryeqytet është Donetsk dhe qytetet e tjera të rëndësishme janë Makeevka, Gorlovka dhe Enakievo.

Republika Popullore e Luganskut

Republika Popullore e Luganskut u vetshpall e pavarur më 12 maj 2014, pas aksioneve të rebelëve separatistë pro-rusë, të cilët zgjodhën Valerij Bolotov si presidentin e parë. Presidenti aktual është pasardhësi i tij Leonid Pasecnik.

Republika Popullore e Luganskut është një republikë gjysmë presidenciale që shtrihet në një zonë me sipërfaqe prej 8352 km² dhe ka një popullsi prej 1,506,549. Gjuha zyrtare është ruse dhe monedha është rubla. Kryeqytet është Lugansku dhe qytetet e tjera të rëndësishme janë Krasnyi Luc dhe Alcevsk.

A janë të pavarura republikat e Donetskut dhe Luganskut? Kush i njeh?

Të dy republikat popullore Donetsk dhe Lugansk u vetshpallën të pavarura pas rezultatit të referendumit të 11 majit 2014, i cili sanksionoi pavarësinë e tyre me 89% të votave pro dhe 10% të votave kundër, referendum gjithmonë i kontestuar dhe i deklaruar i paligjshëm ndërkombëtarisht.

Shtetet që njohin dy republikat janë Rusia, Osetia e Jugut dhe Siria. Në veçanti, presidenti rus Vladimir Putin e ka njohur zyrtarisht legjitimitetin e tyre gjatë fjalimit të 21 shkurtit 2022. Ukraina e rivendikon të gjithë territorin si pjesë integrale e shtetit, ndërsa OKB dhe Bashkimi Evropian kanë refuzuar njohjen e republikave të Donetsk dhe Lugansk.

Përgatiti për gazetatjeter.com, Dardan MITROVICA


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More