GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Valter Vego – Alegoria si formë e lirisë

Të pamit e botës në një mënyrë a një tjetër është një nga problemet që njeriu nuk i shmanget dot. Pas të parit vjen pjesa tjetër që është të menduarit, e më pas në fund është të kuptuarit e botës. Ky proçes që jemi mësuar ta quajmë të kuptuarit, fillon e bëhet gjithnjë më i vështirë kur dy a më shumë njerëz përpiqen t’ia shprehin njëri tjetrit mënyrën se si, secili prej tyre e sheh botën për llogari të vet. Këtu nis edhe problemi më i madh, sepse që ky dialog të realizohet pa luftë, ka nevojën e një gjuhe. Kështu nevoja për gjuhën është nevoja që kanë njerëzit për të rënë dakord mbi të kuptuarin e botës. Sigurisht që bota reale është në vetvete një tërësi unike, por kjo nuk përjashton mundësinë se dy njerëz të ndryshëm, edhe kur flasin të njëjtën gjuhë dhe për të njëjtat gjëra i shohin ato në mënyra të ndryshme. Shpesh gjuhët dhe nënshtresat e tyre mund të shihen si universe kuptimore të një komuniteti në përpjekje për të realizuar një kuptim të botës.

Arsyeja që u detyrova të bëj këtë hapje për të mbërritur te një përqasje e Alegorisë, është se gjatë historisë komuniteteve njerëzore u është dashur të krijojnë shumë mënyra të kuptuari, si të thuash shumë qytetërime, ndërsa një qytetërimi të veçantë i duhet të krijojë një mënyrë të vetme të kuptuari, në mënyrë që ky qytetërim të forcohet dhe zhvillohet. Rasti i Egjiptit të Lashtë është tipik. Krijon një gjuhë, një religjion, një shkrim dhe një shtet mjaft të organizuar, pra një kulturë që zgjati rreth 3000 vjet. Në këto lloj qytetërimesh antike e vetmja mënyrë për të treguar a kuptuar botën ishte ajo klerikëve, duke sjellë kështu një mentalitet mjaft hermetik, që i shërben Faraonit dhe kastës së tij, për të ruajtur sa më gjatë pushtetin, pra të kuptuarit e botës. Në komunitete të tilla nuk ka mendim individual, gjithçka perceptohet në mënyrë kolektive dhe e vetmja mënyrë për të bërë opozitë është alegoria.

Askush nuk ka pse e fsheh diçka nëse nuk ka frikën se ajo që ka për të thënë nuk keqkuptohet në rastin më të mirë dhe dënohet në rastin më të keq. Por nëse për rrëfimtarin ajo çka ai thotë përbën rrezik, atëherë përdoret alegoria si mjet për të fshehur tregimin e vërtetë nën një tregim tjetër. Përrallat, fabulat, parabolat dhe historitë e lashta por edhe barsoletat sot janë të mbushura me Alegori, dhe të vërtetat janë thënë edhe pse të fshehura, dituritë janë dhënë edhe pse të koduara. Kështu alegoria në thelbin e vet është një mjet social për t’i shpëtuar dënimit publik si heretik. Në kohët e autokracisë së lashtë, por edhe asaj mesjetare, ku herezia ishte krimi më i rëndë që mund të kryhej, alegoria ka qenë e vetmja mënyrë për të përçuar mendimin individual.

Më vonë me të drejtën legjitime alegoria si formë të shprehuri hyn në letërsi, sepse gjithnjë letërsia dhe autokracia kanë qenë armike të pastra, pasi në fund letërsia rrjedh nga narracioni. Por në një rrafsh tjetër alegoria u përdor po ashtu prej profetëve, dijetarëve, për ta fshehur mesazhin, kështu hyri në modë si lloj të foluri e pastaj edhe të shkruari duke u kthyer në mjetin e vetëm të lirisë dhe dhënies së mesazhit. Prej këtej ka lindur gjithashtu edhe ironia dhe grotesku që nuk janë forma të drejtpërdrejta të të shprehuri. Pra mendimi individual e ka gjetur rrugën e shprehjes dhe zhvillimit të tij nëpërmjet alegorisë, duke u lënë një trashëgimi por edhe duke konservuar shpesh dije në një mënyrë mjaft të sigurt.

Pa diskutim të kuptuarit e botës nëpërmjet interpretimit alegorik sjell mjaft probleme sot, pasi mënyrat moderne të shprehurit, të menduarit e të kuptuarit të botës janë mesatarizuar, dhe alegoria bëhet e vështirë jo vetëm për faktin e abuzimit me interpretimin por edhe pse sërish çelësat për interpretimin e saj i kanë sërish ata që kontrollojnë lirinë. Sot alegoria e ka humbur forcën e vet vepruese pasi në një pjesë të botës askush nuk digjet si heretik kur shpreh një mendim të vetin për botën, por gjithsesi kur ky mendim përhapet dhe rrezikon pushtetin e dikujt sigurisht që edhe në epokën e lirisë shprehësi merr dënimin që “meriton”.

Në fund mund të thuhet se vërtetë alegoria e ka humbur pushtetin e saj në komunikimin formal, por sado ta shmangim ajo është futur brenda gjuhës, pasi gjuha është mbrujtur në epokën e saj dhe ka bashkëvepruar me të si mënyrë të menduari, gati gati janë një gjë e vetme. Edhe nëse nga një histori e vjetër janë harruar detajet, ngjyrat, dhe ajo na vjen në mënyrë të gjymtuar aq sa mund të quhet e keqkuptuar, nëpërmjet alegorisë ia dalim të mos ta harrojmë.

Si përfundim roli i alegorisë si mjet për të dhënë mesazhe që nuk lejohen nga shumica, si dhe për të ruajtur dije dhe ide që rrezikojnë pushtetin e pakicës, është një rol i jashtëzakonshëm, pasi alegoria ishte mjeti i vetëm për të përhapur mendimin dhe lirinë individuale, në kohë të errëta kur liria dhe individualiteti ishin të paligjshme./ Don Kishot

You might also like