GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Walter BENJAMIN – Busulla e suksesit

Mendimi se vullneti është çelësi për çdo sukses, është një paragjykim i rrënjosur. Mirëpo, të ishte suksesi vetëm në linjën e ekzistencës individuale, ai nuk do të ishte edhe shprehje e faktit se si ndërhyn kjo ekzistencë në strukturën e botës. Shprehje, natyrisht, me shumë rezerva. Por a janë vetë rezervat në vendin e tyre? Kur është fjala për ekzistencat individuale e të strukturës së botës?

Këndej del se suksesi, të cilin e shtyjnë kaq me dëshirë mënjanë si lodër e verbër e fatit, është shprehja më e thellë për mundësinë e kësaj bote. Suksesi është çudia e historisë botërore. Për të ai ka të bëjë me vullnetin shumë më pak nga ç’ia veshin. Përgjithësisht nuk janë shkaqet ku gjen shpjegimin natyra e tij e vërtetë, ato që e sjellin atë, por figurat e njerëzve që ai përcakton. Janë kanakarët e tij, ku ai e shfaq vetveten. Fëmijët e tij të gjakut dhe, thjeshtë, fëmijët e tij.

Çudia, në rrjedhën e ngjarjeve botërore, i përgjigjet idiosinkrazisë në ekzistencën individuale. T’i japë llogari vetes për këtë ka qenë prej kohësh një privilegj i komikes, drejtësia e së cilës nuk është vepër e qiellit, por e lajthitjeve të panumërta që, tekefundit, si pasojë e një gabimi të vogël, i japin sidoqoftë rezultatin e saktë.

E ku gjendet atëherë idiosinkrazia e subjektit? Në bindje. I esullti, i cili nuk ka idiosinkrazi, jeton pa njohur bindje. Jeta dhe mendimi e kanë bluar atë në urtësi, sikundër mokrat e bluajnë drithin në miell. Ndonëse figura komike nuk është kurrë e zgjuar. Ajo është një kopuk, një taravel, një kaqol, një lolo i ngratë, por sidoqoftë kjo botë i shkon atij si e prerë pas shtatit. Suksesi për të nuk është qielli, mossuksesi nuk është kiameti. Figura komike as që pyet për fat, për mit e për të thëna. Çelësi i saj është një figurë matematikore, e ndërtuar përreth botës së suksesit dhe të bindjes.

Suksesi – duke flijuar çdo bindje. Rasti normal i suksesit: Hlestakovi ose mburraveci. Mburraveci e lejon veten të drejtohet nga situatat si një medium. Mundus vult decipi. Deri edhe emrin ai e zgjedh për t’ia bërë qejfin botës.

Suksesi – duke marrë çdo bindje. Rast i shijimit të suksesit. Shvejku ose fatlumi. Fatlumi është një personazh i ndershëm, që do t’i bëjë të gjitha me drejtësi. Hansi, kur është i lumtur, është gati ta ridojë lumturinë me cilindo që…  ka dëshirë.

Mossuksesi – duke marrë çdo bindje. Rast normal të mossuksesit. Buvardi (Bouvard) dhe Pekysheje (Pécychet) apo filistini. Filistini është martiri i bindjeve nga Lao Tseja deri te Rudolf Shterni. Por për secilin “vetëm një çerek orëze”.

Mossuksesi – duke flijuar çdo bindje. Rasti gjenial i mossuksesit. Çaplini apo tersi. Tersi… nuk merr shtysë nga asgjë. Ai pengohet edhe me këmbët e veta. Ai është i vetmi engjëll i paqes, që i shkon kësaj toke.

Këto janë busullat për përcaktimin e të gjitha erërave të mira e të këqija, që luajnë me fatin njerëzor.

Nuk mbetet tjetër, veçse të përcaktohet mesi i tyre, pika e prerjes së boshtit, vendi i shpërfilljes së plotë të suksesit e të mossuksesit. Në këtë mes është në shtëpinë e vet Don Kishoti, njeriu me një bindje, historia e të cilit mëson se në këtë më të mirën a më të keqen e botëve të mundshme të përfytyrueshme – ndonëse ajo është pikërisht e papërfytyrueshme – bindja se është e vërtetë çfarë thuhet në librat e kalorësisë, e bën të lumtur një marroq të zhdëpur, kur ajo është vetëm e tija.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni