Ylenia Carrisi dhe shpresa e Rominës për ta gjetur përsëri: Mesazhi në Instagram
Romina Power nuk e ka humbur kurrë shpresën për të përqafuar një ditë vajzën, Ylenia Carrisi
Kanë kaluar shumë vite, por Romina Power nuk heq dorë: Flaka e shpresës ende digjet brenda saj, megjithëse shanset që të mundë ta përqafojnë vajzën e saj Ylenia po bëhen gjithnjë e më të vagëta. Si çdo vit, kjo është periudha më e vështirë për këngëtaren, sepse po afrohet momenti kur Ylenia Carrisi humbi gjurmët.
Vajza ishte vetëm 23 vjeç kur, në janar 1994, u dëgjua për herë të fundit nga prindërit. Në atë kohë vajza e Al Bano dhe Romina ishte në Shtetet e Bashkuara, më saktësisht në New Orleans, ku po qëndronte në një hotel së bashku me një burrë misterioz dhe kontrovers, Alexander Masakela. Në ditët e para të atij viti vajza humbi, sikur u zhduk në ajër, dhe të gjitha kërkimet e bëra për ta gjetur nuk çuan në asgjë. Ndërsa Al Bano, pas dëshmisë së një roje sigurie që tha se ka parë një vajzë shumë të ngjashme me Ylenia duke u hedhur në ujërat e Mississippi, e ka pranuar idenë se vajza e tij mund të ketë vdekur, Romina Power nuk e ka humbur kurrë shpresën.

Para pak orësh, artistja ndau një mesazh në profilin e saj në Instagram i cili, edhe një herë, zbulon të gjithë dhimbjen e saj dhe atë besim të palëkundur që e ka bërë gjithmonë të vazhdojë përpara. “Nëntori është muaji në të cilin lindi Ylenia. U zhduk në SH.B.A. në Janar 1994. Ishte 23 vjeç”- shkruan Romina. “Nuk i jam dorëzuar kurrë idesë që nuk do të mund ta përqafoj më. E di që duhet të ketë ndryshuar shumë që nga ajo kohë, por nëse dikush njeh një grua që duket si kjo vajzë, ju lutem më kontaktoni. Ju faleminderit”. Dhe, për të shoqëruar këtë apel, një nga fotot e fundit të Ylenia, që portretizon një vajzë të bukur që kishte ende një jetë të tërë para saj.
Power vazhdon t’i apelojë kujtdo që mund ta ketë parë Ylenia, me shpresën se do t’i vijë ndonjë e dhënë që më në fund mund të konfirmojë atë që, në zemrën e saj e ndjen me forcë: që vajza e saj është akoma gjallë. Ndërsa, Al Bano luftoi që vdekja e pretenduar e vajzës të njihet, u deklarua përfundimisht në vitin 2014 nga Gjykata e Brindisi.
Zhdukja e Ylenia e vuri në provë të vështirë martesën midis Al Bano dhe Romina, që mori fund disa vjet më vonë. Sidoqoftë, kohët e fundit tensionet janë ulur dhe të dy artistët kanë rigjetur një mirëkuptim profesional. Por plaga e thellë e humbjes së të dashurës së tyre ndoshta nuk do të shërohet kurrë plotësisht.
Materiali është përgatitur nga stafi i GT