GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Zija Çela – Këto duar flasin por nuk bërtasin…

E ndaloi makinën për ta takuar dhe e dëgjove kur e pyeti: Nga vjen? Kam qenë te një fermer për me kositë. Po ku shkon? Po shkoj te një fermer tjetër për me korrë, u gjegj prapë ai. Pastaj doli nga ana e kundërt e makinës, që të takonte mikun e mikut të tij. Kur ma dha doren (Rexhepi fotografoi në çast), ndjeva menjëherë sa abrazive ishte. Desha ta shihja nga afër si ishte gdhendur ai reliev aq i ashpër në mish, prandaj ia mbajta pëllembën para syve. Shihja e murmurisja nën zë, bekuar, bekuar këto duar, prej të cilave hamë bukën e përditshme!

Ky mundimtari shëtites, a thua se e nuhati ofshamën time, ma ktheu shpejt, si për të ma fashitur brengën ndaj tij: “E marr me mend, unë e marr me mend se edhe ti ke kallo. Por nuk i ke në duar, i ke në krye.” Dhe e theksoi, foli me një buzëqeshje gjithë dritësim, sepse punëtorit argat po i rridhnin fisnikërisht këto fjalë.

Në vjeshtë, pasi kishte mbushur moshën, mora vesh se kishte dalë në pension dhe paguhej rreth 150 Euro në muaj. Një ditë më telefonoi. Çuditërisht, edhe kësaj here foli me një dlirësi shpirtërore të mistershme, pa pikën e inatit ndaj shtresave shoqërore që kurrë nuk u bie të bëjnë punë fizike. Veçse kishte dëgjuar se një deputet, njëri prej atyre që mbahen me duar të pastra, kishte propozuar të bëheshin shkurtime të pensioneve dhe ai donte të dinte nëse do t’i duhej ta mprehte përsëri kosën e tij.

Nuk e di përse, më gumëzhiu në kujtesë tërë zallamahia politike, parlamentare, opozitare, publike, flamurtare, hipokrite… Mos qoftë e thënë, o Zot, m’i përvëloi buzët një litani, mos qoftë e thënë që ky antiheroi i “triumfit të mirëqenies sociale” t’i kthehet kosës së barit përsëri, tash në pleqëri, kur po i afrohet kosa e vdekjes!

You might also like